Basha me BB: Paligjshmëria e
arbitrariteti sollën rënie ekonomike

TIRANE- Kryetari i PD, Lulzim Basha, priti dje një delegacion të Bankës Botërore kryesuar nga zëvendëspresidentja për Europën dhe Azinë Qëndrore, Laura Tuck, dhe ndau me ta shqetësimin e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për mungesën e transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mossundimi i ligjit.

Duke analizuar zhvillimet në ekonomi të 9 muajve, ai tha se rritja e nivelit të borxhit publik, e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë. Megjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.

Duke iu referuar raporteve të insitucioneve finaciare që konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik. Shumë shqetësuese e cilësoi kreu i opozitës dhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë përsa i përket vendimarrjes në tërësi dhe prokurimeve publike në veçanti, çka dëshmon për rritje të informalitetit e korrupsionit. Basha informoi për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit, e moszbatimi i vendimit të gjykatave.

Duke u ndalur tek shkelja e Kushtetutës, në rastin e moszbatimit të ligjit për nëpunësin civil, Basha tha se pasojat ishin dramatike për vendin pasi mundësuan një spastrim masiv në administratë. Delegacioni i lartë i BB u njoh dhe me një tjetër zhvillim negativ për demokracinë në vend, që ka të bëjë sipas Bashës me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura. BB e vlerësoi shkëmbimin e informacionit dhe pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me PD.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve