Basha e do më shumë
Enverin se Rama

Basha e do më shumë<br />Enverin se Rama
Imazhet gjithmonë godasin në syrin dhe mendjen e njerëzve. Ato të afektojnë, të bëjnë të reagosh; qoftë për mirë, qoftë për keq; të sjellin dhe risjellin momente nga e kaluara apo e tashmja. Kështu ndodhi edhe teksa u shfaqen pankartat me portretin e Enver Hoxhës në mjediset e varrezave të Dëshmorëve të Kombit, në ceremonialin e organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit, më 29 nëntor të këtij viti.

Krerët më të lartë të shtetit, që nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, të zgjedhur, veteranët, por edhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës (dukej prania e nënkryetarit); - ishin hekurosur në vijën e parë për të nderuar të rënët e luftës, ndërsa andej nga fundi, dikush, i mallëngjyer apo i porositur nga mbetjet komuniste të dikurshme, në lodhje e sipër, mbante portretin e diktatorit, - a thua se do ta ringjallte pikërisht në atë vend ku ai është prehur vetëm për 5 vjet me radhë.
Nuk do të kalonte shumë kohë dhe prania e atyre imazheve do të rimerrej, fillimisht nga rrjetet sociale, dhe më pas deputetë dhe drejtues të lartë të opozitës, teksa kryeministri Rama shpërndante në rrjetin e tij social fotot e shkrepura me plot kumt nga Juta, ku në sfond, të pafokusuar besoj, ishin edhe imazhet e atij që sundoi për gjysmë shekulli.

Media kërkoi pankartë-mbajtësin dhe më në fund u zbulua se një prej kryetarëve të shumë partive komuniste,  ishte ftuar me protokoll dhe, po me protokoll thuhet se i paskëshe sjellë sa për mall imazhet e Hoxhës. Duke qenë edhe aleat i shumicës së tanishme, megjithëse prej kohësh piskat se nuk i është dhënë copa e tortës së pushtetit, ai ndihmoi zërat e deputetëve të opozitës për të kthyer në agjendë politike luftën ndaj pankartave.
Komunisti Marko arriti ta skuqë më shumë të kuqen e mazhorancës dhe t’u japë energji politike krerëve të PD-së teksa i rend ata të turren pas të kuqes si demat në fushën e toreadorëve.

Është krejt e mirëkuptueshme dhe e çmueshme agjenda ideologjike anti-komuniste e së djathtës në Shqipëri, përfshirë edhe PD-së, distancimi ndaj krimeve të komunizmit dhe zbardhja dhe ndëshkimi i krimeve që ka bërë edhe vetë diktatori Hoxha dhe regjimi i tij gjatë 50 viteve të sundimit të tij.
Por, megjithëse kanë kaluar më shumë se 12 vjet në pushtet, partia kryesore e së djathtës, PD-ja, nuk ka arritur as të hapë dosjet, as të kthejë pronat, as të dëmshpërblejë të burgosurit politikë dhe as të rehabilitojë vlerat e përçudnuara gjatë 50 viteve të terrorit dhe izolimit. Pse jo, këtu duhet lexuar edhe disfata e thellë e 23 qershorit.
Përkundër kësaj, PD-ja sot rend pas luftës ideologjike së ideologjisë së pankartave. Dhe këtë e bën vetëm për një arsye, - në pamundësi për të shkuar thellë te tabani i saj ideologjik, - rend të kapet pas fijes së hollë të imazhit, duke keqpërdorur dhe shfrytëzuar pankartë-mbajtësin e radhës, a thua se kundërshtari i saj, kryeministri Edi Rama, është hoxhisti më i thekur në këtë vend.

Por, çudia më e madhe dhe motivi më i fortë për t’i shkruar dhe përligjur këto radhë është fakti se vetë z. Rama është rrëzuar në një prej momenteve më pikante të karrierës së tij politike pikërisht nga pankartë-mbajtësi jo-i-radhës i Enver Hoxhës, i ndjeri Hysni Milloshi, komunisti i orëve të para dhe aleati vendimtar i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Marrja e bastionit të kryeqytetit nga PD-ja dhe veçanërisht fitorja e z. Basha, në momentet më kritike të testimit të tij si politikan para qytetarëve, është bërë me gjakun e shprishur dhe me votat e lehta të mbi 2000 komunistëve të kryeqytetit që e donin Enver Hoxhën po aq, në mos më shumë, sesa ky pankartë-mbajtësi komunist që u shfaq ditët e nëntorit te varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Kthimi në agjendë politike, orientimi dhe vendosja për konsum publik i një çështjeje të tillë nga vetë kryetari i PD-së dhe mbështetësit e tij në opozitë, është paradoksi demagogjik më bajat dhe i papranueshëm, si dhe është mënyra më parazitare për të harxhuar energji politike. Me përjashtim të z. Basha dhe kopshtit politik që përfaqëson, çdokush tjetër ka legjitimitet të plotë për të denoncuar, qoftë edhe rastin quasi-politik të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit dhe për t’u distancuar jo vetëm nga pankartë-mbajtësit e diktatorit, por edhe nga çdo gjurmë e diktaturës që na imponohet sot si imazh, si vlerë apo si ringjallje pushteti.

Duke besuar se të gjithë kemi ende shumë nevojë që të distancohemi nga shumë infeksione që na kanë mbetur nga epoka 50-vjeçare e diktaturës, sot, më shumë se kurrë, nuk kemi asnjë arsye që të pranojmë demagogjinë që bëhet në luftën ndaj ideologjisë së pankartave.
Shumica e re qeverisëse ka shumë gjëra të tjera për të cilat mund të fajësohet apo kritikohet në metrat e para të rrugëtimit të saj në pushtet sesa prania e pankartave dhe pikërisht për këtë arsye, por edhe për ndonjë motiv tjetër estetik, z. Basha mund ta dojë më shumë Enverin sesa kryeministri Rama, pasi erdhi në pushtet edhe përmes komunistëve dhe sot nuk mund të bëjë më opozitë me ushqim komunistësh.  Në mos sot, nesër ky pankartë-mbajtës do t’i japë sërish pushtet z. Basha dhe pasnesër ky i fundit do të bëjë prapë demagogji me qytetarët teksa shan “kryeministrin komunist” të radhës.
Boll më me demagogji.
 
Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit