Bardhyl Fico, mjeshtri i
karikaturës një histori në dy kohë

Bardhyl Fico, mjeshtri i<br />karikaturës një histori në dy kohë
Një mbasdite në njërën prej librarive të kryeqytetit u takova rastësisht me karikaturistin Bardhyl Fico. Po shfletonte me duar faqet e një libri. Sa më pa buzëqeshja në buzë iu zgjerua dhe sytë e gjallë shprehën gëzim. Përshëndeti, duke tundur kokën lehtë. Bleu dy – tre libra. Kur dolëm u ulëm në një prej bareve pranë. Porositi vetëm kafe. Me kalimin e viteve kishte ndryshuar pamje dhe bindje. Ndonëse me shtatin drejt, dukej më i plakur, por ende mbahej mirë. Pas ardhjes së demokracisë, u tërhoq nga jeta artistike dhe nuk bënte më karikatura. Mysliman me bindje, kishte lënë mjekrën karakteristike, të shkurtër e të prerë me kujdes, ndërsa në buzë i endej një buzagaz i lehtë që shprehte mirësi. I ishte përkushtuar tërësisht besimit fetar, të cilin e ndjeu thellë. U zgjodh Sekretar Shteti për marrëdhëniet me fenë, detyrë që e mbajti për disa vite. Kërkonte dhe arriti të përputhte jetën me filozofinë islame. Çdo ditë bënte ritualin në xhami dhe në shtëpi kishte ngritur një qoshk faljeje, të cilin e përdorte kur ishte i pamundur. 

[gallery]19505[/gallery]

Si shkëmbyem fjalët e para Fico pa iu ndarë buzëqeshja në fytyrë, ndezi një cigare dhe si hodhi një fjollë tymi, duke më parë ngultas më pyeti: 
- A je një çikë fetar ? Më kallxo të vërtetën ? A thua së paku La ilaha illallah ? 
Si mori përgjigjen mohuese, heshti një hop e shtoi si i rënë në mendime: 
- Duhet të besosh. Mësohu të falesh. Shko në xhami. Kërko. 
Biseda sikur u pre. Edhe gjatë vizitës që i kisha bërë në shtëpi, sado që përpiqesha ta nxisja të më fliste për krijimtarinë dhe karikaturën, fjalën e çonte tek besimi, Feja. Thithi edhe një herë cigaren dhe si hodhi sheqerin në filxhan, përzjeu lëngun me lugë shtoi: 
- Koha duket sikur kalon ngadalë, por ikën shumë shpejt. Tashmë po hyj në të tetëdhjetat. Ta them sinqerisht, çudi si jam tetëdhjetë, si është e mundur... 
E vështroja dhe isha i dyzuar në mendime. E dija qe feja muslimane e ndalonte paraqitjen e figurës së njeriut dhe ky ishte shkaku që nuk bënte më karikatura. Ngasja dhe joshja më shtyu. Mora guximin dhe fola: 
- Zoti të ka shënjuar, duke të dhënë dhuntinë e vizatimit. Besoj se ta ka dhënë për ta ushtruar, se të ishte ndryshe nuk kishte pse të ta jepte ? A do më bësh një karikaturë ta kem si kujtim? 
Si e lëshova pyetjen, prita në një ankth përgjigjen. Mendova sa do ta kishte të vështirë, por jo, pasioni ishte më i fortë. Ai rrinte i fshehur brenda qenies dhe donte vetëm një ngasja për të shpërthyer. Njeri i kulturuar Fico dinte të drejtohej drejt ndriçimit të mendjes dhe veprimit, nga se besimin e kishte të brendshëm, të thellë në përftimin e një morali, besim që e shihte të lidhur ngushtë me dijen dhe kulturën. Një herë më pati thënë, në Kuran shkruhet që më mirë të dish e të mos besosh, se sa të mos dish e të besosh! Dija ishte kodi estetik dhe atë e kërkoi gjithë jetën. 
- Nuk bëj më karikatura, buzëqeshi lehtë e shtoi, por me që je dashamirës i artit dhe i artistëve nuk po ta prish. 
Kërkoi një fletë të bardhë. Si e mori, nga xhepi i brendshëm i xhaketës, nxorri një slilolaps mi nguli sytë e picëruar përsëri: 
- Çfarë do të të bëj ? 
- Don Kishotin me Sanço Pançën, - ia ktheva menjëherë. Dikur i kisha parë në shtëpinë e një prej miqve të shkollës së artistit, të punuara në bronc. Rrinin bukur pranë tablove të tjera që zbukuronin dhomën. Ata ishin figura aq të dashura për lexuesin shqiptar nga përkthimet e Nolit e Zhejit, kishin hyrë e ishin bërë pjesë e humorit shqiptar me historitë e tyre ishin bërë proverbiale. Për njerëzit që silleshin në mënyrë qesharake qarkullonte shprehja “sjellje donkishoteske” apo kur nuk shfaqje vlerë “mos u bëj Don Kishot”. 
Bardhyli largoi pak filxhanin e kafesë, la cigaren në hirnoren pranë, uli sytë dhe filloi të shkiste me shkathtësi stilolapsin mbi fletën e bardhë. E ndiqja me sy. I habitshëm në krijimin e siluetave me linja të thjeshta e të brishta, që herë zbrisnin, ndaleshin e rifillonin të ngriheshin, qarkonin duke krijuar dy personazhet e famshëm. E nisi nga koka e Don Kishotit. Me një qarkore që e priste një linjë horizontale, krijoi “përkrenaren” prej legeni, me katër – pesë vija të shpejta bëri mjekrën, zbriti poshtë e ravijëzoi kalin, Rozinantin që kullonte në djersë. Më tutje pas tyre vinte Sanço Panxha bullafiq mbi veshgjatin e lodhur. Duhej ta shihje tek hidhte në letër për të kuptuar lirshmërinë më të cilën ndërtonte siluetat në karikaturë. Ato ishin brenda shpirtit, të gatshme sa mund të thuash që mendimi i Ficos ishte grafik me sens të fortë hokatari. Çudia ishte se në jetë ishte njeri shumë serioz dhe në seriozitetin e jetës dhe të vetes gjente kundërthënien e qesharakes, thumbuesen, fshikullimin e personazheve apo ndodhive e fenomeneve. 
Si e mbaroi ma zgjati dhe tha: 
- Prit të ta bëj edhe një herë ! 
Këtë radhë skica ishte më e thjeshtë, më abstraguese dhe më domethënëse. Ndjeje forcën e vizatimit dhe të linjave që kishin brenda volumin, dritën dhe hijen, profilin lëvizës dhe fizionominë, dmth një krijim kompozicional. Karikaturistët janë kompozitorë të mirëfilltë, sepse arti i tyre kërkon ndërtime në hapësirë e në volume, që edhe pse shprehen me linja të thjeshta si në rastin e Ficos marrin vlerat e kompozimeve të mirëfillta. Një habi më vete. 
-   Karikatura duhet të jetë e thjeshtë në të vizatuar dhe të kuptohet me një shikim, foli si me vete sikur kuptoi habinë time. 
Nxitova t’i them që të pinte kafen se po i ftohej. Buzëqeshi me ëmbëlsi dhe më kërkoi një fletë tjetër. Ia dhashë dhe skicoi një karikatura të re. Ishte vlugu i hershëm, pasioni parë, bashkëbisedimi figurativ dhe emocional, që e kishte rrëmbyer dhe shoqëruar në vite, një “përbindshëm” i brendshëm, i papërmbajtshëm, zot i gjithçaje që e shtynte të vizatonte me gëzim... edhe një tjetër... edhe një tjetër... Më pas ndaloi. Hodhi pak sheqer në filxhanin e kafesë dhe e gjerbi ngadalë. 
- Nuk kam asnjë karikaturë në shtëpi, tha. Nuk kam ruajtur asgjë nga krijimet e mija.... 
Fjalët dolën si një pendesë, përhumbje në kohë. Sytë iu lëbyrën e buzëqeshi përsëri. Të gjitha krijimet  origjinale artistët i dorëzonin në redaksi dhe ato pasi botoheshin, hidheshin në kosh si gjëra pa vlerë. Kështu kanë humbur krijime origjinale të shumë artistëve dhe jo vetëm karikatura, por edhe krijime të mirëfillta letrare, si dhe shumë fotografi të vyera. Në rastin e karikaturave të Ficos a është kjo një humbje përfundimtare shteruese? Jo ! Karikatura është art që rron me shtypin si pjesë përbërëse e tij dhe duke qenë se shpesh realizohet në grafikë bardhë e zi është ruajtur mirë. Si të tillë krijimet e mjeshtrit gjenden kudo të freskta. Më erdhën në mendje qindra e qindra karikatura, një galeri të punimeve të tij në kohë, të shpërndara nëpër faqet e shtypit shqiptar, në gazeta, revista, libra... duke zenë vend të veçantë në Fondin e Artë të Karikaturës Shqiptare. ato puhojnë se Shqipëria ka një karikaturë të kultivuar nga rreth dyzet artistë që e lëvruan me sukses në kohën e tij. 
Bardhyl Fico lindi më 13 nëntor të vitit 1932 dhe rrjedh nga një familje e dëgjuar gjirokastrite. I ati, Rauf Fico diplomat i klasit të parë, emërtuar “babai i diplomacisë shqiptare”, ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Stamboll, Berlin, Beograd dhe shumë kryeqytete të tjerë të botës, përfaqësuesi i Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes kombëtare. Konica shkruan, se Fico ishte shqiptar, kur nuk kishte Shqipëri! Bardhyli ishte 11 vjec ku e la i ati në ’44, por i pasoi një trashëgimi të vyer. Në një kënd të veçantë të apartamentit, të rregulluar me kujdes, mbante medalje, dekorata, certifikata, objekte personale, një koleksion i tërë dhe një bibliotekë të pasur me libra. Në mure vareshin disa tablo, portreti i gjyshes së artistit, pikturuar nga piktori Zef Kolombi, një variant i së cilës gjendet në Galerinë Kombëtare Tiranë, më tutje një portret i diplomatit Rauf Fico, pikturuar nga piktori Shyqyri Sako, si dhe një riprodhim i tablosë së Pajo Jovanoviçit “Vallja e shpatave”. E ndjeje që ishe në një mjedis artisti të kulturuar. 
Bardhyli kalonte orë të tëra, duke shfletuar libra nga fusha të ndryshme të dijes dhe shkencës. Leximi dhe të nxënit ishin moto e jetës, pa to nuk mund të jetonte. Ishte tipi i udhëtarit kërkues i vetvetes dhe atë e gjente në besimin dhe në dijen. Ndërmjet rrafteve ishin edhe ditaret e shumta të të atit. Një pasuri më vete. Kërkonte t’i botonte. Kalëmendej ndërmjet kujtimeve të familjes dhe mbijetesës dhe iu nënshtrua kohës si gjithë të tjerët. Por artisti as nuk mburej dhe as lëvdohej. I lenë në heshtje nga rregjimi edhe ai nuk e trazonte të shkuarën. Por edhe në demokraci mbeti i tillë, njeri i përkorë dhe i thjeshtë. Ata që e kanë njohur shprehen për virytet e mira dhe cilësitë e larta njerëzore, kulturën e lartë. 
Karikaturën e filloi kur ende i ri. Në shkollën e mesme Teknike, kur krahas mësimeve, zgjidhjes së problemeve të matematikës e fizikës, gjente kohë të bënte portretet e shokëve dhe të mësuesve. Por i merrnin pamje groteske dhe i dilnin si karikatura. Kush i shihte vinte buzën në gaz. Një ditë, i ndrojtur, i drejtohet revistës “Hosteni”. Me vete kishte një karikaturë. Ia pëlqyen dhe e botuan. Ishte karikatura e parë. Kur e kujtonte veç gëzimit të atëhershëm, ndjente keqardhje. Karikatura ishte politike, kundër Presidentit francez Sharl De Gol, “njeriun që e respektoj më shumë se çdo personalitet tjetër. Është jo më i madhi i Francës, por ndoshta politikani më i madh i shekullit 20”. Krijimet e tjera politike nuk i pëlqente t’i kujtonte, i sillnin bezdi. Shpesh thoshte se kishte qenë i detyruar t’i bënte. 
Karikatura e parë solli të tjerat dhe pasi mbaron ushtrinë në vitin 1957, për të mos shkuar gjeometër në ndonjë vend të largët i drejtohet “Hostenit”. E marrin në redaksi, ku do të qëndrojë për gati dhjetë vjet, duke u bërë një prej karikaturistëve më prodhimtarë të faqeve të saj. Merret me to për ditë dhe ndërkohë vazhdon studimet e larta me korrespondencë për Matematikë – Fizikë. 
Në vitet ’60 - ‘70-të numri i karikaturistëve u shtua dhe solli rritjen e nivelit të  punimeve. Përzgjidhet bashkë me Zef Bumçin dhe Dhimitër Ligorin për të marë pjesë në ekspozitën e parë në Berlinin Lindor me nga tre karikatura. Kishte edhe karikaturistë nga Perëndimi dhe Lindja. Gëzim i madh se do të përballeshin me kolegë të ndryshëm europianë. Karikaturat para se të dërgoheshin kaluan në sa e sa kontrolle. Gjermanët kishin shumë interes ta popullarizonin dhe u bënë disa ceremoni, u planifikua një emision televiziv që shihej në Evropë. Shtetet pjesmarës me autorët e tyre do të vizatonin me xham disa karikatura. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve erdhën njoftime për karikaturistët shqiptarë dhe për punët e tyre ishin bërë vlerësime nga shtypi e kritika. Në mbylljen ndaj botës që kishte bërë rregjimi, artistët nuk u njoftuan dhe çdo gjë u mbaj në heshtje. 
Kur pa që numri i karikaturave u bë i madh, mendoi të bënte një ekspozitë vetiake, të cilën e hap në vitin 1963. Shtypi shkruajti si një risi dhe ndërmjet të tjerave Bardhyli kujtonte fjalët e ngrohta të Skulptorit të Popullit Odise Paskali, i cili vuri në dukje talentin e tij të rrallë dhe punimet shumë shprehëse. 
Fico ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare si në Bullgari, Shkup të Maqedonisë, Ankona të Italisë, Montreal të Kanadasë, etj., etj. dhe është vlerësuar me çmime dhe diploma të ndryshme. 
Artisti i përket brezit të parë të karikaturistëve shqiptarë të pas Luftës. Ai e filloi krijimtarinë në vitet ’50-të të shekullit të kaluar. Doli në faqet e revistave dhe gazetave të kohës në mënyrë të befasishme. Shfaqi talent grafik e një stil vetiak interesant, tepër të dallueshëm. Bashkë me krijues të tjerët u rradhit në ajkën më të mirë të karikaturistëve në përvijimin e traditës humoristike në gjininë e karikaturës, duke u bërë njëherazi një nga themeluesit e Shkollës Shqiptare të saj, si një personalitet i rëndësishëm dhe i veçantë. Kur i shihje krijimet e tij nuk kishe nevojë të kuptoje autorin. 
Talent i lindur, erudit në mendime, me njohuri të shumta artistike e filozofike, Fico ishte një enciklopedi e gjallë. Lexonte fare lirshëm në italisht, frengjisht dhe anglisht, aq sa mund të shijonte Shekspirin. Nga fundi i jetës mësoi arabishten për të lexuar Kuranin në origjinal. Me një kujtesë për t’u admiruar recitonte vargje të plota nga “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës si dhe nga poetë të tjerë shqiptarë dhe botërorë. 
Artisti solli një frymë të re në satirizimin e kohës. Larmia e punimeve shkon krah gjetjeve të bukura dhe të larmishme kompozicionale me një gazmend të hollë e drithërues në krijimin e një linje të hollë e të brishtë, ku vetë linja mbart e bëhet mishërim i burimit të humorit. Krijimtaria është fshikulluese dhe goditëse, pa nota të egra dhe aspak tallëse, ku qesharakja dhe gazmendi i rridhte natyrshëm dhe të befasonte nga një kompozim në tjetrin. Karikatura ngrihet mbi kompozimin dhe këtë ai e dinte mirë. Ato vinin rrjedhshëm si në një libër të hapur plot me figura të larmishme erëndjellëse. 
Fico është nga të parët që solli karikaturat me cikle, si rrëfime figurative. Krijimet plotësonin njeri tjetrin, duke krijuar një tablo të madhe mbushur me personazhe nga sfera të ndryshme të jetës, që nga artistët, kompozitorët, shkencëtarët e deri tek figurat historike e mitologjike që përbëjnë universin botëror. Duke qenë shpirtërisht pranë, ishte njëherazi edhe një njohës i madh i tyre, i kapte në karakter dhe në domethënie. Sa më shumë njohje të kesh aq më i madh është arti që krijon dhe njohja nuk është vetëm nga leximi e librat, por mbi të gjitha nga vëzhgimi në jetë dhe artisti ishte një vëshgues i mprehtë i fenomeneve dhe problemeve që shfaqte koha, mbante qëndrim, ndonëse shpesh qëndrimi nuk ishte i tij, por i orientuar nga lart. Liria e krijimit është vetë artisti, por diktatura të “trashte” lapsin dhe të drejtonte drejt temave politike që ishin qëndrimet e diktaturës. 
Mjeshtri, duke qenë njeri i shkencës (inxhinier gjeolog në profesion), për të shpjeguar fenomene të vështira e të ndërlikuara shkencore e teknike, krijoi vizatime të thjeshta plot humor dhe solli në vëmendje shkencëtarë të ndryshëm. Sa më të vështira të ishin fushat e dijes dhe vetë moria e formulimeve filozofike e shkencore, aq me mjeshtëri i trajtoi. Me pak linja të thjeshta dinte t’i zbërthente personazhet, bënte karakterizimin tipik, të plotë si figura që shprehnin qenien dhe veçanësinë e tyre plot humor, arrinte të kapte thelbin e zbulimeve apo formulimeve të vështira matematikore apo shkencore. Anshtajni, Njutoni, Aleksandër Volta, Galileu e shumë e shumë personazhe të shquar historikë apo në dije të tjera të kulturës e shkencës, kanë qenë nën vizatimin e qeshur të Ficos. 
Gazmendi dhe qesëndisja i hollë rridhte natyrshëm dhe nuk mund të rrije pa venë buzën në gaz. Po ashtu ka trajtuar Gëten, Balzakun, Tolstoin, Aleksandër Duman, Bomarshenë, fabulat e La Fonteint etj., etj. Nën satirën e tij thumbuese si një galeri të plotë kaluan mbretër e perandorë, personalitete të ndryshëm politike e historikë dhe tek gjithsecili ai gjente e kapte diçka të veçantë dhe karakteristike në kundërthenien e dukjes dhe thelbit si çelës të humorit. Shpesh njeriu i thjehtë dhe i varfër ishte personazhi që i kundërvihej padrejtësisë dhe dhunës, ishte ai që dinte ta bënte më mirë humorin ndaj rraskapitjes së jetës apo vuajtjeve. 
Karikatura i jepte kënaqësi, e largonte dhe e shkëpuste nga hallet e jetës, nga ajo errësirë e madhe e diktaturës, ishte një anamorfozë, që errësirën ia kthente në dritë. Për të karikatura dhe piktura si arte dallojnë si një njeri i bukur dhe një të shëmtuar, por të dy janë njerëz. Karikatura, theksonte, është deformimi i realitetit. 
E tërhiqnin më shumë temat shoqërore, duke kërkuat t’i shmangej politikës, “por edhe në se kam bërë ndonjë karikatura politike përpiqesha ta bëja me dy kuptime. Kur dështoi revolucioni hungarez, i mora inat amerikanët dhe bëra disa karikatura kundër tyre, por më shumë kam bërë kundër Bashkimit Sovjetik. Mirë që m’u dha rasti ! shprehej karikaturisti dhe shtonte, në tragjizmin e diktaturës e ndjeja veten si Shvejku. Humori dhe tragjedia, e qeshura dhe e qara, të dyja bëjnë mirë nganjëherë. E qara të liron. Po ta mbash përbrenda është shumë e keqe. E qeshura është i shëndetshme, pastron shpirtin. Edhe e qeshura, edhe e qara kur nuk janë me shumicë bëjnë mirë.” 
Bardhyli ishte  artist shumë i kultivuar, krijonte karikaturë të detajuar me lojë artistike, të bukur dhe të këndshme. Karikaturat shpërfaqnin problemet e kohës. Nuk bëhej fjalë që artisti t’i kundërvihej asaj që rregjimi kishte vendosur si mur që nuk duhej kapërcyer. Fico ishte i zgjuar dhe ndërtonte çaste të këndshme. 
Ndonëse karikaturat në përmasa të vogla si në miniaturë, por të kuptueshme dhe bashkëkohore, në kufijtë e pabesueshmes të krijimit  së figurës. Me dy tre viza të thjeshta, me pak linja, tejet të kursyera, arrinte të krijonte një karikaturë mbresëlënëse. Pëlqehej shumë për kapjet dhe krijimin e personazheve të vendosura në situata situata e gjendje gazmore, të trajtuara artistikisht, luante me fabulën e gjetjet, të cilat shkojnë krah asaj jetësore me një shkojnë krah asaj jetësore me një hare të brendshme, që linin gjurmë, shprehin shumë lëvizje në një humor të bukur e plot jetë që bënte të vinin buzën në gaz ata që i kundronin, krijoi një traditë, vuri vulën e tij të dallueshme. Krijonte kudo që ndodhej mjaft që të kishte në dorë një lapës dhe një fletë ku të vizatonte, sepse karikatyra ishte jetë dhe gëzim, mendim dhe shprehje e vetvetes. 
Me krijimet solli zgjerimin e tematikës, lakonizmin e linjës grafike, situata e gjendje humoristike, të trajtuara artistikisht. Linja e tij mbante brenda saktësinë, gjetjen, kompozimin dhe peshën grafike në tipizim personazhi në kapjen e atyre elementëve që arrinin të zbërthenin figurën artistike në të gjihë përbërësit dhe të gjitha të ngritura dhe në shërbim të humorit. 
Karikatura shpesh herë ishin me dy kuptime. Dykuptueshmëria apo shumë kuptueshmëria në art është një fenomen artistik. Shpesh artisti sjell vepra që lexuesi apo shikuesi i merr në një kuptim tjetër, se vepra e mirë mbart kuptime që dalin shpesh jashtë edhe vetë krijimit të artistit nga se kanë shumë kuptueshmëri. Shumë kuptueshmëria është një prej enigmave artistikë që i jep artit të madh gjithëkohëshmëri dhe risillen kohëm e sotme edhe pse të krijuara më parë. Pra, Fico krijonte figura apo gjendje hareje të vecantë,  që edhe sot po t’i shohësh ve buzën në gaz. 
Kujtonte se në vitet ’70, bashkë me kryeredaktorin Niko Nikollën e kanë thërritur edhe në organet e Sigurimit. Kishte bërë një karikaturë për burokracinë, e cila nuk ishte pëlqyer “lart”. Në redaksi bie telefoni dhe dëgjohet zëri i kryeministrit Mehmet Shehu, që pyet se kush është  BAR – i (pseudonim i B.Ficos)? Kur e mësoi shtoi frikshëm, thuajini atij BAR – it që ne nuk hamë bar! 
Karikatura arrin të futet kudo dhe Fico tallet e qesh edhe me tragjedinë, dmth me të kundëetën e saj. Kundërthënia është thelbi i karikaturës, por që kërkon edhe forcën shprehesë në realizim. Pyetjes se ku e gjente për të bërë humor me tragjedinë, përgjigjej se humori është tragjikja e tragjedizmit. Të kundërtat puqen gjithnjë ! Jeta është qark i mbyllur dhe të dyja po aty të çojnë. Përdor satirën jo për të demaskuar veset, por për t’i përmirësuar me thumbim. E qeshura është më e mirë se sa e qara, por të dyja të bëjnë mirë nganjëherë. E qara të liron. Po ta mbash përbrenda është shumë e keqe. Humori është i shëndetshëm, pastron shpirtin”. 
Letërsia botërore e ndihmoi në krijimin e shumë personazheve dhe iu drejtua personazheve mitikë të të satirës botërore, figurave emblematike si Nastradini, personazh mitik i Turqisë, që për Ficon ishte mençuria dhe zgjuarsia popullore, aq e pranishme me bëmat e tij edhe në Shqipëri. Është i famshëm cikli “Nastradini nëpër botë”, shëtit nëpër botë dhe me anë të lojës dhe fjalës së mençur të personazhit me gomarin e tij, ndërton mikrofabula interesante,  goditëse ndaj problemeve të kohës. Vijon me Til Ulenshpigeli gjerman, apo Vilhelm Teli i Shilerit, Shvejkun, humorin i të cilit nuk e ka asnjë personazh tjetër në Letërsinë Botërore. Ai është Nastradini i Perëndimit. Don Kishoti me Sanço Pançon e Servantesit që janë kategori më vete, një kategori më lart. Në se të tjerët janë universitarë, pasuniversitarë, ata janë akademikë. Nastradini është i Lindjes, Shvejku është i Perëndimit”. I guximshëm tregohej kur i drejtohej veprave tragjike, sic janë tragjeditë e Shekspirit dhe personazheve të njohur nga bota e artit dhe e letërsisë siç janë karikaturat me figurat historike me plot humor të hidhur si Otello, Hamleti, Mbreti Lir e personazhe të tjerë nga tragjeditë e famshme të Shekspirit. Ato pëlqeheshin më shumë për gjetjet dhe vendosjet  e hareshme, por të hidhura, befasinë ndjellëse e shpërthyese, ku luhet me fabulën, që me një linjë të thjeshtë plot hijeshi arrinte të ndërtonte karikatura që shprehin shumë gjallëri të bukur e plot jetë. 
Iu përshtat rregjimit dhe në karikaturën politike trajtoi gjithë gamën e kontradiktave që u shfaqën në atë kohë, “Luftën e yjeve”, “Bisedimet SALT”, ndeshja e superfuqive, imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik, etj., etj. 
E tërhiqnin më shumë temat shoqërore, duke kërkuat t’i shmangej politikës dhe shprehej që edhe në se “kam bërë ndonjë karikaturë politike, përpiqesha ta bëja me dy kuptime: Në tehun e satirës së tij ishin edhe çeshtjet ndërkombëtëre për të cilat diktatura bënte një propagandë shumë të madhe në të ashtuaquajturën demaskim të mënyrës së jetesës. Fico duke pasur një kulturë realiste ishte kundër shtrembërimeve dhe  modernizmave që shfaqeshin në art e kulturë. Shprehej se nga problemet ndërkombëtare që kam ndjerë dhe e kam bërë ka qenë modernizmi, të cilin asnjëherë nuk e kam pranuar dhe i bëj me qejf karikaturat kundër tij. 
Fico ka botuar disa libra dhe ka bërë ilustrime të librave satirikë si “I fundit i oxhakut” i Miço Kallamatës, “Aventurat e  Baronit Mynhauzen” të Raspe-s, “Skena e prapaskena”, “Të papriturat e Pikaloshit”, “Çështje personale”, “Përralla për gogot”, “Bilbili dhe gjinkalla”, fabula, vjersha humoristike, epigram etj. Së fundmi botoi “Anamorfoza e mesazhit të madh”. Si një burrë i urtë dhe i ditur ndërton një libër debatues mbi fenë islame, si një risi e bërjes së dialogut fetar. Kur ma dhuroi më tha, “Brenda ke Barnard Shoun, La Martinin e autorë të tjerë të famshëm se çfarë kanë thënë për Islamin...” 
Ishte i pranishëm në revista tekniko – shkencore, por “Hosteni” ishte organi kryesor, ai që mbante peshën më të madhe të humorit e satirës. Artisti shprehej se karikatura  bashkë me revistën “Hosteni” ka luajtur një rol pozitiv në Shqipëri, sepse ishte e vetmja kundërshti që i bëhej rregjimit, duke venë në pah anët negative dhe përmirëson, jep ndihmesë në përmirësimin e jetës dhe të shoqërisë. Karikaturisti duhet të ketë kulturë që të shprehet bukur, por varet pastaj se sa e shpreh, si e bën. Karikatura duhet mbajtur në nivele të thjeshta. Në të ka më shumë rëndësi ideja se sa vizatimi. Por edhe vizatimi i jep bukuri karikaturës. Kryesorja është të kesh një ide, pastaj realizimi është kollaj ta bësh”. 
Revista “Hosteni” nën drejtimin e Niko Nikollës Nën firmat e Kol Jakovës, Spiro Çomorës, Sabri Godos, Dionis Bubanit, Dritëro Agollit, Tasim Aliaj, etj., etj., si dhe satira e humor nga shkrimtarët humorist më të mëdhenj të kohrave që nga Ezopi i lashtësisë, Lukiani, e deri tek autorët bashkëkohorë si Azis Nesin etj., etj., solli shtimin e gamës së goditjes dhe fshikullimit të të metave dhe dobësive të cilët me krijimet e tyre sollën zgjerimin e tematikës dhe thellimin e kritikës. 
Revista “Hosteni” në vitet e diktaturës gëzonte një liri të veçantë për vetë natyrën e saj. Duke qenë se nën gotirjen dhe fshikullimin e penave të shquara si Dionis Bubani, Dritëro Agolli, Sabri Godo, Gaqo Veshi, Tasim Aliaj etj shkrimtarë satirikë nën drejtimin e Niko Nikollës u përmërësua shumë si paraqitje, me një cilësi të këndshme për kohën dhe u rrit në një tirazh tejet të madh prej 25000 kopje, duke kapur majat e shtypit shqiptar duke u bërë tempulli i humorit dhe i karikaturës. Kjo nuk do të thotë që “Hosteni” nuk ishte një levë në dorë të Partisë Shtet dhe në faqet e saj u shfaqën edhe  goditjet që i bëheshin imperializmit botëror e veçanërisht atij amerikan, politikave kundër socializmit etj., etj. 
Ndihmesë Fico dha në krijimin e Filmin Vizatimor Shqiptar, si një prej nismëtarëve të tij me krijimin e figurave të ndryshme. Me një mendje të mprehtë arrinte shumë shpejt në krijimin tipik të personazhit, i cili mbarte gjithë kërkesat grafike e vizuale që kërkoheshin, duke u kthyer në personazhe të dashur për botën fëminore. Kolegët e Kinostudios e kujtojnë kohën kur Bardhyli shkruante skenarët dhe krijonte fabula të bukura e mbresëlënëse. Është edhe ilustrues i shumë librave satirikë të autorëve shqiptarë, ku shfaqen krijime të bukura e domethënëse. 
Artisti Bardhyl Fico ka ndërruar jetë në vitin 2015 në moshën 83 vjeçare pas një jete të mbushur plot emocione, duke zenë një vend të rëndësishëm në Historinë e Karikaturës Shqiptare. Artisti la gjurmë dhe solli buzëqeshje në një kohë të zymtë, kur e qeshura ishte e kyçur brenda dhe në hidhërimin e shtypjes arriti të sillte humor e kënaqësi. 

barhyl fico

barhyl fico

barhyl fico

barhyl fico

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Separatisti katalonas Puigdemont shmang arrestimin pas rikthimit 'kaotik' në Spanjë

Separatisti katalonas Puigdemont shmang arrestimin pas rikthimit 'kaotik' në Spanjë