TIRANE- Dje KRRTRSH kreu rivlerësimin e zonës nënjugore me sipërfaqe 30 ha, pjesë e studimit urbanistik pjesor me sipërfaqe 43.69 ha në fshatin Hamalle, Bashkia Sukth, miratuar me vendimin e KRRTRSH-se nr.15 date 14.07.2009.  Ky projekt shtrihet në qendrën e Gjirit të Lalzit dhe përfshin një fshat turistik me hotel të një firme të njohur ndërkombëtarë me pesë yje, vila e apartamente të specifikimeve më të larta dhe shërbimeve luksoze.

Verën e shkuar në këtë zonë atraktive u ndërtua edhe një rrugë e cila lidh Hamallajn me bregun e detit gjë që ndihmon mjaft edhe këtë projekt. Banorët e zonës së Hamalles janë njohur me këtë vendim nëpërmjet mediave, por nuk janë në gjendje të përcaktojnë me saktësi se cilat territore përfshin ky projekt dhe nëse i cënon banesat e tyre apo jo. Tre vjet të shkuara ata u ndeshën me forcat e policisë gjatë një tentative të Policisë Ndërtimore për të prishur banesat e tyre. Ata qëndrojnë me shpresë se banesat e tyre do të hipotekohen pasi për këtë problem ata kanë marrë garanci nga 2 ministra të qeverisë Berisha. Madje atyre ju është premtuar se dokumentat që i bën zotër të shtëpive të tyre do të jetë fundi i muajit shkurt. Ish-deputeti Simon Puta, banor i fshatit Hamalle sqaron këtë problematikë.

-A jeni njohur me mbledhjen e fundit të KRRTRSH si dhe me vendimin për të ndërtuar një fshat turistik në fshatin Hamallaj?

Jemi njohur në mënyrë sipërfaqësore nëpërmjet mediave por nuk jemi në gjendje që të përcaktojmë se cilat territore do të prekë pasi për këtë qëllim nevojiten hartat urbanistike të cilat për momentin ne nuk i disponojmë.

-Nëse projekti në fjalë do të prekë banesat tuaja cili do të jetë reagimi?

Nuk besoj se projekti do të cënojë banesat tona.

-Nga ju buron ky besim?

Neve na është premtuar nga ministrat Eduart Halimi dhe Sokol Olldashi hipotekimi i banesave tona në fund të muajit shkurt të këtij viti dhe nuk besoj që ky premtim të shkelet.

-Sa banesa kanë shkuar për hipotekim?

155 banesa të cilat ndodhen të grupuara në një territor 700 deri 800 m larg vijës bregdetare dhe nuk prishin punë përsa i përket ndërtimeve turistike.

-Po nësë do të duhet të ndërhyet te këto banesa si do të reagoni ju si komunitet?

Edhe një herë e përsëris se mbetem me besim te dy ministrat. Unë bisedova edhe me kreun e bashkisë Sukth për këtë problem dhe ai më tha se bëhet fjalë për disa ndërtime 3 katëshe të cilat KRRTRSH i prapësoi dhe urdhëroi që ato të ndërtohen 2 katëshe. Pastaj nëse vërtetë do të cënohemi do të mbledhim shoqatën tonë dhe do të diskutojmë për reagimin tonë brenda caqeve demokratike.

-Verën e kaluar, në zonën tuaj FSHZH me një fond të sajin ndërtoi një rrugë mjaft cilësore e cila lidh Hamallajn me bregun e detit në Gjiun e Lalësit. A e shikoni këtë rrugë si pararendëse për investime në sektorin e turizmit?

E shikoj të tillë, por jo në kurriz të banesave tona.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)