Banesat
Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave regjistroi ndryshim vjetor negativ në 3-mujorin e tretë të vitit 2013. Kjo vjen për të pestin tremujor radhazi. Ndërkohë, indeksi i qirasë së banesave regjistroi rritje me 10.4% në 3-mujorin e tretë. Kjo përbën një pikë kthese nga rënia e vazhduar e tij që prej 3-mujorit të tretë të vitit 2012. Këto zhvillime kanë ndikuar në uljen e raportit të çmimit ndaj qirasë së banesave, duke e afruar atë më pranë mesatares historike. Ky raport është 10% më i ulët se një vit më parë dhe 47% mbi mesataren historike. Ecuria e çmimeve të banesave ka reflektuar edhe gjatë 3-mujorit të tretë një kërkesë të dobët agregate dhe pakësimin e të ardhurave të konsumatorëve. Gjithashtu, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, standardet për kredinë hipotekare kanë mbetur të shtrënguara gjatë 3-mujorit të tretë të vitit.
Investimet e huaja
Banka e Shqipërisë bën të ditur se investimet e huaja direkte neto shënuan vlerën 235.6 milionë euro, në rritje me rreth 23.5% në terma vjetorë, në 3-mujorin e dytë të vitit. Në pjesën më të madhe, ky zgjerim nuk ka ardhur si rrjedhojë e investimeve të shtuara nga të huajt në ekonomi, por si pasojë e privatizimeve. Në raportin e publikuar të Bankës së Shqipërisë, nëse seria e investimeve të huaja direkte pastrohet prej privatizimeve, të vlerësuara në rreth 111 milionë euro, atëherë investimet e huaja direkte hyrëse regjistrojnë një rënie vjetore prej 27.5%.
Ndërkaq, investimet e portofolit neto rritën mjetet tona të investuara në ekonomitë jorezidente me rreth 86.3 milionë euro gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2013. Për sa i përket llogarisë së investimeve të tjera neto, ato u mbyllin me një bilanc pozitiv prej 173.6 milionë eurosh. Kjo erdhi kryesisht si rrejodhojë e lëvizjeve në zërin e monedhave dhe depozitave të sistemit bankar vendas.
Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i investimeve të huaja direkte për 6-mujorin arriti në 446 milion euro duke shënuar një rritje prej 12% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke iu afruar vitit më të mirë deri tani porsa i përket këtij treguesi, vitit 2009. Rreth 97% e kësaj shume ka ardhur nga kapitali i vet dhe fitimi i riinvestuar. Në 3-mujorin e dytë është shënuar performanca më e mirë e investimeve të huaja. Sipas të dhënave, ato arritën në 249 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 30% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shkrimi u publikua sot (24.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)