TIRANE - Janë arrestuar dje nga policia e Lezhës dhe dy anëtarët e bandës së “Babagjyshëve” të shpallur në kërkim, pas zbulimit të grabitjeve me armë në qendrën tregtare TEG në Tiranë, 2 vite më parë dhe grabitjeve në disa qytetet të tjera të vendit.

Të arrestuar sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë Angjelin Ndreka, 25 vjeç dhe Lin Kala, 26 vjeç për të cilët kishte një masë sigurie arrest me burg dhënë në mungesë. Gjatë kontrollit të banesës së Angjelin Ndrekës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automjet i tipit BMW, disa skeda telefonike të kompanive të ndryshme, disa aparate telefonike, një sasi prej rreth 100 gr lëndë e dyshuar si kanabis sativa, shuma prej 300.000 lekë, si dhe shuma prej 14.000 euro. Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2014 policia mundi të zbardhë skemën e grabitjeve nga banda e “Babagjyshëve”, kur rezulton se Ilir Kupa drejtonte grupin.

Fillimisht Kupa merrte pjesë në grabitjet, por ai vazhdoi drejtimin e bandës edhe më pas nga burgu, kur u arrestua, sepse kërkohej nga Greqia për arratisjen e bujshme nga burgu i Trikallas. Përveç Ilir Kupës në prangat e policisë ranë edhe Agustin Sula, i dënuar më parë, Hajdar Sefa (Xaka), banues në Krujë dhe i dënuar më parë për vepra penale, si dhe Julian Qorushaj. Të gjithë këta të akuzuar si pjesëmarrë në grabitjet me armë që ka kryer kjo bandë. Ndërsa Angjelin Ndreka dhe Lin Kala arritën t’i shpëtonin prangosjes në atë kohë, por ja arratia e tyre nuk zgjati as dy muaj dhe dje ata u kapën nga Policia e Lezhës.

Si vepronte banda
Në fund të muajit dhjetor, gati një javë nga arrestimi i 6 prej anëtarëve të bandës së “Babagjyshëve”, televizioni “A1 Report” publikoi pamjet filmike të dy prej grabitjeve më të bujshme të këtij grupi. Veç pamjeve të grabitjes së bërë tek qendra tregtare TEG, ku banda edhe mori emrin, sepse ishin veshur si Babagjyshët e Krishtlindjeve, “A1 Report” publikoi edhe pamjet nga grabitja tek pika qendrore e kompanisë së basteve, që është në në pronësi të familjes së deputetit Mark Frroku, tek “Misto Mame”, në Kombinat.

Në këto pamje shihej qartë se të veshur me rroba ushtarake, nga ato që përdorin edhe forcat speciale të policisë, me një automjet me targa greke, xhama të zinj dhe një tabelë policie, 4 anëtarët e bandës futen për në ambientin e basteve sportive. Sapo zbresin nga automjeti grabitësit ndan detyrat, ku tre prej tyre të armatosur deri në dhëmbë me automatik e pistoleta futen në ambientet e brendshme, ndërsa njëri prej tyre vëzhgon situatën nga jashtë. Në një skenë të ngjashme të filmave hollivudianë tre anëtarët marrin paratë nga zyrat e financës duke kërcënuar arkëtaret, e më pas largohen për të humbur gjurmët.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)