Vrojtimi për kredidhënien i Bankës së Shqipërisë ka nxjerrë në pah se në tremujorin e fundit të vitit të shkuar janë shtrënguar standardet e kreditimit për bizneset e mëdha, ndërkohë që janë lehtësuar për individët. 

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset është shënuar në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme standardet kanë mbetur të pandryshuara.

Për individët, bankat kanë vijuar të lehtësojnë standardet për kredinë konsumatore, ndërsa standardet për kredinë për blerje banese kanë mbetur thuajse të pandryshuara nga një tremujor më parë.

Faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve vijojnë të mbeten specifikat që lidhen me problemet specifike të sektorit, kreditë me probleme dhe perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike.

Ndërkohë, konkurrenca në tregun bankar, niveli i likuiditetit të bankave dhe mjaftueshmëria e kapitalit, janë faktorë që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredisë dhënë individëve. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com