MOBILIZIMI/ Rama: Viti i Ri s'duhet të gjejë asnjë rrënojë të papastruar! Basha në qendrën humanitare tek Unaza e Re

MOBILIZIMI/ Rama: Viti i Ri s'duhet të gjejë asnjë rrënojë të papastruar! Basha në qendrën humanitare tek Unaza e Re

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ka nisur ditën me një falënderim për Policinë Bashkiake: Ia dolëm të mobilizohemi në kohë rekord. Nga Londra, ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s, kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër lajm për të prekurit nga tërmeti. Rama thotë se viti i ri nuk duhet të fjejë asnjë rrënojë të papastruar në Durrës dhe Thumanë dhe në vend të tyre të sillen disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
Spiropali në Holandë: Me ndihmën e partnerëve, programi i rindërtimit do nisë të konkretizohet shumë shpejt

Ministrja e Shtetit dhe Marrëdhënieve me Parlamentin Elisa Spiropali, bën me dije se gjatë një vizite në Holandë së bashku me  ministrin e Diasporës Pandeli Majko, janë lutur në kishën e Lutherse Kerk për solidaritet dhe për shqiptarët. Spiropali ndër të tjera  tha se programi i rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të nisë të konkretizohet shumë shpejt.

Mes të tjerash ministrja shprehet se në Holandë shoqërohej nga miq të mirë politikanë, sipërmarrës, gazetarë, njerëz të artit dhe kulturës, ambasadorë,etj.

Postimi i Elisa Spiropalit:

"Hagë, Holandë Në kishën Lutherse Kerk  u lutëm në heshtje, por edhe folëm me krenari për shpirtin e pamposhtur shqiptar dhe solidaritetin ndërkombëtar në këto ditë të vështira. Me miq të mirë politikanë, sipërmarrës, gazetarë, njerëz të artit dhe kulturës, ambasadorë,etj, të cilët janë solidarizuar jo veç me dhimbjen, por edhe me kurajon tonë për t’u Ringritur Sërish. Falë edhe ndihmesës së partnerëve tanë, Programi i Rindërtimit do të nisë të #konkretizohet shumë shpejt. Nuk Dorëzohemi! Bashkë IA DALIM!" shkruan Spiropali.

Ora 22:02
Basha takohet me ushtarakët në shërbim të qytetarëve në Bubq: Mirënjohje për sakrificën tuaj

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një reagimi në rrjetet sociale u ka shprehur mirënjohje Forcave të Armatosura në 107-vjetorin e ushtrisë shqiptare.

Kreu i PD-së, shkruan se ndjen mirënjohjen për djemtë e vajzat në uniformë edhe pse në kushte shumë të vështira kanë sakrifikuar prej orëve të para të tragjedisë për tu ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga tërmeti që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit

"Mirënjohje nga zemra efektivëve të Forcave të Armatosura, djemve dhe vajzave tona në uniformë që edhe pse në kushte shumë të vështira, kanë sakrifikuar prej orëve të para të tragjedisë për tu ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga tërmeti. Krenarë për ju që si pjesë prej dhjetë vitesh e NATO-s kontribuoni me nder dhe dinjitet për paqen dhe stabilitetin kudo ne botë. Ju meritoni dhe do të keni të gjithë mbështetjen e munguar. Në këtë 107 vjetor të Ushtrisë Shqiptare ju uroj nga zemra, Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!" shkruan Basha.

Ora 21:38
Manastirliu viziton në spitalin e Traumës të lënduarit nga tërmeti: Kanë dhimbje të madhe në shpirt

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar të lënduarit në spitalin e Traumës.

“Vizitova në spitalin e Traumës Aleksin, një prej të mbijetuarve të tragjedisë së Thumanës, të cilit çdo ditë që kalon, po i lehtësohet dhimbja e trupit, por ka dhimbjen e madhe në shpirt për familjarët që humbën jetën nën rrënoja”, shkruan ministrja në postimin e saj në facebook.

Spitali Universitar i Traumës ka pritur numrin më të madh të të lënduarve nga tërmeti i datës 26 nëntor ndaj dhe Manastirliu ka vlerësuar punën e mjekëve në këtë spital.

“16 të lënduar nga tërmeti po rekuperojnë por janë ende nën kujdesin e mjekëve në spitalin universitar të Traumës, i cili ka përballuar peshën kryesore të mbi 900 të lënduarve që morën shërbim në spitalet tona si pasojë e tërmetit që goditi rëndë vendin tonë”, shkruan Manastirliu.

Përveç spitalit të Traumës, edhe spitali i Durrësit, Lezhës, Kurbinit, QSUT kanë pritur të lënduar për t’u ofruar kujdes shëndetësor. Në ditët që pasuan ekipet e mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve sociale ofruan shërbime shëndetësore dhe psiko sociale në hotele, kampe ku kishte familje që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti.

Ora 21:05
Basha: Tërmeti rrëzoi qeverinë prej kartoni, teatri qëndroi (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar ambientet e Teatrit Kombëtare, ku është takuar edhe me një grup artistësh të cilët më herët janë organizuar duke mbledhur ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Kryedemokrati Basha  ka deklaruar se tërmeti i rënë ka rrëzuar shtetin prej kartoni ndërsa teatri është monumenti i qëndresës.

“Unë po vij nga një fshat 90% e shtëpive të cilit janë të shkatërruara. I kam lënë banorët nën qese, me fëmijët nën qese, dhe nuk ka shkuar askush t’i shohë. Pa çadra, pa ushqim, pa kujdes, pa asnjë orientim nga shteti i kartonit që ka rrëzuar tërmeti i babëzisë dhe korrupsionit. Jo tërmeti natyror se atij nuk ke çfarë t’i bësh, por ai i korrupsionit dhe babëzisë ka shkatërruar një shtet të tërë. E pamë sesi i la efektivat tanë duke gërmuar me duart e zhveshura për të shpëtuar jetë, apo si i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit. Ky është tërmeti i babëzisë, që Teatrin nuk e rrëzoi dot, por për fat të keq, na ka rrëzuar shtetin dhe ka treguar se kemi një shtet prej kartoni. Teatri Kombëtar dhe Astiri jeni dy monumentet e rezistencës dhe solidaritetit”, tha Basha. 

Kreu i opozitës ka refuzuar tashmë ftesën e qeverisë por tu ulur dhe për të hartuar së bashku programin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ora 17:12
Basha në Bubq: Mirënjohje e thellë për të rinjtë që po ndihmojnë banorët


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një statusi në rrjetet sociale ka publikuar disa foto nga ndihmat që po dërgohen për banorët e prekur nga tërmeti. Kryedemokrati, Basha, falenderon të gjithë të rinjtë dhe vullnetarët që po ndihmojnë banorët e Bubqit në këto ditë të vështira për ta.

"Mirënjohje e thellë per të rinjtë dhe të rejat që prej ditësh po ndihmojnë banorët e Bubqit. Ata kanë ngritur një kuzhinë dhe gatuajnë drekë dhe darkë për banorët e dëmtuar nga tërmeti dhe një sistem shpërndarje bashkë me veshje dhe ilace për familjet në këtë zonë. Mirënjohje nga zemra për të gjithë ata që kontribojnë sipas mundësive që së bashku si një familje e madhe duke ndihmuar njëri-tjetrin të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e njerëzve në emergjencë."  shkruan Basha.

Ora 17:11
Rastësia i bën 'bashkë' në një lagje në Bubq, Braçe thumbon Bashën: Hajde brenda s'e s'të hamë

BUBQ- Bubqi ka bërë bashkë zv. kryeministrin Erion Braçe dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por nuk ka pasur asnjë shtrëngim duarsh as në këtë gjendje të jashtëzakonshme. Ato kanë qenë për viztë tek familje të prekura nga tërmeti, në banesa shumë pranë njëra tjetrës, por nuk janë takuar. Ka qenë Braçe që ka publikuar ndisa foto nga Basha, teksa e ka shoqëruar edhe me një përshkrim thumbues.

"Po hajde brenda ooo njeri, hajde! Nuk te ha e nuk te hame. Nuk te quhet as bashkepunim, thjesht komunikim, informim! Te hysh tek dera e te kthehesh nga rruga per kaq, ne kete situate, nuk ben!

Tani sa per ta ditur; Ne Bubq, cdo familje qe ka shtepine te goditur rende-te pabanueshme, ka marre paketen e plote te ndihmes, nga cadra tek ushqimet; Po cojme dhe ilacet tek te semuret kronike.

Nderkohe, grupet e eksperteve po bejne verifikimet shtepi me shtepi-kane mbyllur tre fshatra te medhenj deri tani. Shpresoj te te vleje!”, tha Braçe.

Ora 17:10
Bonus i qirasë për qytetarët e prekur nga tërmeti, Veliaj: Kemi thjeshtuar procedurat, këto dokumente duhet të keni për të aplikuar (VIDEO)

Çdo familje e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor, shtëpia e të cilës është shpallur e pabanueshme, do të strehohet në një banesë të re, me qira të paguar për një vit nga Bashkia e Tiranës. Dhjetëra familje me banesa të dëmtuara i janë drejtuar njësive përkatëse administrative për të aplikuar për përfitimin e pagesës së qirasë mujore, e cila mbulohet në masën 100% nga Bashkia e Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ndoqi procesin e aplikimit të qytetarëve në Njësinë 4 në Tiranë, e cila është një nga dy njësitë më të prekura nga dëmet e tërmetit. Ai theksoi se dëmet janë në pallatet e ndërtuara me punë vullnetare para viteve ‘90 ose në pallatet e reja, ku ish-komunat kanë dhënë leje ndërtimi jashtë çdo kriteri ligjor.

“Janë dy njësi të prekura shumë: Njësia 4 dhe 6. Dëmet janë në grupe pallatesh, që siç thonë edhe banorët, i kanë ndërtuar vetë. Në rastin e Tiranës së vjetër kemi dy masive pallatesh të ndërtuara kryesisht nga vetë banorët, jo në mënyrë profesioniste, por me punë vullnetare, janë pallate silikate, parafabrikate, të cilët u bënë pronarë në vitin ‘93. Kurse me pallatet e reja kemi pasur probleme vetëm në zonën e Yzberishtit, të cilët janë ndërtuar në kohën kur drejtohej nga ish-komuna, me leje të dhëna nga ish-komuna, ku e ftojmë Prokurorinë ta hapë krahun sa të mundet”, deklaroi Veliaj.

Ai bëri të ditur se për t’u ardhur në ndihmë banorëve, Bashkia e Tiranës ka lehtësuar në maksimum të gjitha procedurat, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë qira banese deri në zgjidhjen e çështjes së strehimit.

 “I kemi thjeshtuar në maksimum të gjitha procedurat. Plotësohet një formular, ku shkruhet e gjithë lista e familjarëve, pastaj informacioni për banesën, cila është adresa, hapësira, si dhe Karta e Identitetit me numrin e llogarisë. Në momentin që kemi këto nga të 27 njësitë, thërrasim Këshillin Bashkiak. Fondin e kaluam dje, tani do kalojmë emrat dhe mbiemrat, sasinë e kompensimit që do të marrë secili për qiranë”, deklaroi Veliaj, teksa u kërkoi qytetarëve që të shikojnë për banesa me qira dhe të aplikojnë për të përfituar nga bonusi i qirasë.

“Do i ftoja të gjithë banorët, teksa pallati është shpallur i pabanueshëm, nga Instituti i Ndërtimit dhe është plotësuar ky formular, teksa mbledhim formularët nga e gjithë Tirana, të fillojnë të kërkojnë për shtëpi me qira. Ta prenotojnë dhe sapo t’ju kalojnë paratë, që do jetë punë ditësh, kur të miratojmë aplikimet për qira, do të kemi mundësi të hyjmë te shtëpitë e reja. Në këtë moment, me Kartë Identiteti, një aplikim, certifikatë familjare dhe llogari bankare, lekët në llogari secilit, që të sigurohemi që Viti i Ri na gjen të gjithëve brenda, pa këto shqetësime. Pastaj, kjo na jep kohë që të merremi me gjërat e tjera”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se ato pallate të cilat janë klasifikuar të pabanueshme do të rindërtohen, ndërsa ato që do të kenë nevojë për ndërhyrje, do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

“Një fitimtar nuk thotë “ububu”, por thotë: shpëtova kokën dhe për sa kohë që bashkia po më jep lekët në dorë për qira 100%, sa është vlera e tregut, kjo është më e rëndësishme. Rraqet i kompensojmë. Pallatet, kur janë për t’i rindërtuar, do i rrëzojmë dhe do i rindërtojmë; kur janë për t’i meremetuar, do t’i merimentojmë; kur kanë nevojë për disa ndërhyrje drastike për përforcim, sigurisht që do i bëjmë, por duke u futur secili në shtëpi, sigurohemi që njerëzit janë në një vend të sigurt, kanë fëmijët në një vend të sigurt dhe pastaj, si të thonë inxhinierët, ashtu do të bëjmë. Nuk do të kursejmë asnjë qindarkë për t’i riparuar ose ribërë nga e para”, u shpreh ai.

Familjet që aplikojnë për përfitimin e pagesës së qirasë duhet të depozitojnë pranë njësisë administrative ku kanë vendbanimin e tyre, dokumentacionin si më poshtë:

a. Formularin e aplikimit, i cili gjendet pranë njësisë administrative;

b. Akt konstatimi i Institutit të Ndërtimit;

c. Certifikatë familjare;

d. Numrin e llogarisë bankare, ku do të derdhet pagesa e qirasë.

Aplikimi dhe dokumentacioni, dorëzohet pranë njësisë administrative përkatëse.

Ora 14:34
Basha në Borizanë: Banorët po flenë në plasmas, koha nuk pret, shteti nuk kujtohet

Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga Borizana pak km larg Thumanës pa nga afër gjendjen duke theksuar faktin se në këtë zonë asnjë inxhinier dhe asnjë ekspert nuk ka shkruar për të parë situatën e rëndë.

"Ata qe kane mbetur jashte vemendjes jane shume. Ne Borizane pak kilometra larg Thumanes banoret qe u jane demtuar shtepite kane fjetur prej 1 jave nen streha plastmasi. Familjet e demtuara presin vleresimin e banesave nga eksperte dhe inxhiniere por deri me sot askush nuk ka ardhur.

Me thane se po detyrohen te marrin borxhe sepse shteti nuk po kujtohet tu vije ne ndihme dhe nuk kane ku te shkojne. Falenderoj kontribuesit dhe donatoret qe jane te vetmit qe kane shperndare ndihma ne kete zone, dhe bej thirrje per shtimin me urgjence te grupeve te vleresimit ne terren me qellim permbylljen sa me pare te vleresimit profesional te gjendjes se banesave. Koha nuk pret!" shkruan Basha.

Ora 13:09
Basha në qendrën humanitare tek Unaza e Re: Këta e dinë vuajtjen, se janë goditur nga tërmeti i shtetit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi paraditen e sotme disa familje të strehuara tek një godinë në Unazën e Re. Godina, sipas liderit të PD-së ishte planifikuar të prishej nga projekti kundër të cilit protestuan banorët e Unazës,  por tani është bërë streha e rreth 100 banorëve të prekur nga tërmeti, mes të cilëve 30 fëmijë. Basha thotë se ata ndihmohen në mënyrë vullnetare nga strehimi deri tek ushqimet dhe ilaçet, pasi nga bashkia apo qeveria nuk ka ardhur asnjë ndihmë. “Kushtet mund të mos jenë optimale, por janë ofruar me zemër nga këta njerëz që kanë përjetuar një lloj tjetër tërmeti, tërmetin shtetëror. Këtu ka nevojë për ushqime, pajisje, tavolina, karrike, ka shumë fëmijë që po trajtohen vullnetarisht nga psikologë dhe studente të psikologjisë, të cilat i falënderoj. Shumëkush ka ardhur, kanë kontribuar financiarisht, por ka ende shumë nevojë për ndihmë materiale.

Ka akoma mundësi për të strehuar edhe disa familje të tjera, por ndërkohë mundësitë për të kontribuar me ushqime dhe orendi janë të pakta. Ne do të bëjmë ç’është e mundur si opozitë për të furnizuar këtë qendër dhe qendra të tjera përmes kontributeve vullnetare, tona dhe të mbështetësve tanë. I bëj thirrje kujtdo që mund të kontribuojë, të kontribuojë në këtë qendër që ndohet këtu në zonën e “Unazës së Re”. Dua të falënderoj ata që kanë hapur dyert dhe zemrat dhe kanë treguar se shqiptarët në raste të tilla fatkeqësie dinë të jenë një familje e madhe me një zemër shumë të madhe. Dhe ky është një shembull prekës dhe emocionues i kësaj zemre të madhe të shqiptarëve në vështirësi, për njëri tjetrin”u shpreh Basha.

 “Po tregoni se keni një zemër të madhe, sepse e njihni vuajtjen për shtëpinë. Ilaçet janë siguruar deri tani nga vullnetarët, por kujdesi mjekësor i specializuar duhet të mos mungojë” tha Basha.  "Tani edhe sikur të vdes nuk jam pishman. Rrofshin këta që më sollën këtu. Ika këmba doras që hapa derën pas tërmetit. Dua të rroj që t'u shikoj juve" i tha një e moshuar, Lulzim Bashës. Disa prej banorëve të tjerë, të zhvendosur nga Kombinati, Vora, Nikla, Ishmi dhe Bubqi treguan vuajtjet.  “Kemi bërë kërkesë që kur është dëmtuar në shtator, askush s’na ka parë. Kemi jetuar prapë në atë banesë se nuk na kanë dhënë zgjidhje“- tha një banor i Zall Bastarit, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD-së.

Ora 09:22
Rama mesazh nga Londra: Viti i Ri s'duhet të gjejë asnjë rrënojë të papastruar në Durrës e Thumanë! Në vend të tyre parqe kujtese

Nga Londra, ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s, kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër lajm për të prekurit nga tërmeti. Rama thotë se viti i ri nuk duhet të fjejë asnjë rrënojë të papastruar në Durrës dhe Thumanë dhe në vend të tyre të sillen disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie.

Rama ka kujtuar të gjithë dhuruesit për adresën ku mund të dhurojnë ndihma për të prekurit nga tërmeti.

Postimi i plote

Ti nuk do jesh kurrë vetëm.Viti i Ri s’duhet të gjejë asnjë rrënojë dhimbjeje të papastruar në Durrës e Thumanë dhe në vend të tyre, duhet të sjellë edhe disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie

https://e-albania.al/dhuro

Ora 08:47
Veliaj e nis mëngjesin me një falënderim për Policinë Bashkiake: Ia dolëm të mobilizohemi në kohë rekord

Mëngjesi i sotëm nisi me një falenderim për të gjithë punonjësit e policisë bashkiake nga ana e kryetarit të Bashkisë se Tiranës për punen e tyre gjatë tërmetit.  Nga ambientet e drejtorisë së këtij institucioni, kryebashkiaku deklaroi se Tirana diti të mobilizohet dhe të përballojë edhe këtë sfidë. 

“Doja që të isha këtu para se të shpërndaheshit për punën e ditës. Ndonjëherë na merr rrëmuja, na merr paniku, na marrin emergjencat, dhe harrojmë t’i themi njëri-tjetrit fjalën më të rëndësishme që është faleminderit. Doja që të isha sot në mëngjes për t’ju thënë faleminderit për përballimin e shtatë ditëve ndoshta më të jashtëzakonshme në 100 vitet e këtij qyteti. Tirana ka parë shumë histori, shumë ndodhi dhe ngjarje. Për disa kemi qenë të përgatitur, kemi ditur se kur kemi qenë në luftë, kemi ditur se kur kemi qenë në komunizëm dhe fukarallëk, por kjo që na ndodhi është një diçka që nuk ishim të përgatitur”, tha Veliaj.

Veliaj vlerësoi mobilizimin e shpejtë të gjithë efektivëve të policisë bashkiake, të cilët, pavarësisht se janë edhe vetë familjarë, arritën në kohë rekord të ishin në shërbim të qytetarëve. “Jam i sigurt që në atë kohë secili prej jush fillimisht ishte prind, bashkëshort, bir. Por fakti që në orën 4 në të gjithë territorin e Tiranës Policia Bashkike ishte në krye të detyrës, më bëri të kuptoj që thirrja e detyrës ishte po aq e shenjtë dhe e lartë po aq sa edhe thirrja e të qenit familjar.  Dhe për këtë ju vlerësoj jashtë mase. Nuk e kisha menduar kurrë që pa bërë një parapërgatitje, në punë minutash secili kishte lënë shtëpinë kishte marrë uniformën për të qenë në krye të detyrës”, theksoi ai, ndërsa shtoi se Tirana në kohë rekord përballoi emergjencën.

“Gjëja e parë që është më e rëndësishme është që patëm një evakuim në kohë rekord. Një qytet me një milionë banorë, vetëm me 300 apo 400 trupa që kemi ne në maksimumin tonë, është një ushtrim ndoshta nga më të jashtëzakonshmit. Dhe fakti që Tirana u evakuua në pak minuta, një evakuim ndoshta që po ndodh edhe në këto 7 ditë. Kemi evakuuar deri tani rreth 50 pallate dhe kemi akoma për të evakuuar sot. E kuptoj që është një nga gjërat më të vështira, një polic nuk është vetëm dikush me uniformë që merr një person fizikisht nga vendi A në B, por është edhe psikolog, këshilltar, edhe të sillet si një motër a vëlla për të shpjeguar që jeta është më e rëndësishme se rraqet që ne mund t’i rikuperojmë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se sikurse u punua këtë javë, e njëjta devotshmëri të  jetë edhe në ditët e ardhshme. Veliaj theksoi se kur shqiptarët bëhen bashkë, ata kanë ditur gjithmonë t’ia dalin. “Do të doja që me të njëjtën devotshmëri që kemi punuar këto 7 ditë, dua të punojmë edhe 7, 70 ditët, apo 70 muajt e ardhshëm. Jam i bindur që kjo nuk do të jetë një krizë që do të kalojë lehtë. Qyteti i Tiranës ka marrë një grusht që e ka çuar mbrapa 10 vite. Nëse 2015 na dukej një katrahurë që duhej rikuperuar, kjo realisht na ka çuar mbrapa, do të thotë që do të duhet të bëjmë shumë investime për të rikuperuar hapësira publike apo edhe pallatet që të vijnë në vendin e duhur. Ajo që kam parë këto 7 ditë është që kur ne shqiptarët jemi bashkë, jemi të bashkuar, kur pjesa e policisë merret me emergjencat, kur pjesa e Bashkisë merret me institucionet, ne mund të bëjmë gjëra që s’kanë ndodhur më para. Dje kemi hapur 98% të kopshteve dhe çerdheve”, theksoi Veliaj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Teatri mbijetoi: 05/12/2019 03:56

    Por ha do Ti mbijetosh Ti,, Drejtesise dhe Amerikaneve dhe Evropes.

    Përgjigju
  • pronari: 04/12/2019 15:49

    Po keto pronaret e pallateve qe spo duken gjekundi.. ca do behet me keto muret qe na kane rene..

    Përgjigju
  • Edi: 04/12/2019 12:14

    O shqiptarja, nuk e morem vesh a e zbatoi Lal bojaxhiu urdhrin e te madhit per te lyer pallatin ne 5 te mengjesit apo jo.Se nuk pame ndonje kronike per kete pune.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai