Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit në Parlamentin Europian, është shprehur se në Shqipëri është zhbërë shteti ligjor.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi përmendi rastin ‘Balluku’ si shembullin se shteti ligjor në Shqipëri nuk funksionon.

“Kur SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për të vijuar procedurat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, shumica parlamentare përdori votën si mburojë politike. Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin.

Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit? Rasti Balluku nuk ishte vetëm një debat i brendshëm politik. Ai ekspozoi një problem që sot është reflektuar edhe në kriteret (benchmarks) e Bashkimit Europian për mbylljen e Grupkapitullit të Themeloreve: nevojën që ekzekutivi dhe legjislativi të mos ndërhyjnë në drejtësi dhe që vendimet për imunitetin të udhëhiqen nga standardet e Komisionit të Venecias”, tha mes të tjerash Bardhi.

Më pas Bardhi foli edhe për krimin e organizuar, ndikimin e tij në shoqëri dhe lidhjet me pushtetarët.

“Dy nga urdhër-arrestet më të rëndësishme për krimin e organizuar në Shqipëri, ai ndaj drejtuesit të bandës së Elbasanit dhe ai ndaj personit që konsiderohej koordinatori jozyrtar i Kryeministrit, mbeten ende të paekzekutuara. Vendndodhja e tyre është prej kohësh sekret publik në zemër të Shqipërisë, por policia nuk i gjen. Kjo është e vështirë të shpjegohet me mungesë informacioni. Ajo ushqen bindjen se ligji ndalet aty ku fillon interesi politik i pushtetit”, shtoi Bardhi.


Lajmi kryesor:

S’ka konsensus mes PS e PD për rezolutën e përbashkët me PE! Opozita: Mazhoranca refuzoi amendamentet tona! Socialistët: Mohuat arritjet e vendit, iu bindët Saliut!