Banka Botërore: Rritja e transparencës ndaj borxhit të fshehur, mund të zvogëlojë rreziqet financiare globale dhe të mbështesë rimëkëmbjen

Banka Botërore: Rritja e transparencës ndaj borxhit të fshehur, mund të zvogëlojë rreziqet financiare globale dhe të mbështesë rimëkëmbjen

Banka Botërore

Vendet në zhvillim po përballen me rritje të rreziqeve nga brishtësia financiare e krijuar nga kriza e COVID-19 dhe mungesa e transparencës së borxhit, thuhet në një raport të ri të Bankës Botërore. Në një kohë kur rritja e inflacionit dhe e normave të interesit shtojnë sfidat për rimëkëmbjen, vendet në zhvillim, sipas reportit, duhet të fokusohen në forcimin e shëndetit të sektorëve financiarë.

"Financa për një rimëkëmbje të barabartë ekonomike, rreziqet mund të jenë të fshehura sepse bilancet e familjeve, bizneseve, bankave dhe qeverive janë të ndërlidhura ngushtë midis tyre. Sot, nivelet e larta të kredive me probleme dhe borxhit të fshehur dëmtojnë aksesin në kredi dhe në mënyrë disproporcionale reduktojnë aksesin në burime financiare për familjet me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla", thuhet në raport.

Po ashtu theksohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet botërore në zhvillim po pengojnë investimet private.

“Kriza ekonomike e krijuar nga rritja e inflacionit dhe normat e larta të interesit rrezikon të përhapet për shkak të brishtësisë financiare. Shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet botërore dhe cektësia e tregjeve të brendshme të borxhit në shumë vende në zhvillim po pengojnë investimet private dhe po dobësojnë rimëkëmbjen ekonomike”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass. “Është e shumë e rëndësishme të punohet drejt aksesit me bazë të gjerë në kredi dhe alokimit të kapitalit të orientuar drejt rritjes. Kjo do t'u jepte mundësi firmave më të vogla dhe më dinamike si dhe sektorëve me potencial më të lartë rritjeje - të investojnë dhe të krijojnë vende pune .Kriza globale e shkaktuar nga pandemia COVID-19 u shndërrua me shpejtësi në krizën më të madhe ekonomike në botë për më shumë se një shekull, duke rezultuar në ngadalësim të fortë të rritjes ekomomike, rritje të varfërisë dhe thellim të pabarazive. Në kundërpërgjigje ndaj krizës, qeveritë ndërmorën masa të konsiderueshme dhe të paprecedentë mbështetëse emergjente, të cilat ndihmuan në zbutjen e disa prej pasojave më të rënda shoqërore dhe ekonomike dhe rritën nivelet e borxhit sovran – i cili edhe përpara krizës kishte arritur nivele rekord në shumë vende. Kundërpërgjigjja ndaj krizës nxori gjithashtu në pah disa sfida lidhur me borxhin në sektorin privat, të cilat tani duhet të adresohen urgjentisht – përfshirë mungesën e transparencës në raportimin e kredive me probleme, vonesat në menaxhimin e aseteve të huamarrësve në vështirësi financiare dhe mungesën e aksesit ose aksesin e kufizuar në kredi për familjet dhe bizneset më të cenueshme", thotë Banka  Botërore.

Raporti i ri i Zhvillimit Botëror evidenton disa fusha prioritare për ndërmarrjen e veprimeve, përfshirë zbulimin e hershëm të rreziqeve financiare. Meqenëse pak vende kanë hapësirën fiskale dhe kapacitetin e nevojshëm për të adresuar të gjitha sfidat në të njëjtën kohë, raporti përshkruan se si vendet mund t'i japin përparësi burimeve në varësi të kontekstit të tyre.

Anketat e bizneseve në vendet në zhvillim gjatë pandemisë zbuluan se 46 për qind e tyre prisnin të krijonin detyrime të prapambetura. Niveli i mospagesave të kredive mund të rritet ndjeshëm tani dhe, si rezultat i mbështetjes së ofruar nga qeveritë, borxhi privat shumë shpejt mund të kthehet në borxh publik. Pavarësisht tkurrjes drastike të të ardhurave dhe qarkullimit monetar të bizneseve si rezultat i krizës, pesha e kredive me probleme mbetet kryesisht e pandikuar dhe nën nivelin e pritshëm. Megjithatë, kjo mund të vijë për shkak të politikave të tolerimit dhe standardeve të relaksuara të kontabilitetit, të cilat po fshehin rreziqe serioze të cilat do të bëhen të dukshme vetëm pasi politikat mbështetëse të ndërpriten.

 “Para krizave, shpesh janë gjërat që nuk sheh ato që të mposhtin përfundimisht. Ka arsye të mendojmë se shumë dobësi mbeten të fshehura,” u shpreh Carmen Reinhart, Zëvendës Presidente e Lartë dhe Kryeekonomiste e Grupit të Bankës Botërore. “Është koha për t’u dhënë prioritet veprimeve të hershme, të përshtatura për të mbështetur një sistem financiar të shëndetshëm që mund të sigurojë rritjen e kreditimit që nevojitet për të stimuluar rimëkëmbjen. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë ata që do të goditen më rëndë janë grupet më të cënueshme.”

Raporti bën thirrje gjithashtu për menaxhimin proaktiv të kredive në vështirësi pagese. Shumë familje dhe firma po përballen me nivele të paqëndrueshme të borxhit për shkak të rënies së të ardhurave. Mekanizmat efektivë të falimentimit mund të ndihmojnë në shmangien e rrezikut të vështirësive afatgjata në pagesat e borxhit dhe huadhënies për firmat “fantazmë” që dëmtojnë rimëkëmbjen ekonomike. Përmirësimi i mekanizmave të falimentimit, lehtësimi i zgjidhjeve jashtë gjyqësore, veçanërisht për bizneset e vogla dhe promovimi i faljes së borxheve mund të ndihmojë në uljen e strukturuar të borxheve private.

Në vendet me të ardhura të ulëta, nivelet tepër të larta të borxhit sovran duhet të menaxhohen në mënyrë proaktive, të strukturuar dhe në kohë. Të dhënat historike tregojnë se vonesat në adresimin e papërballueshëmisë të borxhit sovran shoqërohen me periudha të zgjatura recesioni, inflacion të lartë dhe më pak burime për sektorë thelbësorë si shëndetësia, arsimi dhe rrjetet e sigurimeve shoqërore, duke rezultuar në pasoja më të rënda për të varfërit.

Së fundi, për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia nevojitet që të punohet në drejtim të aksesit gjithëpërfshirës në burime financiare. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, 50 përqind e familjeve nuk janë në gjendje të përballojnë konsumin bazë për më shumë se 3 muaj. Bizneset mesatare raportojnë se kanë rezerva parash të mjaftueshme për të mbuluar vetëm shpenzimet e 2 muajve.

Familjet dhe bizneset e vogla kanë qenë më shumë të ekspozuara ndaj rrezikut të ndërprerjes së kreditimit, ndonëse aksesi në kredi përmirëson qëndrueshmërinë financiare të familjeve me të ardhura të ulëta dhe u jep mundësi bizneseve të vogla të shmangin mbylljen e aktivitetit, të qëndrojnë në treg e për rrjedhojë të rriten dhe të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike. Instrumentet dhe produktet financiare dixhitale mund të luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e riskut të huamarrësit dhe në sigurimin e një rekursi në rast mospagimi të huasë, duke ndikuar në këtë mënyrë në përmirësimin e menaxhimit të riskut të kredisë, mundësimin e huadhënies dhe nxitjen e mundësive të reja ekonomike.

Reformat e politikave të nevojshme për arritjen e një rimëkëmbje të barabartë gjithashtu u ofrojnë qeverive dhe rregullatorëve një mundësi dhe udhërrëfyes për të përshpejtuar zhvendosjen drejt një ekonomie më efikase dhe të qëndrueshme botërore. Ndryshimet klimatike janë një burim i rëndësishëm i rrezikut të neglizhuar në ekonominë botërore. Politikat e mirë-projektuara të reagimit ndaj krizave dhe reformat afatgjata mund të inkurajojnë flukset e kapitalit drejt firmave dhe industrive më të gjelbra.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar