Kreu i Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci tha sot se ekonomia e Shqipërisë ka qenë e qëndrueshme por duhet të përdorë momentumin për të përshpejtuar reformat.
"Ekonomia e Shqipërisë vijon të tregojë qëndrueshmëri, por ruajtja e këtij momenti kërkon reforma të guximshme strukturore. Rruga përpara është e qartë: përshpejtimi i reformave drejt anëtarësimit në BE, më shumë investime në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën digjitale, si dhe mobilizimi i kapitalit privat do të nxisë investimet, krijojë vende pune dhe përshpejtojë konvergjencën me BE-në", tha Paolucci gjatë konferencës për prezantimin e Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor
Në projeksionet e institucionit, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2026 do të jetë 3.4% ndërsa në 2027, rritja pritet në 3.7% por ky parashikim mund të ulet nëse lufta në Iran zgjat. Sipas Paolucci-t sfidat e Shqipërisë qëndrojnë në investimin në kapitalin human, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe mbështetjen e rritjes ekonomike.
“Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet, sepse çmimet më të larta të energjisë dhe ndërprerjet e tregtisë të lidhura me situatën në Lindjen e Mesme po ndikojnë negativisht në fuqinë blerëse. Ruajtja e trendit të rritjes ekonomike, në kushtet kur fuqia punëtore po tkurret, kërkon mobilizimin e kapitalit njerëzor të pashfrytëzuar, përmes reformimit të skemave të përfitimeve, lehtësimit të kufizimeve për kujdesin ndaj fëmijëve, forcimit të formimit profesional, dhe zgjerimit të punësimit për të rinjtë dhe gratë” tha ai.
Megjithatë, sipas Bankës Botërore, inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa borxhi publik vijoi rënien, duke zbritur në 53.2 për qind të PBB-së në fund të vitit 2025. Sipas të dhënave të Bankës, papunësia në vend pësoi rënie, duke pasqyruar tkurrjen e fuqisë punëtore prej emigracionit dhe plakjes. Në rastin e të rinjve, papunësia arriti në 21.5% ndërsa mesatarja europiane është 14.7% Sipas raportit, Shqipëria është ndër vendet e rajonit me emigrimin më të lartë për frymë
“Shqipëria po krijon lidhje të reja tregtare për eksportin e mallrave në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit. Megjithëse këto zgjasin më shumë se në vendet e tjera të Ballkanit, shumica mbeten afatshkurtra - vetëm 36 për qind mbijetojnë vitin e parë dhe vetëm 4 për qind zgjasin mbi pesë vjet. Papunësia pësoi rënie, por kjo kryesisht pasqyron tkurrjen e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë, sesa një rritje të fortë të punësimit. Shqipëria mbetet një ndër vendet e rajonit me emigrimin më të lartë për frymë dhe ata që qëndrojnë përballen me pengesa të vazhdueshme në tregun e punës. Kujdesi dhe përgjegjësitë familjare mbajnë gratë jashtë këtij tregu, veçanërisht grupmosha 25-54 vjeç, ndërsa papunësia tek të rinjtë është në nivelin 21.5 për qind, mbi mesataren e BE-së që është 14.7 për qind. ” thuhet në raport.
Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të mbetet e ngadaltë gjatë viteve 2026 dhe 2027, e ndikuar nga efektet zinxhir të konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacionit të vazhdueshëm dhe pasigurisë në rritje. Për të ruajtur ritmin e reformave në një rajon që po përballet me mungesa në rritje të fuqisë punëtore, zgjerimi i pjesëmarrjes në tregun e punës është thelbësor,
Komente







