TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratke, Lulzim Basha ka dhënë sot një mesazh në ditën e shenjtë të Ashures, duke uruar të gjithë besimtarët   bektashinj.
Basha tha se "Jam i ndërgjegjshëm që këtë ditë e uroj në një kohë të vështirë për qindra mijëra bashkëqytetarë, për një kohë ku ata jo që nuk ndihen të çliruar por ndihen më të shtypur nga tirania e varfërisë, e pamundësisë ekonomike, dhe nga tirania e padrejtësisë,
"Bashkë me urimin tim shpreh dhe shpresën dhe lutjen që duke besuar tek triumfi i të mirës mbi të keqen ",  tha kreu i opozitës shqiptare.
"Në një ditë me bilanc tragjik për kryeqytetin si sot, nuk është e lehtë të projektosh këtë urim shprese. Eshtë akoma më e vështirë të rrëmosh në shkaqet e vërteta të fatkeqësisë apo të fatkeqësive me të cilat përballet shqiptarët çdo ditë. Por është akoma më e pamundur të ecet përpara, në qoftëse nuk ndalemi dhe nuk kuptojmë shkaqet e përkeqësimit, të thellimit të varfërisë, pamundësisë ekonomike, të rritjes së pamundësisë. Një shoqëri e drejtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe të gjithë jemi të barabartë para ligjit, vjen mbi të gjitha si vullnet. Si vullnet i vendimmarrësve dhe kur ky vullnet mungon, është koha e sovranit, është koha e qytetarëve, është koha e popullit, ta kërkojnë dhe ta marrin me çdo mjet". u shpreh Basha. /ATSH/