Partia Demokratike e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe në interes të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Në një deklaratë të postuar të hënën, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se qëndrimi i presidentit ukrainas bie ndesh me vendimet historike të NATO-s, me të drejtën ndërkombëtare dhe me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që, sipas tij, kanë sanksionuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

"Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Zelenski deklaroi se nuk do njihte shtetin e pavarur të Kosovës madje më qartë, shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës! Me keqardhje deklarojmë se kjo deklaratë nga përfaqesues i një vendi mik është jashtë çdo konteksti historik dhe bie haptas ndesh me vendimet historike të Aleances së Atlantikut të Veriut dhe vendeve kyesore të saj, por dhe me të drejtën, ligjin ndërkombëtar, vendimet e Gjykatës së OKB që kanë sanksionuar ligjimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Perveç kësaj, Ukraina në luftën e saj heroike kundër agresionit barbar rus ka patur dhe ka mbështetjen më të plotë nga mbarë kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova nderkohë që deri dje Serbia si Rusia e vogël ishte prapavija e fuqishme e Rusisë në agresionin e saj kundër Ukrainës! Partia Demokratike hedh poshë një deklaratë të tillë dhe e konsideron si një nxitje të serbomadhit Vuçiç për qendrime dhe veprime destabilizuese që janë dhe interesi me i mirë i Vladimir Putinit dhe Rusisë" tha Bardhi.