Propozimet e Bankës Botërore për ekspertët e ekonomisë duhet të vlerësohen dhe të pranohen nga grupi i punës. Sipas tyre nëse hiqet kufiri prej 15 vitesh duke bërë që edhe pensioni social të merrej në bazë të kontributeve dhe jo apriori, do të kishte më shumë drejtësi në skemë.
“Ky kufi është konsideruar si anomali e skemës pasi konsiderohet si hap që ka krijuar boshllëqe në mos-përfshirjen e atyre që janë punëtor informal, emigrantë apo grupe vulnerabël, që duhet të presin të mbushin 70 vjeç për të përfituar një pension social. Heqja e këtij tavani është një drejtësi sociale sepse ulë edhe rrezikun e varfërisë në pleqëri, dhe kryesisht për ato në zonat rurale. Përfshin edhe atë plagë të ekonomisë tonë që ka të bëjë me informalitetin, pasi ka punëtorë që kanë vite të tëra pa i regjistruar në kontribute dhe që përjashtohen, kjo prek edhe pjesën e emigrantëve që kanë pak vite këtu. Rrit qëndrueshmërinë fiskale, janë 2.5 mld euro që janë marrë nga taksat për të mbuluar skemën. Kështu shmang një krizë fiskale por jep zgjidhje për luhatjet demografike”, thotë Eduart Gjokutaj.
Ndërsa për korrigjimin e formulës se si llogaritet pensioni, ekspertët thonë se diferencimi në koeficient për ata që kanë më pak se 15 vite punë në raport me ato që kanë më shumë, do të ndikonte në rritjen e numrit të kontribuuesve.
“Është më e drejtë sesa formula e deritanishme. Kemi me vite të pjesshme mbi 50% të pensionistëve, të ri korrigjosh formulën aktuale, është të përfshish më shumë në skemë. Të rishikohet formula është themelore, çdo masë tjetër është ndihmuese”, thotë Çoçoli.
“Ky diferencim ku për 15 vitet e para koeficienti nuk është më siç është aktualisht 1% por është 0.7% dhe pas 15 vitesh kontribute e më tutje koeficienti dyfishohet bëhet 1.4%, është i drejtë dhe stimulues pasi nga pikëpamja e drejtësisë eliminon pabarazi duke shpërblyer kontribuuesit afatgjatë, ndërsa nga ana e pjesës sociale ofron një bazë minimale për të mbrojtur të varfrit dhe informalët”, shprehet Gjokutaj.
Sipas ekspertit Eduart Gjokutaj skema aktuale nuk i përgjigjet presionit demografik, dhe krahas rishikimit të formulës sipas tij duhet edhe më shumë përgjegjshmëri nga institucionet mbi këtë çështje.
“Presioni demografik është një nga fajet kryesore që kontribuon në këtë situatë që jemi përtej asaj çfarë mund të themi mbi defektin e skemës. Sa i përket pjesës së ekonomisë e cila ka përgjegjësinë e vetë, një ekonomi që rritet në mënyrë të tillë siç ne e kemi diskutuar me probleme të tilla që nuk frenon dot emigrimin, natyrisht që kjo ul pjesën e numrit të kontribuuesve, por nga ana tjetër edhe detyrat e paralizuara për informalitetin i cili ndikon në gjithë këtë skemë. Pra nuk mund të konceptohet thjesht që po bëmë një formulë dhe kjo na zgjidh, nuk është formulë magjike, është formulë që duhet të bëhen këto detyra përpara. Kërkon një përgjegjshmëri shumë më të lartë se deri më sot”, thotë Gjokutaj.
Nëse pjesa më e madhe e këtyre propozimeve të bëra nga Banka Botërore do të pranohen ekspertët gjykojnë se do të kishte rritje reale edhe të pensioneve.
“Janë në drejtimin e duhur dhe sigurisht që me skemën e re do të ketë rritje reale të pensioneve. Është mirë që qeveria të marri shumicën e këtyre propozimeve se në gjykimin tim. Është një skemë që ndihmon pensionistët e rinj dhe jep më shumë si të thuash damar anës sociale të skemës sonë të pensionit. Deri tani një pjesë e këtyre përfitimeve suplementare shumë mirë për ata që i kanë marrë, por ka qenë një padrejtësi e mirëfilltë ndaj pjesës së madhe shumicës së pensionistëve tanë”, thotë Çoçoli.
Lajmi kryesor:
Propozimet për skemën e re/ Preket formula e llogaritjes së pensionit, të rritet mosha dhe hiqen përfitimet suplementare! Ekspertët: Me pagat e nëndeklaruara po bëhet krim











