Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standard & Poor's Global Ratings (S&P) ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të Shqipërisë në nivelin "BB", duke lënë të pandryshuar edhe perspektivën "të qëndrueshme". Në raportin analitik të publikuar më 21 shtator 2026, agjencia vlerëson se ekonomia shqiptare ka vijuar të forcohet gjatë viteve të fundit, me rritje të të ardhurave për frymë, ndërsa borxhi i qeverisë dhe borxhi i jashtëm kanë hyrë në një trajektore rënëse.
Sipas S&P, ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme dhe është rritur mesatarisht me 4% në vit, në terma realë, gjatë periudhës 2022-2025.
Për vitin 2026, agjencia parashikon një rritje ekonomike prej 3.4%, pak më të ulët se 3.7% që vlerësohet për vitin 2025. Ndërsa gjatë viteve 2027-2029, rritja ekonomike pritet të jetë mesatarisht 3% në vit. Sipas raportit, kjo ecuri do të mbështetet nga eksportet e shërbimeve, konsumi privat dhe investimet.
Një rol të rëndësishëm, sipas S&P, ka luajtur turizmi. Agjencia vëren se pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është forcuar ndjeshëm vitet e fundit falë performancës së eksporteve të shërbimeve, kryesisht turizmit, ndërsa deficitet e llogarisë korente janë ngushtuar dukshëm gjatë periudhës 2023-2025.
Edhe financat publike vlerësohen pozitivisht. S&P e konsideron pozicionin fiskal të Shqipërisë të fortë krahasuar me tregjet në zhvillim dhe thekson se vendi ka ndjekur një politikë fiskale të kujdesshme. Për vitin 2026, agjencia parashikon një deficit buxhetor prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më të ulët se kufiri prej 2.3% i përcaktuar nga autoritetet shqiptare. Sipas raportit, deficiti pritet të mbetet mesatarisht rreth 2% të PBB-së deri në vitin 2029.
Agjencia vlerëson gjithashtu se objektivat e përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit janë të realizueshme dhe kujton se Shqipëria ka regjistruar suficit primar çdo vit që prej vitit 2023. Ndërkohë, borxhi publik parashikohet të bjerë në 50.5% të PBB-së në fund të vitit 2029, nga 52.9% që ishte në vitin 2025.
Në raport evidentohet edhe progresi në procesin e integrimit europian. S&P nënvizon avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe hapjen e të gjashtë grupkapitujve negociues, duke e cilësuar këtë një etapë të rëndësishme në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e rezervave valutore, të cilat në fund të korrikut 2026 arritën në 8.1 miliardë euro, ose rreth 27% të PBB-së. Sipas S&P, ky nivel është mbështetur nga të ardhurat e forta nga eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi, si edhe nga flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat kanë mbuluar deficitet e llogarisë korente.
Raporti ndalet edhe te sektori bankar, i cili sipas agjencisë mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe me fitim të qëndrueshëm. Kreditë me probleme ranë në 4% në fund të korrikut 2026, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me nivelin 11% që regjistrohej para pandemisë.
Sipas S&P, konfirmimi i vlerësimit "BB" dhe mbajtja e perspektivës "të qëndrueshme" pasqyrojnë progresin e vazhdueshëm të ekonomisë shqiptare, politikën fiskale të kujdesshme dhe forcimin e pozicionit të jashtëm të vendit, duke dhënë një sinjal pozitiv edhe për investitorët ndërkombëtarë.






Komente
Komento