Bankat kanë kërkuar lehtësimin e procedurave të ekzekutimit të pasurive të kreditorëve të këqij, gjë që ka shkaktuar përplasje mes Shoqatës së Bankave dhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
 
Shoqata ka parashtruar disa kërkesa, por më e kundërshtuara nga Komisioni ka qenë propozimi për të shitur në ankand objektet me 30% të vlerës së tyre.

Kërkesat e tjera të bankave parashikojnë heqjen e vlerësuesit të pavarur të pasurive, pagesën e përmbaruesve pas shitjes së pronës, si dhe zbatimin e menjëhershëm të titujve ekzekutivë për kreditorët e këqij.
 
Por anëtarët e Komisionit akuzuan se ndryshimet u vijnë për shtat vetëm bankave, duke cenuar rëndë interesat e qytetarëve dhe bizneseve që nuk arrijnë të shlyejnë kreditë. Ata theksuan gjithashtu, se pavarësisht kredive të këqija, Bankat Shqiptare fitojnë çdo vit miliona euro.

Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave Spiro Brumbulli i argumentoi kërkesat e shoqatës së bankave me faktin që ekzekutimi i kredive të këqija zvarritet nga gjykatat deri 3-4 vjet. Shoqata argumentoi gjithashtu se shumë shpesh objektet e lëna peng nga kreditorët vlejnë shumë më pak nga sa janë llogaritur prej vlerësuesve të pavarur.

Shitja e 30% të vlerës së pasurive sipas Komisionit të Ligjeve u vjen për shtat vetëm Bankave. Kjo pasi në rastin e shitjes me këtë vlerë të pasurive, Bankat marrin menjëherë 30% të kredisë, ndërkohë që kreditorët mbeten të detyruar të paguajnë pjesën e mbetur, edhe pse kanë humbur pronën.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com