Kur kanë kaluar 45 ditë nga takimi me kryeministrin Edi Rama, banorët që preken nga projekti TID nuk kanë marrë ende informacion për fatin e banesave të tyre. Ndaj, këtë të enjte u rikthyen në protestë dhe tentuan të futen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por nuk u lejuan. Kësisoj, kërkesat i listuan në protestë, ku më kryesorja është ngritja e një komisioni hetimor për projektin TID.

"Këshilli Bashkiak së pari duhet të japë llogari, sepse është bërë dy herë kërkesë për krijimin e komisionit hetimor dhe në minutën e fundit tërhiqen një ose dy anëtarë. Ne do t'i bëjmë kërkesë anëtarëve direkt përse nuk e bëjnë të mundur krijimin e komisionit hetimor, pasi duhet të na japin mundësinë të shprehim të gjithë shqetësimet për projektin”, tha Entela Koja.

Ndërkohë që banorët protestonin, pyetjet e tyre u lexuan në sallë dhe përgjigjet i dhanë kryetarja e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi.

Nisma për krijimin e komisionit hetimor nuk ka mbështetje nga këshilltarët.

"Nisma është administruar, por numri i këshilltarëve mbështetës është më i ulët se minimumi i kërkuar nga rregullorja. 1/4 e këshilltarëve nuk plotësohet”, tha Denisa Luarasi.

Sakaq, numri dy i bashkisë hodhi poshtë pretendimet e banorëve për shkelje në lejen e zhvillimit.

"PPV-ja e Durrësit është aprovuar pa kaluar pranë Këshillit Bashkiak, siç e kërkon ligji. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore që organet po përpiqen ta fshehin”, tha Koja.

"Plani rregullues i zonës nuk ka nevojë për PDV të detajuar. Leja e zhvillimit jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe është e rregulluar me ligj. Nuk është e nevojshme hapja e PDV-së për këtë projekt”, tha Kallmi.

Kallmi thekson se ende nuk ka vendim për prishjen e objekteve.

"Nuk ka një vendim prishjeje për këto objekte. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar me njoftimin për lirimin vullnetar”, tha Kallmi.

Komisioni ndërinstitucional është ngritur me urdhër të kryeministrit dhe po shqyrton ankesat e banorëve.

“Përfshihen specialistë në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve. Ky grup po shqyrton çdo dokumentacion dhe çdo kërkesë të banorëve. Çdo dokumentacion është administruar dhe do të plotësohet nëse është e nevojshme”, tha Kallmi.

Çfarë është projekti TID dhe pse po kundërshtohet?

Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë edhe bulevardin “Epidamn”, një nga zonat më të vjetra dhe më të frekuentuara të qytetit.

Por ky projekt ka ngritur shqetësime të forta, pasi parashikon prishjen e dhjetra banesave dhe bizneseve private. Rreth 74 familje preken drejtpërdrejt nga shpronësimet, ndërsa fondi i akorduar për kompensim është rreth 315 milionë lekë.

Banorët pretendojnë se dëmshpërblimet janë shumë më të ulëta se çmimi i tregut, çka sipas tyre i lë pa mundësi për të blerë një banesë tjetër.

Projekti përfshin edhe ndërhyrje në zona të rëndësishme historike si amfiteatri, muret bizantine dhe zona pranë Torrës Veneciane, ndërsa parashikon edhe ndërtimin e hapësirave të reja publike dhe parkimeve.