TIRANË- Banorët e zonës së Astirit kanë rinisur sot protestën kundër ndërtimit të projektit të Unazës së Madhe që prek shtëpitë e tyre. Banorët kanë protestuar duke bllokuar rrugën dhe duke rënduar qarkullimin e mjeteve. Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: 'Jemi qytetarë, nuk jemi shpellarë', apo edhe 'Shtëpia mbrohet me jetë'. Ata marshuan për disa minuta drejt ish-sheshit Shqiponja për të protestuar. Në zone përgjatë gjithë protestës kishte masa të shumta policore të cilët kanë qëndruar në gatishmëri për të normalizuar cdo tension apo situatë problematike. 

Banorët janë shprehur: “Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat.“

Një tjetër incident ka ndodhur gjatë protestës kur disa nga banorët janë konfliktuar me një tjetër banor i cili bëri thirrje që mos bllokohej rruga por të ngrihej një përfaqësi për të diskutuar me institucionet shtetërore. 

Banorët kanë hedhur kapsolla, ndërkohë që në mbështetje të tyre kanë qenë sërish deputetët demokratë, Klevis Balliu e Flamur Noka. Ditën e djeshme, banorët paralajmëruan se në rast se nuk do të kishte një përgjigjie, protesta e tyre do të zhvillohej pa afat. Banorët e Astirit kanë hyrë sot në ditën e 15-të të protestës së tyre. Banorët kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut për banesat e tyre.

 Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e "Unazës së Re" po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e "Unazës së Madhe" një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjecar.

Për projektin e "Unazës së Madhe" parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës,bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:45
Protesta e banorëve të 'Unazës së Re' sjell bllokimin e rrugës, ja si devijohet trafiku (Harta)

Për të 15-ën ditë me radhë banorët e "Unazës së Re" protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre, të cilat preken nga projekti i zgjerimti të rrugës. Edhe sot banorët dolën në protestë dhe bllokuan rrugën, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve.

Për të shmangur bllokimin e trafikut, policia ka bërë orientimin e mjeteve në disa akse alternative. Për të gjitha mjetet që vinin nga Durrësi dhe Veriu, policia orientonte hyrjen në Tiranë, duke i drejtuar tek "Zogu i Zi", siç e shikoni edhe në këtë hartë.




Harta si devijohet trafiku

Ndërkohë për banorët e zonës së "Unazës së Re" apo Yzberishtit, policia krijoi një devijim të trafikut për në një rrugë dytësore, tek ish-Astiri në Unazë. Ndërkaq, për banorët e zonave Jugore dhe Juglindore të Tiranës, që do të dilnin nga Tirana duke përdorur autostradën Tiranë-Durrës, orientimi bëhej për nga rruga e Yzberishit.

Duke përdorur këto devijimi, u arrit që të shmangej bllokimi i qytetarëve në trafik për orë të tëra siç ndodhi në ditët e para të protestës ku kishte edhe konfrontime fizike mes shoferëve dhe protestuesve.

Ora 14:49
Debate mes protestuesve tek Astiri, banori: Të ngremë një përfaqësi, të mos bllokojmë rrugën

Në protestën e zhvilluar sot tek Unaza e Re dhe tek ish-sheshi Shqiponja, ku banorët e Astirit protestuan për ditën e 15-të radhazi kundër shembjes së banesave të tyre, ka patur edhe një debat mes tyre.

Njëri nga protestuesit ka kërkuar që të ndërpritet protesta dhe të ngrihet një përfaqësi për të diskutuar me institucionet përkatëse. Por banorët nuk e kanë pritur mirë dhe i kanë bërë thirrje të largohet.

“Ik ik ik”,-janë thirrjet që dëgjohen në video.

“Të ulemi të diskutojmë…”-vazhdon banori.

“Ik në shtëpi, se ti nuk je për këtu, përzijeni nga këtu”,-vazhdojnë protestuesit e tjerë.

Ora 13:17
Protesta e banorëve të Astirit, bllokohet rruga tek ish-sheshi Shqiponja, makina në radhë (Foto)

Banorët e Astirit kanë marshuar drejt ish-sheshit Shqiponja për të protestuar kundër shembjes së shtëpive të tyre.

Për këtë arsye, rruga është bllokuar dhe shumë makina po qëndrojnë në trafik.

Momentet e bllokimit të trafikut te Sheshi Shqiponja

Banorët kanë thënë se protesta do të vijojë pa afat, derisa të marrin një përgjigjie nga bashkia dhe institucionet përkatëse.

“Do ta vazhdojmë protestën. Kemi njoftuar se sot do të bëhet ndërprerja pa afat e rrugës. Nuk mund të vënë kryqe. Ata nuk interesohen për ne. Jemi në rrugë, nuk na ka njoftuar njeri se kur do prishen shtëpitë.”-ka thënë njëri prej banorëve për Report Tv.