Rezultati i të zgjedhurve apo të përzgjedhurve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike doli në mbrëmjen e datës 29 shtator pasi kutitë qëndruan për rreth 12 orë në selinë e PD-së. Në zbatim të statutit të PD-së, u vendos që për dy javë të merreshin nën shqyrtim ankimimet që mund të kishin kandidat të caktuar për Këshillin Kombëtar, proces ky që ngjan edhe me zgjedhjet që kryen shteti. Por kjo gjë mesa duket ka zgjatur disi më shumë se sa ishte parashkruar, sepse mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së është shtyre.

Më parë ishte përcaktuar se kjo mbledhje do të bëhej ditën e hënë, por që mesa duket nuk do të zhvillohet pasi sipas procedurës, mbledhja duhet të njoftohet nga kryetari i PD-së pesë ditë para dhe deri tani Basha nuk e ka bërë një njoftim të tillë.