TIRANË- Dhjetëra nxënës e studentë në kryeqytet morën pjesë në konkursin e gjuhës kineze, “Bankers Cup”, organizuar në ditën ndërkombëtare të kësaj gjuhe nga Instituti Konfuci në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës. Mbështetësi kryesor i këtij aktiviteti është kompania më e madhe në vend e prodhimit të naftës, “Bankers Petroleum Albania”, që prej mëse 6 vitesh është nën pronësinë e investitorëve kinezë. CEO i kësaj kompanie, Qing Fang tha se Bankers ka dhënë mbështetje të vazhdueshme përmes Institutit Konfuci edhe në shumë aktivitete të tjera.
“Bankers është një nga kompanitë më mëdha dhe më të rëndësishme në vend. Ne jemi shumë të lumtur që po ndihmojnë në përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, që është një nga kulturat më të lashta të njerëzimit”, tha CEO i kësaj kompanie, Qing Fang.
Ndërsa ambasadori i Kinës në Tiranë foli për interesin e madh të shqiptarëve për të mësuar gjuhën kineze.
“Duke parë që kaq shumë studentë të rinj, e duan dhe e mësojnë gjuhën kineze dhe do të shpalosin arritjen e tyre mësimore dhe talentin në këtë konkurs, kam shumë pritshmëri për të ardhmen të Shqipërisë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Ky konkurs është bërë një markë e mirënjohur e shkëmbimeve kulturore mes Kinës e Shqipërisë. Shpresoj që garuesit të vazhdojnë të mësojnë gjuhën kineze me këmbëngulje”, u shpreh Zhou Ding, Ambasadori i Kinës në Tiranë.
Juria shpalli dhe fituesit e edicionit të sivjetmë të konkursit “Kinezishtja urë lidhëse”, me çmime për tre grupet shkollore pjesëmarrëse, fillore, të mesme e universitare.