Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagon pas raportit të publikuar sot nga Rrjeti “Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” mbi flukset e emigrantëve, drogës dhe parave të pista në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka lëshuar akuza për qeverinë duke thënë se vendi sipas tij ndodhet në udhëkryq për blerjen e votës nga krimi i organizuar.

“Me Taulant Ballën me vota të blera nga krimi i organizuar dhe me Edi Ramën në krye, për fat të keq Elbasani dhe Shqipëria ngelen në udhëkryq. Elbasani, cilësohet si qendër kyçe e shkëmbimeve lindje-perendim të opiumit dhe heroinës, sipas raportit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Beteja për zgjedhjet dhe demokracinë ia vlen. Lufta ndaj krimit dhe politikanëve të lidhur me krimin ia vlen. Beteja bëhet për qytetarët dhe për vendin”, shkruan Bardhi.

Në raport thuhej mes të tjerash se “Ballkani Perëndimor, një udhëkryq i krimit të organizuar, drogave, azilkërkuesve dhe parave të pista”. Referuar kësaj, Bardhi shkruan se Elbasani dhe Shqipëria ngelen në udhëkryq sipas tij me vota të blera nga krimi i organizuar.