Bankat, krijohet fond i
posaçëm për raste falimentimi

Bankat, krijohet fond i<br />posaçëm për raste falimentimi
Situata finaciare e bankave në vend është stabël dhe pa probleme. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka sugjeruar që të miratohet një ligj, i cili të parashikojë krijimin e një fondi të posaçëm për shpëtimin e bankave në rrezik falimentimi, çka edhe qeveria e sheh si të rëndësishëm për minimizimin e ndërhyrjes me paratë publike në raste emergjence të tilla.

Dje ky projektligj ka mbërritur në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit të Shqipërisë. “Gjatë krizës, shumë vende, për t’i shpëtuar bankat nga falimenti, përdorën paratë e tatimpaguesve. Ky proces paraqet një ngarkesë monetare të madhe për buxhetet e shteteve dhe një barrë jo të vogël për tatimpaguesit.

Një nga qëllimet e këtij p/ligji është shmangia sa më shumë e veprimeve të tilla nga shteti dhe, sidomos, nga buxheti”, deklaroi në mbledhjen e djeshme të Komisionit ministri i Financave, Arben Ahmetaj. 

Sipas tij, fondi i shpëtimit duhet të krijohet me kontribute të vetë bankave.


Edhe opozita është parimisht dakord, por, sipas saj, në kushtet aktuale, kur bankat nuk po rrezikojnë, vëmendja duhet përqendruar tek mbështetja e ekonomisë. “Jam dakord me ju që sistemi bankar nuk ka rrezik të shtuar, por a është ky momenti për të kërkuar kosto ekstra, në një kohë kur presim që sistemi bankar të marrë risqet përsipër dhe që ekonomia të dalë nga gjendja e përgjumur, ku ndodhet aktualisht?”, pyeti ish-ministri i Financave, Ridvan Bode. 

Fondi i shpëtimit të bankave do të menaxhohet nga Banka e Shqipërisë dhe do të përdorej vetëm kur falimentimi i bankës të cenojë stabilitetin financiar. Në çdo rast, depozitat janë të siguruara sipas ligjit në fuqi.

Nga ana e tij, edhe guvernatori Gent Sejko deklaroi dje se paratë për këtë fond do të paguhen nga vetë bankat private, çka do të thotë se, në rast krizash, janë pronarët e bankave ata që, do të paguajnë për humbjet dhe jo qytetarët. “Ky p/ligj parashikon të shmangë përdorimin e parave të taksapaguesve, me përdorimin e një fondi të caktuar, që do të lidhet me kontributet e institucioneve financiare, i cili do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe do të përdoret i pari në rast krizash”, deklaroi Sejko. 

Projektligji i lejon Bankës së Shqipërisë edhe të shkarkojë drejtues të bankave problematike, si dhe të marrë përkohësisht në duar administrimin e tyre. 

“Nëpërmjet këtij ligji përcaktohen qartë parametrat dhe kriteret kur një bankë është keqmenaxhuar dhe, normalisht, Autoriteti i Rimëkëmbjes dhe Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme do të ndërhyjë direkt në menaxhim, për të marrë, qoftë administrimin, qoftë procesin e likuidimit të institucionit që paraqet probleme, si dhe për të korrigjuar defektet që menaxhimi do të kishte shfaqur, si në emërime, shkarkime, etj”, tha ai. 

“Përgatitja e një ligji specifik është për të qenë në përputhje me direktivën europiane dhe jo se ne kemi probleme në sistemin bankar, sepse ai është i mirëkapitalizuar dhe me tepricë likuiditeti. Ndaj ne nuk përballemi në asnjë rast të vetëm me vështirësi financiare”, shtoi Sejko.

Sipas klauzolave të ligjit të propozuar, fillimisht banka do t’i nënshtrohet rimëkëmbjes dhe, në rast se kjo nuk do të funksionojë, banka do të hyjë në procedurat e likuidimit, ku pesha kryesore do të mbartet nga aksionarët.

Pas tyre, kostot për një kolaps të mundshëm do t’i mbanin kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte, nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar.

Fondi synohet të konsolidohet në disa vjet. Në rast të një rreziku, ai do të përdorej për të shpëtuar një apo disa banka. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS