Kryetari i Partisë Demokratike ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë negociata me kryeministrin Edi Rama, e ndërsa ka përgatitur një skenar të ri për të bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Gazetari i Report Tv, Elis Memelli bën me dije se në mbledhjen e sotme të Bashës me kryesinë e PD është vendosur që të intesifikohet aksioni opozitar në të gjithë vendin për të ndaluar mazhorancën të zhvillojë zgjedhjet, e më konkretisht në qytetet ku Rama ka takime elektorale.

“Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”,- sqaron Kryesia e PD.

Kryedemokrati Basha ka zhvilluar një sërë takimesh pasditen e sotme. Në fillim u takua me krerët e partive aleate dhe më pas u zhvillua mbledhja e Kryesisë së PD. Në përfundim të mbledhjes, aleati kryesor i Bashës, Fatmir Mediu është shprehur se partitë opozitare nuk kanë ndryshuar qëndrim, ku kërkohet zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa Ramën kryeministër. 

"U diskutua angazhimi i opozitës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa dyshim që qytetarët do të qëndrojnë deri në fund për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa Ramën kryeministër", tha Mediu.

Këto zhvillime të njëpasnjëshme në kampin blu, vijnë pak orë pasi presidenti Meta firmosi "live" zhdekretimin e datës së zgjedhjeve.