PGRADEC-Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë sot në qytetin e Pogradecit, ku në fokus të fjalimit të tij ka zënë një pjesë të rëndësishme, Klevis Balliu, i arrestuar dy ditë më parë. Duke folur me pogradecarët, kryedemokrati vuri në dukje mungesën e tij, e ndërsa dha edhe mesazhin që Balliu ka dhënë nga burgu.
"Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëve,e që po i dhunonte policia. Unë jam krenar për Klevis Balliun, e di që edhe ju jeni krenar për Klevis Balliun. Dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort, edhe më të bashkuar në krah të njerëzve, në krah të kauzës tonë për liri dhe demokraci. ta tregojmë veten. Ky është mesazh për të gjithë ju e në veçanti për rininë e Pogradecit, ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë", tha Basha.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu u arrestuar dy ditë më parë për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Ish-deputeti u shoqërua rreth orës 11:00 nga forcat e policisë, teksa së bashku me disa banorë të zonës së "Astirit" bllokuan rrugën, në tentativë për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Edi Rama.
Takimi i Bashës në qytetin e Pogradecit doli paksa nga kornizat e një fjalimi politik. Ai i mori celularin një nga pjesëmarrëse në këtë takim, për të bërë një krahasim mes ndryshimit të madh të epokave dhe në ato momente dikush e merr në celular. Emri i vajzës që mori djalin ishte shënuar me një ikonë me sytë zemra, gjë që shkaktoi të qeshura, pasi Basha e lexoi me zë të lartë. Meqë shkeli privatësinë e një simpatizanti të PD, Basha e kompensoi duke dhënë një detaj nga marrëdhënia e tij me bashkëshorten, Aurela.
"Pogradeci, qytet i dashurisë. Nuk e them kot. Sot kam 15-vjetorin e martesës dhe lidhjen me Aurelën e kam pagëzuar në Pogradec. Meqë të lexova diçka personale, të tregova diçka personale", u shpreh Basha.