Basha mbyll protestën pas 4 orëve (VIDEO)

Me një fjalim në selinë e Partisë Demokratike, lideri demokrat Lulzim Basha përmbylli pas 4 orëve, protestën e radhës të opozitës kundër qeverisë.

Basha e quajti protestën më të madhe dhe të pashoqe, teksa falenderoi qytetarët. 

"Mirënjohjen më të thellë për ju, qytetare e qytetarë të Tiranës e të të gjithë Shqipërisë për këtë protestë të pashoqe në historinë e pluralizmit, në historinë e Shqipërisë moderne. Mirënjohje për këtë qëndresë monumentale për orë të tëra, në këtë natë, në këtë muzg të tiranisë e të bandës kriminale në pushtet dhe në këtë lindje të lirisë së re, demokracisë evropiane për çdo shqiptare e çdo shqiptar.

Vëllezër e motra, ju morët me vete dhe bashkuar në këtë protestë, më të madhen e historisë tonë kombëtare, dritën e shpirtit tuaj, dhe e ndriçuar kësisoj rrugën, shtegun, horizontin e shpresës, i cili do të kalojë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do t’i rikthejnë vendit parlamentin legjitim dhe qeverinë legjitime që votojnë qytetarët e lirë shqiptarë.

Por vëllezër dhe motra, sot, të nëntën protestë në 8 javë, të tretën kombëtare,  ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e EdiRamës si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vëllezër e motra, një betejë e jashtëzakonshme është zhvilluar sot. Ata u munduan ta shpërndanin këtë protestë akoma pa filluar, me lajme të rreme, me terror, me shoqërime dhe mbi të gjitha me makinerinë e poshtër të propagandës, që punon natë e ditë e që ushqehet me paratë që u grabiten qytetarëve shqiptarë, ushqehet me paratë e bukës së fëmijëve të shqiptarëve. Nuk ia doli dot. Dhe megjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot, me 13 prill 2019 protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar dhe të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore.

Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe të oligarkëve, armiqve publikë të popullit shqiptar, sot u sollën edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj fëmijëve e të rinjve, ndaj qytetarëve protestues. E pra, le ta dijë, se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran.
Tik-tak, tik-tak, tik-tak...

Por përgjigjja e sotme, përmes bashkimit më të madh që ndonjëherë shqiptarët kanë bërë dhe bashkimit më fisnik, për një kauzë jetike, si liria, demokracia dhe drejtësia e vërtetë; ky bashkim i madh dhe ky leksion i madh do të vazhdojë ditë e natë. Sjelljes prej pushtuesi ndaj popullit të tij, Edi Rama dhe klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar çdo ditë, çdo natë, kudo ku të ndodhen shqiptarët e lirë, duke e trajtuar si pushtuesin e institucioneve demokratike që është.
Ndaj, le ta vazhdojmë këtë betejë, sepse jemi në rrugën e sigurtë të çlirimit të vendit nga klika kriminale. Jemi sot shumica morale, shumica politike dhe shumica fizike e shqiptarëve të bashkuar “për Shqipërinë si e gjithë Evropa”.

Nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me zotimin e madh për të ndërtuar mbi gërmadhat e diktaturës së krimit dhe tiranisë së korrupsionit të Edi Ramës, vlerat e vërteta të Demokracisë. Të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe të respektit për lirinë, pronën, shëndetin, jetën, mirëqenien e çdo shqiptari dhe çdo shqiptarje, pavarësisht prej bindjeve politike, origjinës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Ne do të bëjmë të mundur që çdo sakrificë e këtyre betejave, çdo sakrificë e gjithësecilit secilit prej jush, e çdo qytetari shqiptar, të kujtohet me krenari dhe mirënjohje të thellë si themeli i shqipërisë së vërtetë europiane.

Ndaj le t'i marrim me vete gjithçka që përjetuam sot, për ta rritur dhe forcuar vendosmërinë dhe përgatitjen tonë për ti shkuar betejës deri në fund dhe për tu treguar sot fëmijëve tanë, e nesër brezave që do të vijnë; se natën kur vendosej fati i Shqipërisë, nëse do të zhytej në errësirën e krimit dhe të korrupsionit për shkak të indiferencës, për shkak të korrupsionit të mediave, për shkak të rënies së shoqërisë civile, për shkak të një grushti oligarkësh armiq të popullit që grabitën gjithçka, dhe se do të ja dilte po ajo natë ti ulte kokën popullit, apo nëse do të ishte nata e fundit e tiranisë. Ne nuk e ulëm kokën, ne nuk heshtëm, nuk pushuam, ne u bashkuam, protestuam dhe fituam.

Le të kumbojë ky mesazh besimi total në fitoren e betejës tonë dhe të kauzës tonë. Le të bëhemi gati për çlirimin e Shqipërisë në çdo cep të saj nga klika kriminale e Edi Ramës. 

Sovrani foli sot, sovrani vendosi se Shqipëria e shumicës, shumicës së përjashtuar, shumicës së vjedhur, shumicës së torturuar, shumicës së gjobitur, shumicës së burgosur, të poshtëruar, të shantazhuar, do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet, të njerëzve me krenari, të njerëzve që do të ndërtojnë këtu jetën e tyre, përmes vendeve të punës me rroga e kushte dinjitoze. Dhe mbi të gjitha me liri, me dinjitet, me dashuri për njëri-tjetrin, këtu në Shqipërinë tonë dhe jo në emigracion. Ndërsa Shqipëria e vogël e kriminelëve, e oligarkëve, e Edi Ramës dhe e politikanëve të korruptuar, do të varroset në arkivat e zeza të kombit. 

Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!" tha Basha.


Lajmi kryesor:

4 orë dhunë e tentativa për të sulmuar Kuvendin, Basha: Ja dolëm të mbanim protestën më të madhe (VIDEO)


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë për ushqimore në vend

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë për ushqimore në vend