Basha ankesë në Kolegj: Rrëzo
18 qershorin, listat të paligjshme

Basha ankesë në Kolegj: Rrëzo<br />18 qershorin, listat të paligjshme
Në ditën e 82 të protestës, Lulzim Basha ka deklaruar se Partia Demokratike do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor, listat e kandidatëve për deputetë të depozituara nga partitë në KQZ, pasi sipas tij janë të paligjshme, pasi u pranuan pasi kishte skaduar afati ligjor.
 
Kolegji Zgjedhor do ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme.
 
Nëse Kolegji përmes presioneve dhe zhageve vendos ti thotë shqiptarëve se rrëzon këtë kërkesë, Kolegji do të merret përpara nga bashkimi i Republikës së Re.
 
Do ti japim një shans republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj përmes negociatave
" tha Basha.
 
Bsaha: Qeveri teknike me konsensus ose mosbindje civile
Nga çadra para Kryeministrisë lëshoi edhe një herë ultimatumin për krijimin e një qeveri teknike sa më parë përmes konsensusit ose në të kundërt do të ketë mosbindje civile.
 
"Pas dy takimeve shterpë nuk kam asnjë dyshim se Rama nuk do t'i bindet zërit të aryes, por vetëm imponimit të shqiptarëve për të mbyllur kapitullin e drogës e krimit.
 
Ndaj në datë 13 Maj, ora 12:00 në mes të Tiranës së bashku do të bashkohemi.
 
Fundi i pashmangshëm do të jetë proces i një konsensusi ose do të jetë nisja, fillimi i lëvizjes popullore për mos njohjen dhe rrëzimin e cdo institucioni të Republikës së Vjetër përmes mosbindjes civile, paqësore dhe demokratike
" deklaroi Basha.
 
Basha sulmon zyrtarët e BE në Tiranë
Kryetari i PD, ka sulmuar sërish diplomatët e huaj në Tiranë që përfaqësojnë BE duke i akuzuar se për interesa të tyre, kanë fshehur për katër vite drogën dhe krimin në Shqipëri.
 
Basha tha se këta diplomatë nuk e kanë bërë për interesa të Bashkimit Evropian, por për interesa të tyre, si njerëz të korruptuar.
 
"Zyrtarët e huaj të korruptuar në Tiranë nuk kanë raportuar drogën dhe kriminelët. Droga dhe krimi janë fshirë nga raportet e zyrtarëve ndërkombëtar në Shqipëri.
 
 Ata sot janë bashkëfajëtorë me Ramën, nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre sepse kanë mohuar krimin dhe janë bërë njësh me Edi Ramën për xhepat e tyre.
 
Janë bërë njësh me Ramën për xhepat e tyre të korruptuar dhe jo për interesin e Bashkimit Europian, aleatëve strategjikë, por për xhepat e tyre të korruptuar. Kjo është e vërteta, por nuk ia dolën dot
" tha ai.



Pjesë nga fjala e Bashës
Droga, krimi, korrupsioni, realiteti i përditshëm i shqiptarëve ishte fshirë nga mediat e kapura nga qeveria, ishte fshirë nga raportet e zyrtarëve të korruptuar ndërkombëtar në Tiranë, të cilët nuk raportonin drogën, nuk raportonin kriminelët edhe kur këta gjakosnin qytetarët në dyert e stacioneve të policisë të korruptuar të Edi Ramës dhe që sot janë bashkëfajtor me Edi Ramën dhe nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre, sepse kanë mohuar krimin, sepse kanë mohuar drogën dhe janë bërë njësh me Edi Ramën, jo për interesat e Bashkimit Europian, jo për interesat e aleatëve tanë strategjikë por vetëm për xhepat e tyre të korruptuar.
 
Kjo është e vërteta, por nuk ia dolën dot. Për tre vite e gjysëm ne bëmë betejë në Parlament, në studio televizive, konferenca për shtyp, vizitë pas vizite, por e vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve të zhytur në dëshpërim prej drogës, krimit të organizuar të ngritur në pushtet dhe korrupsionit galopant të Shqipërisë, nuk depërtoi dot, deri sa ju u ngritët dhe u bashkuat në këtë lëvizje madhështore, qytetare, kombëtare dhe demokratike.
 
Të vetmit që ia dolën t‘i  tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Uashington dhe anembanë botës perëndimore të vërtetën e Shqipërisë ishit ju, qytetarët shqiptarë, ishte kjo lëvizje popullore, ishte ky bashkim i madh.
 
Sot Europa mbarë e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar në Tiranë. Sot të gjithë aleatët tanë e njohin dhe e kanë pranuar se Edi Rama e zhyti Shqipërinë në një gjendje dështimi dhe falimentimi total. Sepse ai ngriti krimin në pushtet dhe me krimin mbushi Shqipërinë me drogë.
 
Sot të gjithë e dinë se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë në këmbë e në këmbë do të qëndrojnë derisa të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike që do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës, do t’i kthejë sovranit të drejtën për zgjedhje dhe votën e lirë e të ndershme.E di gjithë bota, e dinë miqtë e shumtë të Shqipërisë, e di çdokush se rrugë tjetër nuk ka.
 
Por një njeri i vetëm qëndron si pengesë drejt këtij hapi historik që Shqipëria duhet të hedhë për t’ia kthyer Shqipërinë qytetarëve, për të ndërtuar një republikë të qytetarëve dhe jo të partive as të politikanëve, një Republikë të Re të ligjit, të drejtësisë së vërtetë, të zgjedhjeve me të vërtet të lira e të ndershme si garanci për një zhvillim të vërtetë ekonomik që të krijojë punësim të vërtetë, që të shërbejë me standarde të vërteta europiane fëmijëve shqiptarë, që të garantojë kujdesin shëndetësor për pacientët dhe familjarët e tyre, që të garantojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik për biznesin e vogël, të madh e të mesëm, punë, dinjitet për fermerin shqiptar, që të garantojë bijtë e Shqipërisë që të luftojë drogën dhe të kthejë sigurinë në rrugët, sheshet, shkollat dhe shtëpitë tona. Për një Republikë të Re  të një ekonomie të fortë e një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptare e çdo shqiptar.
 
E vetmja forcë që mund ta garantojë këtë sot nuk janë argumentet dhe arsyeja e shëndoshë që Edi Rama nuk i pranon. Mos kini asnjë shpresë. Nuk ka negociator në botë ta bëjë Edi Ramën të pranojë faktet katërcipërisht të njohura e të pranuara nga bota për drogën, krimin, korrupsionin dhe ta bëjë të pranojë përgjegjësinë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.
 
Unë e shpresoj dhe jam i gatshëm që të marr përgjegjësitë e mia me dialog për ta çuar drejt zgjidhjes politike, e shpresoj dhe i lutem Zotit që kjo të ndodhë. Por në veçanti pas dy takimeve shterpë nuk kam asnjë dyshim se Edi Rama nuk do t’i bindet zërit të arsyes, as forcës së argumentit por vetëm imponimit të shqiptarëve të bashkuar e të vendosur për të mbyllur kapitullin e drogës dhe krimit, e republikës së vjetër që iu shërben vetëm një grushti politikanësh, kriminelëve dhe oligarkëve dhe së bashku për të hapur derën e Republikës së Re dhe të ardhmes për  çdo shqiptar.
 
Ndaj data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku do të bashkohemi. Kam marrë privatisht dhe publikisht kërkesat dhe konfirmimet e njerëzve të thjeshtë, të papunëve, të të rinjve, të maturantëve, të studentëve, të grave, të të rejave, të profesorëve dhe akademikëve, të sportistëve dhe artistëve, të sipërmarrësve dhe sindikalistëve se të gjithë do të jemi bashkë e do të jemi një me me zë të vetëm. Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së Re.
 
Rrena nuk i lë vend rrenës. Kështu ka qenë këto 4 vite e kështu do të jetë këto ditë që i kanë mbetur republikës së vjetër. Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50, në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme, procesi është në kolaps ligjor.
 
Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Cdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë Made in Albania apo kudo që bëhen apo made in Soros. Ata  nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit  Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51.
 
Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do ti japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj ,përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftëse me presione apo zhage Kolegji zgjedhor vendos tu thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51dhe jo 50, atëherë  Kolegji zgjedhor, ligji zgjedhor dhe  Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për  Republikën e Re.
 
Data e vendimarrjes është data kur shqiptarët do ta dinë nëse fundi i pashmangshëm, i paevitueshëm i republikës së vjetër do të jetë një proces i një konsensusi, i një shansi për gjithëpërfshirje edhe për mëkatarët e republikës së vjetër apo do të jetë nisja, fillimi, inicimi i lëvizjes popullore, për mosnjohjen mospranimin dhe rrëzimin  e çdo ligji, e cdo institucioni të Republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe  qëndresës  paqësore dhe demokratike.
 
Paqësore  dhe demokratike. Bashkimi ynë do të jetë i tillë, i tillë do të jetë akti i rrëzimit formal të republikës së vjetër. I tillë do të jetë akti i lindjes së Republikës së Re, me garancitë e përfaqësimit për qytetarët shqiptarë në vend të partive politike me garancitë e llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë dhe jo para oligarkëve dhe kriminelëve.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

BE paralajmëron Sllovakinë kundër ligjit për ‘agjentët e huaj’

BE paralajmëron Sllovakinë kundër ligjit për ‘agjentët e huaj’