TIRANE - Policia Bashkiake është përplasur me banorët në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, të cilët kundërshtojnë prishjen e një ndërtese që ishte në proces legalizimi, dhe që preket nga zgjerimi i rrugës.

Por pikërisht zgjerimi i kësaj rruge është problem për këta banorë, pasi “Faik Konica” me projektin e ri zgjerohet deri në 9 metra, ndërsa aktualisht është rrugicë që shërben vetëm për lagjen.

Deputeti Erjon Brace i drejtohet punonjësve të Policisë Bashkiake: "Hajde fol me banorët, pastaj merr vendimin. Pa pyetur banorët nuk bën dot asgjë".

“E para gjë që na ka thënë është që do të derdhi gjithë trafikun e bulevardit këtu, dhe ky është rrezik i madh për jetët e gjithë banorëve të kësaj lagje, fëmijëve, pleqve e te tjerë me radhë. Dhe në anën tjetër na ka thënë edhe një gjë, që kjo rrugë është në shërbim të komunitetit. Po si mund të jetë një rrugë me këtë trafik dhe me këto kushte rreziku, si mund të jetë kjo rrugë në shërbim të komunitetit? E dyta, të cilit komunitet? Se ne jemi komuniteti, dhe ne komuniteti nuk e duam këtë rrugë. As ja kemi kërkuar zotit Basha, as ja kemi kërkuar kryeministrit, as ja kemi kërkuar kërkujt këtë rrugë. Për mos hyrë pastaj te gjërat e tjera. 1 milion euro apo 1 milion dollarë për kaq rrugë, dmth vetëm këta dhe ata të kamzes e dinë se si do e vjedhin”, tha Braçe për mikrofonin e A1 REPORT.

“Isha unë pengesa kryesore. I kisha të gjitha letrat dhe nuk morën asgjë parasysh. Erdhën si kusarë, ditën e premte në darkë, ditën e shtunë e bën fakt. E shembën, deshën ta shembnin me gjithë plaçka brenda. E rrethuan të gjithë vendin sepse unë gjoja paskam qenë e gjithë pengesa për këtë rrugë. E shembën në mënyrë arbitrare. Ne jemi në proces gjyqësor. I kemi hedhur të gjitha këto se nuk na kanë sjellë asnjë letër. Do ta kërkojnë me anë të gjykatës”, shprehet banori i zonës.

Banorët kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen në këtë rrugë dhe kërkojnë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili është vetë banor i kësaj zone të ulet në bisedime me ta.

Banorët ankohen se Policia ka sjellë makineritë e rënda pa asnjë dokument për nisjen e punimeve. Ata shprehen të vendosur që të përdorin të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që rrugica e lagjes së tyre të mos kthehet në rrugë kryesore, e si rrjedhojë të përballet me të gjithë trafikun e bulevardit.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)