Një goditje në tregun e huaj nuk mbetet vetëm ‘ngjarje’ jashtë kufijve. Bankat shqiptare e rendisin transferimin e goditjeve nga ekonomia e jashtme në atë të brendshme si rrezikun sistemik më të rëndësishëm.
Me nisjen e luftës në Iran, bankat kanë rritur nivelin e rrezikut për ‘ndikimin që ekonomia e jashtme’ mund të ketë në vend nga “mesatar”, në rrezik “të lartë”, kjo në reflektim të pasigurive që po sjellin tensionet gjeopolitike dhe konfliktet ushtarake në botë. Në Shqipëri këto ngjarje deri më tani janë përcjellë kryesisht përmes çmimeve të larta të hidrokarbureve por edhe të produkteve të shportës.
Por një rrezik në rritje po zhvillohet edhe brenda vendit. Bankat janë në ‘alert’ për tregun e pasurive të paluajtshme të cilin e konsiderojnë rrezikun e dytë më të rëndësishëm për aktivitetin e tyre, dhe nga vlerësimi rrezik ‘i ulët’ vjet ka kaluar në “mesatar”. Për shkak të ekspozimit të madh të sektorit bankar në kreditimin e pasurive të paluajtshme, një rënie e çmimeve të pronave mund të ulë vlerën e garancive (kolateralit) dhe të rrisë rrezikun e kredive të pakthyera.”
“Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe ekspozimi i konsiderueshëm i sektorit bankar ndaj këtij tregu vazhdojnë ta mbajnë këtë rrezik në grupin e faktorëve që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në raport.
Në fund të qershorit, stoku i të gjitha kredive të kolateralizuara me pasuri të paluajtshme ishte rreth 490 miliardë lekë ose 13% më i lartë në krahasim me nivelin e raportuar gjashtë muaj më parë.
Pas pronave, janë sulmet kibernetike, pasi vlerësohet se në kushtet e digjitalizimit gjithmonë e më të madh të shërbimeve financiare dhe kompleksitetit në rritje të kërcënimeve kibernetike, ky rrezik është bërë tashmë një nga sfidat kryesore të biznesit bankar.
Më tej, përkeqësimi i ekonomisë së brendshme vijon të mbetet në grupin e rreziqeve më të rëndësishme sistemike në vend. Në perceptimin e bankave, vlerësimi për këtë rrezik është zbutur krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, por duke mbetur brenda nivelit “mesatar”.
Në listën e shqetësimeve në rritje këtë vit është shtuar edhe aspekti politik edhe pse me ndikim të ulët, në raport me rreziqet e tjera. Pasiguritë politike shoqëruar dhe me protesta disa mujore, sipas bankave rrezikojnë të cenojnë ekonominë dhe klimën e biznesit.










Komente
Komento