Bardhi…regjisori që iku nën
dritën e “Kandilit…” të Camajt

Bardhi…regjisori që iku nën<br />dritën e “Kandilit…” të Camajt
“Kënaqësia ime më e madhe është kur shoh të realizuara e të harmonizuara të gjitha komponentët e shfaqjes, siç janë: interpretimi, muzika, skenografia, ndriçimi….”
 
1.
Ajo është një rrugëz, si shumë të tilla që ka qyteti im, Shkodra. Mban emrin e dëshmorit ‘Nuri Bushati’. Është e lakadredhshme. Me mure të vjetra, që vijnë erë dheu, të lyera e të pa lyera me gëlqere. Vende-vend të riparueshme, në kohë. E, megjithatë, seç kanë një ngrohtësi që nuk e largojnë. Dashninë!.. Ato mure me lartësi avllie, të kujtojnë, menjëherë, tregimet plot drama jetësore e rrafshe artistike, të mrekullueshme të E. Koliqit. Sikur… sikur… të vjen të marrësh hov e t’i kapërcesh, e të hipësh në një kumbull; e të pyesësh, e të dish gjithë kurreshtje: “Çfarë ndodh matanë?!.. Çfarë..? Ç’është ajo botë?..”
     Ajo (kjo) është rrugëza që mban kujtime, fsheh kujtime dhe jeton (ende) me kujtime… Po deri kur?.. Rrugica i ruan me fanatizëm gjurmët e traditës. Por… ndien sesi pakuptuar kanë nisur të duken vende-vende “duart” herë të dukshme e herë të padukshme të bashkëkohësisë. Kjo bashkëjetesë është reale. Ndoshta është prirja për të thithur paksa frymë nga “fryma” e Pedonales (qendrës së qytetit). Ndoshta… ekzistenca e kësaj mënyre e “të jetuarit”, ndodh kur mungon arkitektura e vërtetë. Ndoshta…
     Çuditërisht, gjatë kësaj rrugice janë dëgjuar gugatjet e pëllumbave. Ajo bardhësi fatlume sikur… tani… mungon. Po janë dëgjuar edhe këngë gardalinash. Duket ndonjë për shenjë. Realisht lumturi e munguar.
     Po le të kthehemi tek ‘jeta’ e rrugicës. Tek e tashmja. Po të ndjekësh gjithë lakadredhjen e saj, do të vëresh edhe dyer të moçme, me dërrasa të vjetëruara e dalëboje që u vjen era molë. U jeton ende rezja, shpesh e ndryshkur, shpesh e kthyer në heshtje. Disa rezeve, krahas shenjës së tyre ikonore, u duken qosheve të mureve edhe ca fragmente shemasheku si një mall i harruar por që ende përvëlon kujtime gjelbërimi... Megjithatë, ato reze në përvujtninë e tyre ‘flasin’ e rrëfejnë në mënyrën e tyre, edhe sot…
     Po le të kthehemi, përsëri, tek ‘jeta’ e rrugicës. Tek e tashmja. Rrugica ‘jetën’ e bën sa drejt Pedonales, e sa drejt teatrit “Migjeni”. Në këtë të dytën, është një familje që jeton në këtë rrugicë, ku këtij institucioni kulturor i ka falur jetë nga jeta e tyre artistike. Dinasti që vazhdon. Kjo familje ka si “shenjë” qetësinë e saj të paqtë. E, qetësia “shëtit” vazhdimisht mbi murin e vjetëruar vende-vende, plot lagështirë ku duket (nxjerr krye) një palmë, një shegë, një limon, një portokall, një kumbull, një pjergull.. E në at’ qetësi të një paqeje të admirueshme “lulëzojnë” plot ëndrra të bukura me hapësira vlerash shkodrane, vlera - fisnikërie e qytetarie. Është kjo familje, e vetmja në këtë rrugicë, që mëngjesi, mesdita, pasdrekja, muzgu, pse jo dhe nata e gjen (e gjente) drejt teatrit “Migjeni”. Është shtëpia e tyre e dytë, ku ata hyjnë pa trokitur. Po, po pa trokitur!.. Është kjo familje që  “mirëmëngjesin”, të parit (si një ditë përditë)  ia urojnë këtij Institucioni të artit skenik me emrin lavdimadh: Migjeni. Sepse me teatrin kanë lidhur fatin, dashurinë, emocionin, talentin, ëndrrën dhe… shumëçka kanë lidhur.
     Rrugicë që mbart dhe fikson përjetësisht gjurmët e kësaj familje artdashëse! Rrugicë... Dhe … ndalem para një një dere. E njoh mirë. Më fal kujtime! Kujtimet më përqafojnë. Më fal magji arti! Ajo derë, edhe me heshtjen e saj më flet e më tregon… Më rrëfen… Hyj ngadalë. Pa trazuar askënd. Edhe oborri plot me lule më ngjan si i heshtur. Po ashtu edhe shtëpia pakëz e moçme, më duket se rri e menduar. Te kjo shtëpi karakteristike, në këtë oborr me lule shumëngjyrëshe jeton familja ‘Smaja’, një familje e nderuar qytetare dhe intelektuale shkodrane.
     Këtu lindi babai i Bardhit, artisti i talentuar i humorit shkodran, që nuk i mungonte buzëqeshja, Hasan Smaja. Një kupletist famëmadh. Shtëpia e tij – teatri “Migjeni”. Këtu, do të vinte nuse Lejlaja, një grua tipike shkodrane, që edhe heshtja i fliste. Nazike. Buzëqeshja kurrë s’i mungonte. E ditur në profesionin e saj të librares. Jetonte mes librave. Fat për librat!..
     Pas shumë vitesh, këtu, në këtë shtëpi do të vinte nuse nga larg, nga Berati, Merita, një aktore e talentuar, që u dha jetë plot personazheve, me interpretimin e saj. Shtëpia e saj, përsëri, teatri “Migjeni”.Pas disa viteve këtu do të lindnin Fisniku, që më vonë do të mbaronte për regji filmi, e Sara që do të mbaronte Universitetin e Arteve dhe do të bëhej aktore dhe regjisore. Sara… që do të ndiqte rrugën e gjyshit, të prindërve…, me shkëlqimin e saj rinor e plot jetë një ditë do të ishte e pranishme në skenën e teatrit “Migjeni”. -  Shtëpia e saj: si e gjyshit, si e prindërve: teatri “Migjeni”. E, gjatë një interviste Bardhi do të thoshte: “Jam shumë i lidhur me teatrin. Unë pothuajse jam rritur në teatër. Babai im Hasan Smaja, aktor i estradës dhe prestixhator ka punuar për shumë vite aty. Kur u diplomova, erdha si aktor. Por aty kam edhe bashkëshorten time Merita Smajën, edhe ajo aktore. Më pas, ndoshta, do vijë dhe vajza Sara, e cila vazhdon Akademinë e Arteve për aktrim. (Në fakt, pas disa vitesh, ajo erdhi…).”
     Në këtë shtëpi, me 02.09.1956 lindi Fatbardh Hasan Smaja. Lindi Fatbardh, por miqtë, shokët, dashamirët nëpër vite dhe deri në çastin e fundit të jetës, e thërrisnin: Bardh (i)!.. I bardhë në emër, i bardhë në jetë, i bardhë në skenë!.. Edhe Bardhi nuk e “tradhtoi” rrugën e artit. Ndoqi hapat e babait. Dhe… një ditë u bë aktor, më vonë regjisor i teatrit “Migjeni”.
 – Tek Shtëpia e tij, tashmë, e njohur!..
     I ndalur para një dere, bëj të trokas dhe hyj pa trokitur… E çuditshme por e vërtetë, që në hapin e parë… të shfaqet e të bashkëshoqëron tradita e mikpritjes dhe e buzëqeshjes… Padyshim merita i takon Merita Smajës, zonjës së shtëpisë...
    
2.
     … një nga një filluan “të trokisnin” vitet e rritjes së moshës. Dhe… një ditë Bardhi me at’ zërin e tij melodik si një poezi e pambaruar, tha: “Tani…, lamtumirë fëmijëri!” E ftonte Shkolla Artistike “Prenkë Jakova”, ku kreu 12 vite për instrument (klarinetë). Në këtë copëz jete, bota e Bardhit djaloshar u mbush me tinguj, ku asnjëherë nuk i mbajti për vete, por me interpretimin e tij të suksesshëm i fali: në mjedise shkollore, në koncerte brenda dhe jashtë Atdheut, në festa të ndryshme, në gëzime familjare të shkodranëve e më gjerë e më gjerë… ‘Magjia’ e klarinetës së Smajës nuk ishte e vështirë të njihej në formacionin muzikor ku bënte pjesë. Ishte pjesë e talentit si muzikant, të cilën do ta dashuronte tërë jetën. Më pas, diplomohet  në Universitetin e Arteve, (në degën e aktrimit) Tiranë. Kështu… vit pas viti nisën udhëtimet copëzat e jetës së Bardh Smajës. Në vitet 1980 – 1999 – aktor e regjisor në teatrin “Migjeni”, në vitet 1998 – 1999 – Drejtor i televizionit “Shkodra TVl”, në vitet 1992 – 2002 – Drejtor në radio Shkodra, në vitet 2002 – 2008 – aktor e regjisor në teatrin e Vendlindjes, në vitet 2008 – 2015 – regjisor, në vitin 2015 e deri sa u nda nga kjo botë, ishte Drejtor e regjisor i këtij teatri. Edhe pse ishte drejtues i këtij institucioni, kohën e jetës së tij, orët, minutat e sekondat ia fali me gjithë shpirt dramës “Kandili i argjendit” të autorit shkodran Martin Camaj. Po e thërriste nga harrimi për ta përjetësuar në skenën e teatrit të “Shkodrës seme” – siç thoshte në një poezi Camaj. Po e thërriste për t’i thënë jetë skenike, për t’i dhënë magjinë, që di ta japë veç Teatri… e Teatri Shkodran. Plot sakrifica, plot dhembje, plot dashuri, plot minutapak, plot ëndrra e ikje ëndrrash… e vuri në skenë në mënyrë dinjitoze, si një amanet të fundit. Të paktë janë regjisorët e kësaj natyre, ku regjisori pak nga pak i jep jetë dramës në skenë, dhe… si pakuptuar i është ofruar qefini i vdekjes. Por Bardhi, edhe në këto momente dramatike i buzëqeshte bardhësisë së emrit të tij.
E vuri në skenë… E kreu amanetin… E, “Kandili i argjendit” i Camajt do ta dritësonte e do ta hijeshonte parreshtur artin e talentin e regjisorit Bardh Smaja. “Kandili…” me ngjyrën më të bukur të hënës qiellore. Përjetësisht!...
     
3.
Intervistë nëpër vite… (1)
Bardhi: “Dalja ime e parë ka qenë me një trupë amatore. Aty erdhi regjisori Elez Kadria për të vënë në skenë dramën “Përmbytja e madhe”. Unë kisha rolin e Gjergjit. Shfaqja u pëlqye, po ashtu edhe interpretimi im.. Nisur nga kjo shfaqje, Elez Kadria (tani nuk jeton më, - shënimi im Xh. B.) ishte ai që më futi në mendje se unë mund të shkoja për aktrim, pasi kisha një zë të bukur dhe talent… Sepse unë isha muzikant dhe, nuk e kisha çuar në mendje një gjë të tillë. Më pas, unë shkova për aktrim e, rolet erdhën njëri pas tjetrit nëpër vite.”
 
Intervistë nëpër vite… (2)
Bardhi: “Librin e kam shok. Më ndihmon të kaloj çaste të vështira. Me librin lidh kujtimin e babës. Atë e mbaj mend gjithmonë me libra në dorë. Gjatë gjithë kohës lexonte. Unë atëhere habitesha. Më vonë kuptova magjinë e tij (të librit). E, për më tepër kisha dhe nënën që shiste libra (librare). Ajo na sillte gjithë letërsinë më të mirë botërore. Sot vazhdoj sërish të lexoj shumë. Por bashkëshorten e kam manjake të librit. Shpesh i them me të qeshur: “Nëse ndonjë ditë bie tërmet, ne do të na mbysin librat, se i ka shpërndarë gjithkund nëpër dhomë.”
 
4.
Po të ndjekim me kujdes aktivitetin teatror, si në dramaturgjinë shqiptare, ashtu edhe  në dramaturgjinë e huaj; Bardhi la në ‘testamentin’ e tij mbi 50 role si aktor. E nisi me rolin e Palit në dramën “Gjaku i Arbërit” të autorit Fadil Kraja, për të vazhduar me një recital poetik për Migjenin, ku recitoi poezinë: “Urim për vitin 1937”. (E donte Migjenin!.. E donte aq shumë, sa 70 % të poezive të këtij kolosi, i dinte përmendsh.) Më tej. Interpretoi rolin kryesor në dramën “Hetimi” të shkrimtarit Peter Vajs, e cila ishte përshtatur e inskenuar nga regjisori Serafin Fanko. Më tej. Bardhi shkruan në kujtimet e tij: “… por roli më i dashur imi është ai që kam luajtur në dramën “Korrupsion në pallatin e drejtësisë” të shkrimtarit Ugo Beti.” Më tej. “Fundi i një gjakmarrjeje”, “Fejesa e Blertës” (të xhiruara në vitin 1994), “Ngjyrat e moshës”, “Sa afër paska kenë!?..”, “Tregim për Makbetin”, “Drinner Party”, “Britma e kohës”, etj.

Nga viti në vit, krahas fushës së aktrimit, regjisura kishte filluar të bëhej ‘shumë e dashur’e dashur për Bardhin. Si pakuptuar, ajo po i hynte në “racion” aktorit Bardh Smaja. Tani skena teatrore priste ngjyrat dhe dritën e regjisorit Bardh Smaja. Po priste ajo, platformat e tij regjisoriale, konceptet estetike, vështrimet ndaj veprave dramaturgjike, punën me aktorët, mizanskenat, dekoret, etj., etj. Se Bardhi, qysh në vitet studentore, artin e interpretimit ia kishin mësuar Profesorët Timo Flloko, Vangjush Furrxhi, etj. E, në këto vite, Bardhit nuk i ndahej magjia e Kadri Roshit, Sandër Prosit e Tinka Kurtit. Se Bardhi kishte një dashuri të kahmotshme për muzikën, ndërkohë që merrej me pikturë. Se Bardhi mendonte që muzikën, pikturën dhe interpretimin t’i bënte bashkë, të bënte pra, një sintezë të tyre gjatë inskenimit të teksteve dramaturgjike. Se Bardhi kishte një humor të veçantë. E kishte si ushqim të përditshëm. Kur i pëlqente humori, çonte kokën dhe buzëqeshte, i shkëlqenin sytë dhe e shoqëronte me gishtin e tij tregues si për të thënë: “Ah, po!..” – dhe tundte kokën herë pas here, duke e shoqëruar ritmin e saj me të qeshura çlirëse e kumbuese. Mbase në atë pëlqim humori, sikur… nga larg, plot mall vinte nga vitet një dritëz nga i ati, Hasani që, siç e thamë, e kishte pasur aktor humori me nam dhe brez i parë artistësh në trupën e estradës së Shkodrës. Ja, pra, me një përgatitje të tillë, me një kulturë që do ta thellonte në të ardhmen, po i hynte kësaj rruge të vështirë, që kishte emrin: REGJISURË. Ky emër nisi të merrte ‘jetë’, veçanërisht pas viteve ’90. Nisi me komedinë “Për një L.” të autorit Ismet Drishti. (Ishte viti 1996). Komedia përkonte me një periudhë shumë të vështirë për teatrin.
 
Bardhi, në rrugën e nisur, herë pas here “takohej” me metodologjitë e konceptet e regjisorëve: Esat Oktrova, Serafin Fanko, Elez Kadria, Violeta Sekuj, etj. Por Bardhi po vinte me një profil që kishte të përveçmen e tij, po ashtu dhe ngjyrat e tij regjisoriale. Po vinte një regjisor, ku si aktor i përkiste një brezi, i cili u përball me periudha të vështira të realitetit shqiptar. Por këto vështirësi nuk e stepën. Dashurinë dhe pasionin për artin nuk ia lëkundën askush. Përkundrazi, në vite, ai zgjeroi rrënjët drejt artit. Po përmendim disa pjesë nga punët e tij si regjisor: *“Vizita e fundit” (autori: Albri Brahusha, 1999), “Ishulli i Shitenit” (autori: Albri Brahusha, 2001) –Festivali alternative ndërkombëtar “Skampa” Elbasan-, *”Le ultime lune”, “Luaj për mua në violinë” (autori: Gazmend Krasniqi) –Festivali mbarëkombëtar i interpretimit “Bylis” Fier-, *”Vizita e fundit” (tragjikomedi, autor: Albri Brahusha) – Festivali ballkanik i komedisë në Korçë, Festivali mbarëkombëtar në Preshevë, Festivali kombëtar i dramës shqipe në Tiranë. Kjo pjesë i dha dhe trofeun si “Regjisori më i mirë”. (Në shtypin e atyre viteve (2003), në një shkrim me titull: “”Migjeni”, 3 çmime në Kosovë”, lexojmë: -Tragji-komedia “Vizita e fundit” e shkrimtarit të talentuar shkodran Albri Brahusha, ishte shfaqja më e goditur dhe më e suksesshmja e turneut. Kjo pjesë solli edhe marrjen e 3 çmimeve: loja më e mirë homogjene; regjia më e mirë (Fatbardh Smaja); aktorja më e mirë (Merita Smaja)).
 
Por hapësirat regjisoriale të Bardhit rriteshin nga njëra shfaqje në tjetrën, teksa i vinte ato në skenë. Përherë i palodhur, përherë aktiv. Mbronte metodologjinë dhe filozofinë e tij. Shumë herë e kam pare ‘të shqetësuar’ për pjesën që do vinte në skenë, Këtë ‘shqetësim’ e përcillte edhe atëhere kur me të shoqen Meritën e miqtë e tij pinte kafenë mbrëmjeve atje te “Tullat e kuqe”. Për të plotësuar më tej portretin e tij, por përmendim edhe këto pjesë që mbajnë emrin e regjisorit Smaja, si: “Talent i rrallë”, “Neni 55”, “Rreth e rreth Shkodrës jam sjellë”, “Eldorado”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I sëmuri për mend”, “Zeneli”, “Rëndësia e të qenurit I sinqertë”, “Hyr fjalë nga dole (autori: Gëzim Kruja), “Miqtë e Tanos”, etj.

Në punën e tij regjisoriale, Bardhi ishte prirur që në marrëdhënie me aktorin t’i gjente atij gjuhën, të veçantën. Në vend të pasionit të orientohej drejt aktrimit, drejt realizimit të personazhit që do të interpretonte. E, përsëri në kujtimet e tij, Bardhi thoshte: “Kënaqësia ime më e madhe është kur shoh të realizuara e të harmonizuara të gjitha komponentët e shfaqjes, siç janë: interpretimi, muzika, skenografia, ndriçimi.”
 
Veprat e vëna në skenë në teatrin e Vendlindjes dhe jashtë tij, në Kosovë e më gjerë; nuk i kanë shpëtuar dhe studiuesve apo kritikëve të dramës. Duke folur për tragjikomedinë “Vizita e fundit” ose fundi i një alkimie, studiuesi Sokol Haliti, duke e cilësuar atë si një shfaqje provokuese, gazmore e tragjike, në mes të tjerave thotë: “Detajet regjisoriale të regjisorit Farbardh Smaja ishin të shkëlqyeshme, ku me një thjeshtësi mizanskenike përpunohej një material dramaturgjik i servirur nga shkrimtari Albri Brahusha”.

Po piketat e Bardhit si regjisor, cilat ishin për këtë pjesë? Po përmendim disa prej tyre: *Çdo të ndodhë sikur një “shoqëri”: Të kërkojë me çdo kusht të veçojë individin? Ta persekutojë atë, ta shmangë qëllimisht, duke e shkatërruar. *Kush ka përgjegjësinë për këtë dëm kolosal që u shkaktohet njerëzve? Kush do ta çojë në vend të drejtën, njeriun dhe shoqërinë?.. *Sa dëshirohet të respektohet ana e dukshme dhe e padukshme e raportit midis vlerës dhe antivlerës, në një proces shoqëror të paekuilibruar, ku kakofonia (profania) mund të bëhet dominante, duke u shndërruar, kështu, në një banalitet total, dhe… ku mediokriteti  kthehet në virtyt.

Dhe në fund shënimi regjisorial: “Vizita e fundit” e dramatugut të talentuar Albri Brahusha është një vepër e deheroizimit, mospajtuese me himnizimin e të rëndomtës artificiale, ku një shoqëri e goditur nga fatkeqësitë, nuk arrin të zgjidhë përfundimisht konfliktin me veten dhe të tjerët.”

Ndërsa Albri kujton: “Bardhi, ishte një derë e hapur për të gjithë. E njoha sapo ishte kthyer nga ShBA, ku debutonte në orkestër si klarinetist. Sikur të ishim njohur gjithmonë, kushedi ku. U bëmë miq shumë shpejt dhe, pas një viti takimesh intensive rezultati ishte “Vizita e fundit”, një tekst që unë shkruajta por ishte Bardhi që më udhëzoi, ishte mësuesi, udhërrëfyesi. Suksesi nuk vonoi në 1999 ky tekst u vu në skenë në teatrin “Migjeni” prej tij dhe jehona i kaloi kufinjtë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Pas kësaj nuk u ndamë më. Ishim një duet miqsh dhe artistësh që nuk mund të rrinim pa njeri-tjetrin. “Ishulli i Shitenit” erdhi pastaj. Tani vonë Bardhi dhe Merita që e kishin filmimin kësaj pjese, e kujtonin me nostagji “Ishullin…”, si një teatër me nota mistike e poetike. Bardhi ishte poet, i pëlqente letërsia e gjallë, ishte shumë fin në shijet e tij, nuk " hante" çdo lloj letërsie. Më pas u shkëputëm. Unë jetova 12 vite larg Shkodrës. E ruajtëm miqësinë. Kur u riktheva sërish në vitin 2012 intensifikuam takimet tona të zakonshme. Vuri në skenë “Eldoradon” në 2014, një komedi që e kishim projekt që në vitin 2002. Humori i tij në tavolinë dhe në skenë, inteligjencia, bujaria, aftësia për të të dëgjuar me vëmendje, aftësia prej vëzhguesi, interpretimi gjallë i historive pa fund, imagjinata dhe lakonizmi, etj. – këto cilësi e veçori do t’i mbaj mend gjatë. Artisti i vërtetë dallon nga kallpët pikërisht se ka sens mase, nuk e tepron nuk harxhon energji të tepërt. Vështirë të tregoj atë që kam në zemër për të në kaq pak rreshta. Unë e kam të gjallë, nganjëherë kur më merr malli e thërras e më vjen me buzëqeshjen e tij të bukur e më thotë: "Ke pasë të drejtë, njeriu ka frikë jetën, por jo përjetësinë." I them: "O mik i rrallë, do ta jepja gjysmën e përjetësisë për të biseduar edhe një ditë me ty në këtë jetë."

“Luaj me mua në violinë” shënon arritjen e radhës për trupën shkodrane. Pas prezantimit në qytetin e Shkodrës (29.11.2003), sikur u ka kujtuar të gjithëve se traditat teatrore shkodrane nuk shlyhen kollaj. I përgjigjen realitetit. Dhe kështu ndodhi… Autori i kësaj pjese shkrimtari dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, përmes notave dramatiko-tragjike solli edhe një herë të freskëta problemet e mëdha sociale dhe psikologjike, në të cilën po kalonte familja e tronditur shqiptare.

Shënime regjisoriale: “Jam shumë i lumtur që jam pikërisht regjisor i kësaj drame kaq domethënëse, kaq sinjifikative, kaq prekëse dhe, që është bërë pjesë e jetës sonë të përditëshme. Një dramë moderne. E ndërtuar në lojën e dy aktorëve. “U përballa” me të dhe “bisedova” përmes një eksperience 20-vjeçare si aktor dhe 10-vjeçare si regjisor. Dy aktorët (Arben Spahia dhe Merita Smaja) vetëm me anë të dialogjeve dhe monologjeve, kanë sjellë në skenë larminë e personazheve të tjera, njësoj si të ishte skena plot. Mendoj se, poetika e tekstit dhe magjia e teatrit transmetuan për spektatorin mesazhe dhe emocione të veçanta. Shfaqja përshkohet nga lëvizje, fjalë, gjeste që variojojnë nga çmenduria në një hipokondri të thellë brenda një hapësire vetburgimi, mbushur me libra e fletë të shkapërdara, me shishe alkooli e molla gjysmë të kalbura e gjysmë të kafshuara.”

Mendime të spektatorëve: *Dramë e besueshme dhe e ndjerë. *Lojë e bukur, aspak e mërzitshme. *Një dramë që i bënte një analizë të thellë problemeve sociale dhe psikologjike në familje dhe, pikërisht në një familje artistësh. *Violina ishte një detaj i bukur në dramë.

Përsëri shënime regjisoriale: “Deri tash në teatrin “Migjeni” kam vënë 6 vepra dramaturgjike. (Është viti 2000.) Kujtoj se nga të gjitha shfaqjet, më e mira është “Vizita e fundit” e shkrimtarit Albri Brahusha, me të cilin erdhëm edhe para publikut prishtinas. Siç duket akumulimi im artistik u shpreh pikërisht në këtë realizim artistik. … Se teatri duhet të ecë me këmbët e veta e jo të presim gjithçka nga shteti. Se… nëse nuk lëvizim, atëhere do të mbesim pa teatër. E kjo s’bën të ndodhë duke ditur se kemi potenciale të mëdha aktorësh e regjisorësh.”

Dhe vitet kalojnë… Emri i regjisorit Bardh Smaja bëhet më i dukshëm, më i pranishëm në jetën e teatrit shqiptar. Emri i tij shoqërohet me platforma interesante dramaturgjike. Rrezëllin vështrimi i një regjisori kërkues, i pakënaqur nga vetvetja.

Dhe një fakt, nga një shkrim gazete. “Në kuadrin e prezantimit të ‘Javës se Kulturës Shkodrane’ në Ferizaj (Kosovë)… trupa e dramës “Migjeni” u paraqit me komedinë “Hyr fjalë nga dole”, tekst i aktorit humorist Gëzim Kruja, i mbindërtuar sipas motiveve të Kristo Floqit. (regjisor Fatbardh Smaja). Autori i tekstit të komedisë “Hyn fjalë nga dole”, Gëzim Kruja (Artist i Merituar), ka ruajtur subjektin dramatik të Floqit, por njëkohësisht ka arritur që të ndërtojë thuaja një konflikt të ri dhe dinamik dhe risemantizues tekstual, bazë kjo shumë e mirë për regjisorin Smaja, i cili me një trupë teatrore siç është “Migjeni”, nuk e pati shumë të vështirë për të dhënë një mesazh tepër të qartë artistik, që komunikon në mënyrë të shkëlqyeshme në kohën e tashme, kur shoqëria shqiptare në përgjithësi (andej e këndej kufirit), duke qenë në kapërcyell të tranzicionit, karakterizohet me njerëz që për zot kanë shpallur interesin, vrapin për pasurim të menjëhershëm, smirën, xhelozinë dhe luftën e bërrylave, duke harruar të mirën dhe çdo virtyt tjetër të njerëzishmes.”

Kurse kritiku Zija Vukaj duke e quajtur dramën “Hana e janarit” (autori: Lisandri Kola, 2013) – një kërkim zanafillor i teatrit antik ndalet në konceptin dhe risitë që solli regjisori Smaja në punën e tij regjisoriale. “Zgjidhjet regjisoriale intuitive dhe inteligjente, kanë sjellë risi gati të pazakontë për spektatorin. Së pari, kemi lojën me objekte skenike. Konkretisht, janë tri objekte kyçe që fantazia e regjisorit Smaja i ka bërë determinuese për fatet e dramës. Shalli që vjen si dhuratë, varet dhe rri pezull gjatë gjithë dramës si një parashenjë e padeshifrueshme, që përbën në finale një nga kyçet më të rëndësishme të simbolikës kompozicionale. Së dyti, imazhi i femrës enigmatike, që sodit nga përtejbota ironinë e fateve njerëzore: të sajin dhe të atyre që janë në këtë botë, por tashmë të gatshëm për të vdekur shpirtërisht dhe së treti, statuetat në sfond,  mishërim i indiferencës njerëzore, i asaj pjese të shoqërisë që i kundron dramat e individit, në mos me cinizëm, me ftohtësinë e një spektatori të ftohtë e të pamëshirshëm.”

Në përmbyllje të këtyre këndvështrimeve, me të drejtë studiuesi Naser Shatrolli, siç duket se i ka ndjekur si me “qerpik të syrit” shfaqjet e regjinë e Bardh Smajës, arrin në këto përfundime, që mendojmë, se janë esenca e këtij profili regjisorial: “Bardh Smaja sendërton një model dramatik në shfaqje duke gërshetuar korelacione zhanresh, teatri verbal dhe figura, ku në qendër është stili i tij, pastaj dizajni grafik i tablosë, rrjedhimisht sendërtohet në frymë artesh pamore dhe filmike duke i vendosur personazhet  në plane, dhe mendësia muzikore shtjellohet si “sikur” dramaturgjik – jemi në shfaqje, bëjmë teatër – shkruajmë teatër, këto janë gjetje – “bilur” ideor, të cilën, autori rrjedhën historike, të bëmat që ndodhin aty për aty, i formatizon në mister dramaturgjik. … E kam njohur nga afër regjisorin Bardh Smaja. Ishte brenda apotekës së vet. Pasuria e tij, nëntoka e tij kulturore ishte shumëllojshmëri ‘ilaçesh’, të cilat i ka përdorur arsyeshëm dhe bindshëm në shfaqje, situata, rrethana, dhe përecje skenike. … Pra, regjisori (Bardhi) para së gjithash dinte e nuhaste organisht dramaturgjinë, ishte njohës praktik i regjisë, aktrimit, muzikës, me këtë epitet ai ka rezonuar përgjatë dyzet vitesh jetë në teatër.”
 
5.
Askush nuk e mendonte se, puna e fundit artistike e Bardhit do të ishte drama “Kandili  i argjandit” të autorit Martin Camaj. Siç thotë artikullshkruesi Ndoj Mëhilli: “… Me rastin e 90-të vjetorit të lindjes, mbërrin në skenën e Teatrit Migjeni të Shkodrës i madhi Martin Camaj me dramën “Kandili i argjandit”, e cila u vu në skenë , nga regjisori Bardh Smaja, i cili duhet të përgëzohet për iniciativën e guximshme, pasi vendosja në skenë e dramave të autorëve shqiptarë është parë me mëdyshje gjatë kësaj dekade nga regjisorët tanë. … Mjerisht, më duhet ta mbyll këtë artikull me zymtësinë e vdekjes së parakohshme të mikut tim dhe të mikut të një pjese të mirë të shkodranëve, regjisorit Bardh Smaja, i cili e mbylli karrierën e tij si regjisor, pikërisht me vendosjen e dramës “Kandili i argjandit” të Martin Camajt. … Shpirti i tij pushoftë në paqe!” (Gazeta shqiptare, 13 dhjetor 2015.).
    
6.
Një dramë luhej në skenën e teatrit “Migjeni”. Një tjetër dramë luante, kësaj radhe i vetëm regjisori Smaja, në një nga pavijonet e spitalit në Tiranë. Një dramë, - sa në emër të Jetës, sa në emër të Vdekjes. Dhe ditët që vinin i kishin mëngjeset të zymta, të idhëta, të pashpresa. Vinin me një diell të mrrolur, me një zbehtësi bojëverdhe. Nuk dëgjohej asnjë zë, asnjë çapitje. Dikush… E paftuara po vinte… Hëna ishte zëvendësuar në kandil të argjendtë. Kandili i argjandtë-hënë i qëndronte mbi krye. Krahas dritës së verdhë që lëshonte, lutej… Jo më shumë se një grua (Merita) që, e mbushur në det lotësh, lehtazi përmes lotëve, pëshpëriste : - Përjetësinë e Artit. Dhe ja sesi: “Një vit më parë buzëqeshja ime ishte diellore se të shihja ty... E Ti doje vetëm të më bëje foto… Sikur nuk ngopeshe me mu… E unë shpesh doja të isha serioze…, ndërsa Ti më thoshe vetëm qesh se, unë du të marr me vete shpirtin tand... që gjindet në buzëqeshjen tande... E, tani, unë s’e kam ma, se nuk kam Muzën time…”
     Një javë më parë miku im Bardh, na ftove të gjithëve në teatër, për të parë “Kandilin…” që ti e kishe ndezur vetë, por nuk ishe aty për të parë ndriçimin e tij. Atë natë ai “Kandil…” na ndriçoi të gjithëve, si çdo vepër tjetër që ti na e paraqite gjatë gjithë jetës tënde…
 
7.
Të gjithë do ta kujtojmë Bardhin, që në at’ fillim nëntori (07.11.2015), u shtrua në spital në natën e premierës së dramës “Kandili i argjandit”. Do ta kujtojmë… se ndërroi jetë në pranverën e tij të 59-të, duke lënë pas shpirtin e tij fisnik e të madh artistik.
Pata rast ta njihja Bardhin. E kisha Drejtor në radio Shkodra, në vitet 1992 - 2002. E kujtoj, si tani ditën e parë të prezantimit të tij: “Mos më thërrisni drejtor, jam thjesht: - Bardhi.” Vërtet ishte i bardhë e fliste pak. Nuk duronte lëvdata. Ishin të huaja për të. Ishte i thjeshtë dhe i qetë. Sytë e tij nuk krijonin dallgë zemërimi. Përmbajtësia dhe buzëqeshja ishte dy elemente që komunikonte me cilindo. Të përcillte me dashamirësi dhe mirësi. E urrente ligësinë e fjalën e veshit, letrat anonime. Kaq i thjeshtë ishte sa edhe Thjeshtësisë i vinte “turp” nga Bardhi. Kaq i urtë dhe modest ishte sa edhe Urtësisë e Modestisë u vinte “turp” nga Bardhi.
Të gjithë do ta kujtojmë Bardhin… që ëndrrave të jetës donte t’u shtonte një buqetë ëndrrash të bukura, ditëmira!.. Dhe ja se çfarë shkruan Besarti: “Mbrëmë pasi të gjithë ishin larguar kalova rastësisht nga teatri, edhe dukej sikur në madhështinë e tij vajtonte ikjen tënde. Teatri është përballur edhe herë të tjera me humbje të mëdha, po kjo e jotja e ka gjunjëzuar e rraskapitur, sepse bashkë me trupin tënd, atij i iku një regjisor, një aktor, një muzikant, një drejtor… Nuk po të them lamtumirë se lamtumirat thuhen pas ndarjeve të përgjithmonshme por…, Mirupafshim i bardhi Bardh Smaja…”
Dhe mirë u takofshim në 60-vjetorin tënd!.. Jam i sigurt që do të jetë një Vjeshtë e dhimbshme, e trishtuar, sypërlotur, me një bukuri të veçantë. E verdha do të jetë e pranishme. Ngjyra e ‘Kandilit të argjandtë’.
Vjeshta (si çdo ardhje vjeshte) për ty, ashtu si edhe për miqtë e tu, është një vazhdim bisede që diku është ndërprerë, por që nuk mund të ndërpritet…
Vjeshta (si çdo ardhje vjeshte)  do të dhurojë lule nderimi dhe kurora mirënjohjeje, lule lavdie dhe kurora respekti.
Mirë u takofshim !..
 
Shkodër, shtator 2016.
 
Literatura e shfrytëzuar:
1.Shkrimi: “Më në fund Martin Camaj mbërrin edhe në teatër”, autor: Ndoj Mëhilli, “Gazeta shqiptare”, 13.12.2015.
2.(Letër në redaksi) “Për të bardhin Bardh Smaja…”, “Dita”, 09.11.2015.
3.Shkrimi: “Sëmundja mposht Fatbardh Smajën, regjisorin shkodran”, autor: Senad Nikshiqi, “Panorama”, 08.11.2015.
4.Shkrimi: “Mos e rrëzoni Teatrin e Kombit tim – Fatbardh Smaja!”, autor: Naser Shatolli, “MAPO”, 22.12.2015.
5.Shkrimi: “Një kërkim zanafillor i teatrit antik” (“Hana e janarit”, autor: Lisandri Kola, regjisor: Fatbardh Smaja), autor: Zija Vukaj, “Standart”, 02.10.2013.
6.Shkrimi: “Fatbardh Smaja: Artistët duhen vlerësuar sa janë gjallë”, “Intervista”, autore: Lisana Subashi.
7.Shkrimi: “Kapelja…”, premierë e re e teatrit “Migjeni”.
8.Shkrimi: “Vizita e fundit” ose fundi i një alkimie”, autor: Sokol Haliti, “Gazeta shqiptare”, 17.12.2005.
9.Shkrimi: “Kultura shkodrane piedestal në Kosovë”, autor: Ritvan Dibra (gazetar), “Panorama”, 17.06.2004.
10.Shkrimi: “Migjeni” korr suksese në Fier”, autore: Aurora Hajdini, “Panorama”, 28.05.2004.
11.Shkrimi: “Artistët shkodranë duartrokiten në skenën e Fierit” (vazhdon Festivali i aktrimit “Apoloni 2004”).
12.Shkrimi: “Migjeni”, 3 çmime në Kosovë, autor: Ritvan Dibra (gazetar), “Panorama”, 16.10.2003.
13.Shkrimi: (Bisedë me regjisorin Bardh Smaja) “Dramaturgjia është në krizë, po jo pa shtegdalje”, bisedoi: Shefqet Rexhepi, “Rilindja”, 26.05.2000.
14.Shkrimi: “Fatbardh Smaja : “Big Brodher Shkodra”, realiteti i momentit”, autore: Esmeralda Dodaj, “InfoPlus”.
15.Shkrimi: “Gëzim Kruja, legjenda e humorit shqiptar, që spektatorët i bën të qeshin dhe të qajnë…”, autor: Xheladin Rexhepi.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë