VLORË -  Banorët e Nartës janë zgjuar të shqetësuar këtë të shtunë, pasi kanë mësuar krejt papritur se në zonën e mbrojtur të Zvërnecit do të hapet një pus për kërkimin e naftës. Ata thonë se nuk janë në dijeni të vendimit që ka marrë Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombetar i Territorit, dhe se nuk janë pyetur për diçka të tillë.
 
“Nuk jemi pyetur ndonjëherë si popull”, - shprehen ata.
 
Banorët e Nartës në Vlorë janë mbledhur në një takim-protestë në mbështetje të të cilëve kanë shkuar edhe kreu i departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit në PD Jamarbër Malltezi dhe ambientalisti Sazan Guri. Për disa banorë, politizimi i kësaj kauze nuk ka qenë aspak i mirëpritur. Ata i kanë rikujtuar Malltezit dhe Gurit protestat që kanë zhvilluar në kohën e qeverisë Berisha kundër ndërtimit të TEC-it në këtë zonë.
 
“Kur ne ziheshim me policinë e Sali Berishës për pengimin e TEC-it ju fshiheshit, tani na vini për mbrojtjen e gjirit të Vlorës. Nuk duhet të vini të bëni politikë këtu”, - thanë banorët.
 
Sipas tyre si Partia Socialiste edhe Partia Demokratike i bëjnë vetë ligjet.
 
Jamarbër Malltezi akuzoi qeverinë se e ka marrë vendimin në fshehtësi dhe kërkoi që të zbardhet projektligji.
 
“Qeveria shqiptare jep leje për puse nafte në Zvërnec gjë që nuk e dinë as banorët, as ne, as ambjenlalistët. I kërkojmë qeverisë të bëjë me dije projektligjin dhe nëse janë në rregull me ligjet e Konventës. U takova me anëtarët e këshillit bashkiak dhe ata nuk ishin në dijeni të këtij projektligji”, u shpreh Malltezi.
 
Ambientalisti Sazan Guri tha se është vënë në dijeni të këtij vendimi vetëm dy ditë më parë. Sipas tij, ndërtimi i një pusi nafte në këtë zonën kërcënon bujqësinë dhe peshkimin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
 
“Janë shkelur konventat ndërkombëtare. Qeveria nuk ka pyetur asnjë për shpim në këtë zonë. Është një zonë e mbrojtur nuk duhet të dëmtohet. Përpara dy ditësh e kemi marrë vesh këtë marrëveshje të firmosur nga qeveria, nuk e dimë se cila kompani do të shpojë, por nuk duhet lejuar pasi do te jetë dëm për vendin këtu, si në bujqësi edhe në peshkim”, tha Guri.

Ambjentalisti ka rrëfyer edhe një “pishman” të tij, kur mesa duket ka dëmtuar mjedisin në vitet ’87 kur si inxhinier ka hartuar projektin për ndërtimin e një pusi nafte në të njëjtën zonë që sot protestohet.
 
Nuk lejohet pasi është një zone e mbrojtur. Do prishte peshkimin dhe çdo gjallesë. Ndotja fle 80 vite në Gjirin e Vlorës pasi uji do 80-90 vite të qarkullojë. Është hera e dyte që tentohet të shpohet. Në 87-ën ka patur një pus për nxjerrjen e naftës, unë kam qene inxhiner në atë kohë që kemi projektuar por nuk ia dinim  rëndësinë mjedisit”, tha Guri.