Opozita kërkon që për sa kohë nisma e PD për reformën territoriale po konsultohet në këshillat bashkiakë, procesi i diskutimit në Komisionin e Ligjeve të ndalet.

Ndërsa brenda Kuvendit zhvilloheshin diskutime, një grup qytetarësh nga bashkia e Memaliajt ishin në protestë para Kryesisë së Kuvendit kundër hartës së re territoriale që shkrin bashkinë e tyre dhe e bashkon me Tepelenën.

“Kur Kuvendi i Shqipërisë ka dërguar atë pr.ligj për konsultim, ky proces nuk mund të vazhdojë. Është hartuar një kalendar që presupozonte një situatë tjetër. Në këto kushte, duhet që kjo të mos vazhdojë më tej. Duhet që të merret edhe pse është me vonesë. Duhet të presim kush është qëndrimi i bashkive në lidhje me pr.ligjin e ri. Këshillat bashkiakë të shprehen për atë. Vetëm atëherë Kuvendi do të jetë në gjendje të shqyrtojë si duhet dy nisma ligjore që janë në të njëjtën kohë për dy çështje, por me qëndrime të ndryshme: njëri që ta çojë pushtetin vendor te kryeministri që s’i ndahet shpirti nga kryetari i bashkisë dhe tjetri t’ia çojë qytetarëve. Tjetri centralizim, tjetri decentralizim. Meqë e kemi këtë mundësi, e ndalojmë procesin”, tha Oerd Bylykbashi.

“Nisma juaj është antikushtetuese. Nisma duhet që të vinte bashkë me mendimin e popullatës. Ligji e thotë se përpara se të ndryshohet kufiri i një bashkie, duhet të ketë pse jo, edhe referendume. Duhet të organizoheshin referendume lokale. Zërat kundër kanë qenë edhe në popullatë, edhe në këshilla bashkiakë. Por nuk i keni dëgjuar zërat kundër”, tha Luçiano Boçi.

Nga ana e PS, u tha se procedura është ndjekur njësoj, kurse në mbledhjen e ditës do të prezantohen gjetjet e konsultimit të pr.ligjit të socialistëve.

“Sot do të bëhet prezantimi i gjetjeve të konsultimit publik në funksion të pr.ligjit të PS. E kam ftuar sot Maznikun që të na bëjë një prezantim, t’i administrojmë dokumentet dhe t’ua shpërndajmë dokumentet, sepse më 5 tetor është diskutimi, miratimi në parim nen për nen dhe në tërësi. Nga Kuvendi i Shqipërisë, më është bërë me dije se pr.ligji juaj është nisur menjëherë. Pra, me të njëjtën procedurë siç e keni kërkuar ju”, tha kryetari Ulsi Manja.

Deputeti Arjan Ndoja kërkoi ndërprerjen e mbledhjes derisa të gjithë të kenë në dorë projektligjin, si dhe të përfshihen kryetarët e bashkive në mbledhje, si dëgjues.

"Ky pr.ligji duhet të ishte regjistruar dhe t’u shpërndahej të gjithëve. Kjo s’ka ndodhur. Kjo që kemi sot në shqyrtim është në shkelje të hapur të rregullores. Unë si deputet, besoj se asnjëri nuk ka dokumentet shoqëruese duke filluar te pr. nisma dhe më pas gjithë dokumentet shoqëruese. Unë nuk i kam. Mbledhja bëhet inefektive. Unë s’kam si marr pjesë në një mbledhje kur s’kam materiale. Për procedurë, kërkoj që mbledhja të ndërpritet derisa të kemi materialet. Gjithë anëtarët e Kuvendit duhet ta kenë. Nuk jemi thjesht dëgjues. E dyta, janë ca njerëz atje jashtë që nuk është se duan të futen të gjithë brenda, por janë kryetarët e bashkive që duan të jenë të pranishëm", tha ai.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:54
‘Territorialja’, Zegjine Çaushi ‘i tërheq veshin’ Mziut: E bojkotove komisionin 4 muaj se bëre plazh, fjete gjumë e tani vjen këtu

1790938282_zeqinecaushixhelalmziu.jpg

Pas fjalës së Xhelal Mziut në Komisionin e Ligjeve që ashtu si deputetët e tjerë të opozitës kërkoi që të ketë një nismë të përbashkët për ‘Territorialen’, Zegjine Çaushi ia priti me një batutë që shkaktoi të qeshura.

Zegjine Çaushi: Nëse e kishe kaq shqetësim të madh këtë reformën territoriale ti Xhelal, kujtoheshe! Mos ta bojkotoje komisionin 4 muaj! Shkove bëre plazh atje, fjete dhe gjumë në shtëpi, vjen edhe këtu te ky komision tani dhe kërkon bashkimin e dy nismave!

Ulsi Manja: Çaushi, këtë punën e plazhit e pate vetëm për Mziun apo për të gjithë?

Xhelal Mziu: Në fakt, kur Zegjineja të jep këshilla në të gjitha fushat është vërtet një standard shumë i lartë dhe duhet ta merrni në konsideratë edhe ju z. Kryetar për qortimet që ju bën se Zegjineja është më afër asaj që PS ka si pikësynim dhe jo standardi.

Ora 12:16
Veliaj i kërkoi Kuvendit pezullimin e ‘Territoriales’, Tabaku i jep të drejtë: E dini që s’kam shumë respekt për të, por duhet parë me prioritet

Letra e Erion Veliajt drejtuar Kuvendit ku kërkon pezullimin e votimit të ndarjes së re territoriale sipas draftit të PS, pasi s’ka pasur konsultim real, mori mbështetje edhe nga demokratët në diskutimin e Komisionit të Ligjeve.

Jorida Tabaku i tha Arbjan Mazniku se letra duhet të shihet me prioritet dhe të sqarohet sepse bëhet fjalë për një nismë të njëanshme nga PS.

“Mazniku, ju e dini që unë nuk kam shumë respekt për Veliajn, por duhet ta shikoni me prioritet letrën që i ka nisur Kuvendit që kryetari i bashkisë më të madhe në vend thotë që nuk është konsultuar popullsia e Tiranës. Ne duam të dimë dhe të sqarohemi, së pari, ky konsultim është produkt i komisionit? Nëse është produkt i komisionit, këtu nuk diskutohet. Diskutohet bashkë me një produkt që vjen nga komisioni dhe këtu nuk ka një produkt të përbashkët, por të njëanshëm të PS”, tha Tabaku.

Ora 12:15
Debati për ‘Territorialen’, Korreshi ironi Manjës: Për nismën e PS e vutë në lëvizje pilafin, tava në furrë! Pse s’u bë edhe jona brenda ditës?

Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve për ‘Territorialen’, deputeti i Lushnjes, Saimir Korreshi, tha me ironi se pr.ligji i socialistëve është dërguar menjëherë për konsultim, pa kaluar njëherë në komision. Sipas tij, ka trajtim me dy standarde për draftin e opozitës që nuk u dërgua me të njëjtën shpejtësi.

“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është binjakëzuar me Nikon? Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme? Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë. Nuk kemi ardhur për të folur për peshqit në Lushnje që ngordhën. Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën t’i marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flerë pas gjumit. Këtu nuk paska fjetur gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona? Apo kishte punë të tjera Niko?”, tha Korreshi.

“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive”, ia ktheu Ulsi Manja.

Ora 11:52
‘Territorialja/ Ndoja: S’na keni sjellë pr.ligjin, shkelët rregulloren! Manja: Cito cilën pjesë! Deputeti: Kollaj të më provokosh, e di që flas me nene

1790934920_ulsimanjaarjanndoja.jpg

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti Arjan Ndoja u bëri vërejtje kolegëve të opozitës se nismën për ‘Territorialen’ duhet ta kishin prezantuar pasi e kishin tashmë të gatshme.

“Një vërejtje kam për forcën që përfaqësoj, duhet ta kishte prezantuar brenda afatit siç e bëtë ju. PD e ka pasur projektin prej 400 e ca faqesh që në atë moment, nuk është produkt i mëvonshëm që ju gjatë pushimeve verore sollët produktin e parë, e kemi pasur të gatshëm”, tha ai.

Ndërsa më pas, ashtu si deputetë të tjerë, kërkoi ndërprerjen e mbledhjes derisa të gjithë të kenë në dorë projektligjin, si dhe të përfshihen kryetarët e bashkive në mbledhje, si dëgjues.

Sipas Ndojës, mazhoranca ka shkelur rregulloren duke mos e shpërndarë pr.ligjin, çka nxiti edhe një diskutim me Manjën.

Arjan Ndoja: Ky pr.ligji duhet të ishte regjistruar dhe t’u shpërndahej të gjithëve. Kjo s’ka ndodhur. Kjo që kemi sot në shqyrtim është në shkelje të hapur të rregullores. Unë si deputet, besoj se asnjëri nuk ka dokumentet shoqëruese duke filluar te pr. nisma dhe më pas gjithë dokumentet shoqëruese. Unë nuk i kam. Mbledhja bëhet inefektive. Unë s’kam si marr pjesë në një mbledhje kur s’kam materiale. Për procedurë, kërkoj që mbledhja të ndërpritet derisa të kemi materialet. Gjithë anëtarët e Kuvendit duhet ta kenë. Nuk jemi thjesht dëgjues. E dyta, janë ca njerëz atje jashtë që nuk është se duan të futen të gjithë brenda, por janë kryetarët e bashkive që duan të jenë të pranishëm.

Ulsi Manja: Cilin nen të rregullores ka shkelur nisma e PS?

Arjan Ndoja: Kam dëshirë, meqenëse të vlerësoj...

Ulsi Manja: Cilin nen të rregullores ka shkelur?

Arjan Ndoja: Te pjesa si e drejton mbledhjen, kam vërejtje.

Ulsi Manja: A mund të më citosh, cilën nen të rregullores ka shkelur nisma e PS?

Arjan Ndoja: Ajo që ti do të deformosh opinionin publik është neni 69: “Projektligjet regjistrohen në një regjistër të veçantë. I kalohen kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e tyre.” Ta ka shpërndarë ty?

Ulsi Manja: Po.

Arjan Ndoja: Mua jo.

Ulsi Manja: Shko kërkoja!

Arjan Ndoja: Ty, se ti je kryetar i Komisionit! Dëgjo deri në fund! Është kollaj të më provokosh duke më thënë që tregoju shqiptarëve nenet. Ti e di që unë flas me nene.

Ulsi Manja: Aty rri.

Arjan Ndoja: Prit tani!

Ulsi Manja: Për nismën tënde.

Arjan Ndoja: Për nismën e PS po flas. Ti nuk e ke në regjistër të veçantë. Sekretari i Kuvendit s'ka të drejtë pa na e çuar neve. Me 30 është paraqitr, me 31 ua ka çuar bashkive. ku e ka afatin 2-javor? Kërkoj ndërprerjen e mbledhjes. Kërkesat që kanë bërë ata njerëz atje jashtë, s’ka asgjë të keqe. Lidhur me kryetarët e bashkive, unë seancën dëgjimore e kisha në mbledhjen paraardhëse. Si vizitorë dhe dëgjues regjistrohen atje dhe futen. Nuk jam unë njeriu që urdhëroj të vijnë apo të mos vijnë vizitorë.