Banorët e 5 Majit, Laprakës, Kodrës së Priftit dhe Paskuqanit kanë dalë sërish në protestë përpara parlamentit. Ata kërkojnë drejtësi për shpronësimet e pronave të tyre, transparencë për devijimin e projektit të Unazës së Madhe dhe kërkojnë gjithashtu lirimin e 5 të arrestuarve gjatë përplasjeve të 5 Maji. Mes qytetarëve që folën para Kuvendit, ishte dhe nënë Liza, e cila apeloi për lirimin e djalit të saj dhe 4 të arrestuarve të tjerë. Madje ajo iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin në dorë fatin e tyre.

“I bëj thirrje qeverisë, gjykatës, drejtësisë që të lirojnë fëmijët tanë. Unë e kam djalin në burg, ai është i sëmur, me tension. Unë kam vajtuar në shtëpi, si mund të rrijë nëna pa birin?! Ti lirojnë të arrestuarit. As në Afganistan nuk e kanë bërë kështu. I bëj thirrje rinisë, popullit shqiptar, që të hapi sytë dhe veshët, dhe të marrë në dorë fatin e këtij vendi.”, tha ajo.

Më pas banorët u drejtuan drejt Drejtorisë së Policisë, ku kërkuan lirimin e të afërmve të tyre.  Në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban në zonën e ‘5 Majit’, Laprakës, Kodrës së Priftit dhe Paskuqanit qindra banesa janë projektuar për t’u shembur nga IMT. Një pjesë e banorëve në zonën e '5 Majit' nuk kanë pranuar kontratat e propozuara nga bashkia, ku thuhet se do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re me të njëjtat metra katror. Sipas tyre ajo është e njëanshme dhe nuk ka vlerë ligjore. Për këtë projekt pritet të shemben në total një numër prej rreth 1 mijë banesash.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Kërkojnë lirimin e banorëve të shoqëruar, protestuesit zhvendosen tek Drejtoria e Policisë

Banorët e 4 zonave në Tiranë të cilët, protestojnë në mbrojtje të banesave të tyre e kanë zhvendosur protestën tek Drejtoria e Policisë në kryeqytet. Ato këkrojnë lirimin e 5 banorëve të cilët janë shoqëruar në polici.