Banka Botërore: Rritja e
borxhit nuk rrit ekonominë

Banka Botërore: Rritja e <br />borxhit nuk rrit ekonominë
Në një intervistë dhënë agjencisë ekonomike të lajmëve Reuters, shefja e misionit të Bankës Botërore në Tiranë Ksenia Lvovski ka deklaruar se heqja e kufirit prej 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për borxhin publik nuk është një sinjal i mirë, as për tregjet dhe as për rritjen ekonomike të vendit. Sipas saj, Shqipëria më mirë të përqendrohet në konsolidimin e financave të saj. "Qeveria duhet të përmirësojë mbledhjen e taksave dhe të shtrëngojë shpenzimet për rrogat dhe pensionet", ka thënë Lvovski për Reuters.

Menaxhimi aktual i financave publike të Shqipërisë dhe sidomos rritja e shpejtë e borxhit janë bërë shqetësim jo vetëm për Bankën Botërore, por edhe për institucionet e tjera të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Në misionin e fundit në Tiranë, edhe delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë Berisha që për vitin e ardhshëm ta mbante borxhin në nivelin 60 për qind, si në vitin 2012. Në atë moment, qeveritarët u duk se do ta respektonin një sugjerim të tillë, por më pas filluan të dalin njoftime lidhur me përgatitjen e një projektbuxheti me dy varjante, njeri nga të cilët parashikonte rritjen e borxhit publik në afro 63 për qind të PBB-së. Pikërisht ky ishte edhe varjanti që u miratua në parim nga Kuvendi dhe aty qeveria ka parashikuar një defiçit buxhetor vjetor prej 3.4 përqindësh, i cili e çon shifrën e borxhit në 62.6 për qind të prodhimit, pa përfshirë garancitë që do të jepen për importin e energjisë elektrike. Ky defiçit nënkupton marrjen nga ana e qeverisë vitin e ardhshëm të 490 milionë dollarëve borxh për të financuar shpenzimet e saj.

"Financimi i defiçitit të lartë është një tjetër shqetësim imediat, në kushtet kur ekonomia po ngadalësohet dhe kreditorët në tregje janë bërë më të kujdeshëm", deklaron Lvovski.
Kohët e fundit, Berisha dhe Bode kanë mbrojtur tezën se rritja e borxhit do t'i siguronte vendit likuiditet në kushtet kur ai po fillon t'i mungojë. Një gjë e tillë u përshendet nga një pjesë e biznesit shqiptar, që nuk po merr pagesat për punët e kryera më parë. Por, askush deri sot nuk e ka llogaritur me profesionalizëm rrezikun që do të sillte rritja e borxhit për pagesën e interesave të tij, që edhe kështu ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Një numër vendesh, madje shumë më të zhvilluara se Shqipëria, duke filluar nga fqinji ynë jugor, kanë prekur falimentin me politika të tilla.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?