TIRANË - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha para takimit me aleatët në selinë blu, tha se cilido sistem zgjedhor të miratohet do të dështojë nëse nuk garanothet ndarja e politikës nga krimi, ndalja e blerjes së votave dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore nga një drejtësi e pavarur. Fajin nuk e ka sistemi, tha kryedemokrati, dhe kjo alibi është e dështuar.  Sipas Bashës, vendi është në krizë të thellë politike, duke i dhënë përgjigje deklaratës së kryeministrit Edi Rama nga Vjena, se kriza politike në Shqipëri është artificiale. Megjithatë, ai tha se këtë vit do t'i jepet fund krizës politike, por nuk dha detaje se si do të realizohet kjo.

"Kam qenë dhe jam i hapur dhe e kemi shprehur për të diskutuar me të gjithë qytetarët se cili sistem zgjedhor do të aplikohet. Nisur nga praktikat e 7 viteve të fundit mund të themi se cilido sistem do të dështojnë nëse nuk garantojmë ndarjen e zgjedhjeve nga krimi. Alibia se fajin e ka sistemi mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, për kapjen e gjithë kupolës së PS duke blerë vota. Shqipëria sot është në një krizë emigracioni. Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe jo Ramën. Vendi është në një krizë të thellë politike. Këtë shqiptarët e ndjejnë në lëkurën e tyre. Këtë shqiptarët e ndjejnë në mungesën e theksuar të shtetit. Sot janë braktisur mijëra familje. Pushteti i tij personal e ka zhytur vendin në një krize legjitimiteti. Axhenda ime është ekonomia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Në funksion të kësaj jemi gati të hedhim çdo hap", tha Basha.

Sa i përket konfliktit SHBA-Iran, kryetari i Partisë Demokratike tha se si  minisër i Jashtëm ishte krenar që e rreshtoi Shqipërinë krah NATO-s dhe SHBA-ve."Liria dhe demokracia e vërtetë ka një çmim të lartë. Në kuptimin e brendshëm, shqiptarët po e kuptojnë, e kanë kuptuar tashmë, se pa luftuar për demokracinë ditë për ditë, ajo rrezikon të zhduket nën peshën e një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar. Po kështu, liria ka një çmim të lartë ndërkombëtarisht dhe unë jam krenar që, si ministër i jashtëm, kam rreshtuar Shqipërinë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe besoj fort se kjo aleancë vlerash, mbi të gjitha, është një aleancë e lirisë, dinjitetit njerëzor. Ndaj dua të shpreh edhe njëherë në emrin tim, në emër të PD dhe në emër të opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë, që e kemi bërë të ditur prej orës së parë të zhvillimit të ngjarjeve, përkrah SHBA, përkrah vlerave të lirisë dhe demokracisë", përfundoi Basha.