Banka Botërore: Kontratat për
rrugët u bënë shkel e shko

Banka Botërore njoftoi dje se kontratat që ka lidhur qeveria shqiptare me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale po rishikohen. Ku institucion financiar ndërkombëtar, në fakt, është financues i projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate” me një vlerë prej 65.9 milionë eurosh.

Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë rrugët, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe eficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre. Në total përfshihen 1.334 kilometra rrugë kombëtare në Shqipëri dhe me një vëllim të lartë qarkullimi.

Por BB ka konstatuar difekte të mëdha në këtë projekt. “Kontratat e rrugëve po kalojnë në një fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë. Këto çështje lidhen në pjesën më të madhe me volumin e punëve rehabilituese (asfalt dhe të tjera) që janë të nevojshme për të sjellë rrugët në nivele specifike të shërbimit. Volumi i këtyre punëve u keq vlerësua gjatë periudhës së përgatitjes së projektit dhe kushtet e këtyre rrugëve kanë ndryshuar. Po kështu ka edhe disa çështje të tjera që kanë nevojë të adresohen përmes rishikimit të Specifikimeve dhe pjesëve të tjera të kontratës, që ndonjëherë nuk janë të qarta dhe ku ka kontradikta dhe mospërputhje” thuhet në raportin e publikuar nga Banka Botërore.

Studimi i fundit i Bankës Botërore, i sapopublikuar dhe unik në llojin e tij, me titull “Barra e rëndë e plagosjeve rrugore” mat impaktin që kanë aksidentet rrugore në ekonominë e vendeve në zhvillim, me të ardhura të ulta dhe të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Të dhënat e Instat dhe Eurostat tregojnë se vendi ynë ka normën e tretë më të lartë të vdekjeve në rrugë në kontinent, 94 të tilla për 1 milionë banorë. Mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në 50 viktima për 1 milionë banorë. “Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri lidhen direkt me investimet e pakta në mirëmbajtjen e Rrugëve”, nënvizonte Banka Botërore në një tjetër studim.

Në total, projekti i iniciuar nga BB ka një vlerë prej 128.47 milionë euro, ku, përveç vlerës që financon Banka Botërore, janë edhe 62.57 milionë euro të financuara nga qeveria shqiptare. Në total janë katër kontrata të lidhura me operatorët që kanë fituar garën gjatë procedurës së zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

E para, është zona A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 278,9 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Raëafed Al-torok Contracting Establishment.

E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk.

Kontratat

Kontratat janë lidhur me afat 5-vjeçar. Ndërkohë që në Shqipëri ende përflitet për efektivitetin e ndërtimit të segmenteve rrugore nacionale, shumë pak tërheq vëmendjen shifra shumë e madhe që po hidhet për mirëmbajtjen e atyre ekzistuese. Në kontratat e nënshkruara në shkurt dhe mars të vitit të kaluar, bëhet fjalë për ndëryrje në masën 4 deri 8 centimetra të asfaltit në rrugët kombëtare, që duket se janë bërë shkel e shko me tenderat e investimit fillestar.

Dhe këto punime duhet të kryhen që në vitin e parë të marrëveshjeve kontraktore, në mënyrë që të sillen rrugët nacionale në Shqipëri në standardet ndërkombëtare, ndërkohë që, sipas marrëveshjeve të nënshkuara midis palëve, në vitet 2-4 të kontratës duhet të kryhen vetëm mirëmbajtje rutinë. Askush që lëviz me makinë nëpër Shqipëri nuk ka konstatuar askund të kryhen punime të tilla në thellësi të asfaltit nga kontraktorët, ndonëse ka kaluar gati një vit nga nënshkrimi i kontratave.

Kontratat përfshijnë detyrime të shumta për të përfunduar rrugët nacionale, që ende nuk janë të kompletuara sipas standardeve evropiane. Madje, nuk kufizohen vetëm me to. Por, kryesisht, kompanitë janë të angazhuara të kryejnë punime të tilla si: ndërtime kanalesh, riparime erozionesh, mbushje faqesh mali e kodrash, riparime urash, forcime muresh mbajtës, ndërtime apo riparime kafazesh mbrojtës, vendosje apo riparime mbrojtësesh anësore, sinjalesh vertikale rrugore, etj. Në kotratë thuhet se është e detyrueshme vendosja e materialeve sinjalistike reflektuese rrugore në të gjitha korsitë e segmenteve të rrjetit parësor dhe në qendër të rrjeteve dytësore, sipas standardeve evropiane. Të gjitha punimet e mirëmbajtjes bazike janë të detyrueshme të kryhen gjatë vitit të parë të kontratës, periudhë, nga e cila kanë mbetur vetëm 2-3 muaj.

Detaje

Detyrimet

Në kontratat e nënshkruara në shkurt dhe mars 2017 bëhet fjalë për ndëryrje në masën 4 deri 8 centimetra të asfaltit në rrugët kombëtare, që duket se janë bërë shkel e shko me tenderat e investimit fillestar

Rishikimi

“Kontratat e rrugëve po kalojnë në fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë”, thekson BB

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen