Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi paraditen e sotme disa familje të strehuara tek një godinë në Unazën e Re. Godina, sipas liderit të PD-së ishte planifikuar të prishej nga projekti kundër të cilit protestuan banorët e Unazës, por tani është bërë streha e rreth 100 banorëve të prekur nga tërmeti, mes të cilëve 30 fëmijë. Basha thotë se ata ndihmohen në mënyrë vullnetare nga strehimi deri tek ushqimet dhe ilaçet, pasi nga bashkia apo qeveria nuk ka ardhur asnjë ndihmë. “Kushtet mund të mos jenë optimale, por janë ofruar me zemër nga këta njerëz që kanë përjetuar një lloj tjetër tërmeti, tërmetin shtetëror. Këtu ka nevojë për ushqime, pajisje, tavolina, karrike, ka shumë fëmijë që po trajtohen vullnetarisht nga psikologë dhe studente të psikologjisë, të cilat i falënderoj. Shumëkush ka ardhur, kanë kontribuar financiarisht, por ka ende shumë nevojë për ndihmë materiale.
Ka akoma mundësi për të strehuar edhe disa familje të tjera, por ndërkohë mundësitë për të kontribuar me ushqime dhe orendi janë të pakta. Ne do të bëjmë ç’është e mundur si opozitë për të furnizuar këtë qendër dhe qendra të tjera përmes kontributeve vullnetare, tona dhe të mbështetësve tanë. I bëj thirrje kujtdo që mund të kontribuojë, të kontribuojë në këtë qendër që ndohet këtu në zonën e “Unazës së Re”. Dua të falënderoj ata që kanë hapur dyert dhe zemrat dhe kanë treguar se shqiptarët në raste të tilla fatkeqësie dinë të jenë një familje e madhe me një zemër shumë të madhe. Dhe ky është një shembull prekës dhe emocionues i kësaj zemre të madhe të shqiptarëve në vështirësi, për njëri tjetrin”u shpreh Basha.
“Po tregoni se keni një zemër të madhe, sepse e njihni vuajtjen për shtëpinë. Ilaçet janë siguruar deri tani nga vullnetarët, por kujdesi mjekësor i specializuar duhet të mos mungojë” tha Basha. "Tani edhe sikur të vdes nuk jam pishman. Rrofshin këta që më sollën këtu. Ika këmba doras që hapa derën pas tërmetit. Dua të rroj që t'u shikoj juve" i tha një e moshuar, Lulzim Bashës. Disa prej banorëve të tjerë, të zhvendosur nga Kombinati, Vora, Nikla, Ishmi dhe Bubqi treguan vuajtjet. “Kemi bërë kërkesë që kur është dëmtuar në shtator, askush s’na ka parë. Kemi jetuar prapë në atë banesë se nuk na kanë dhënë zgjidhje“- tha një banor i Zall Bastarit, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD-së.
Lajmi kryesor: