Ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha kaloi ditën e sotme pragun e Prokurorisë së Posaçme, më shumë se një vit pas regjistrimit të hetimeve për tragjedinë e 21 janarit, ku u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni për këtë çështje.

Por, për analistin Mentor Kikia, i ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, pas Bashës në SPAK duhet që të thirret edhe Sali Berisha, i cili në atë kohë ka qenë kryeministri i vendit.

Kikia tha se Basha si ish-ministër i Brendshëm nuk kishte kompetenca për të dhënë urdhra për të qëlluar në drejtim të protestuesve.

‘Ishte një protestë e dhunshme pas atyre që ndodhën në ’97, por historia ka mbetur kush tha qëlloni. Ka mbetur tek kryeministri, sepse ai tha se nuk do e lëshojë godinën, sepse ishte thënë se do të pushtonin selinë. Nëse ka një urdhër nga ai, ai mbahet përgjegjës për viktimat që kanë mbetur në atë protestë. Basha ka thënë unë s’kam dhënë urdhër dhe s’ka pasur detyrë që ta jap edhe sikur. Është tjetër gjë që të thotë unë nuk dhash urdhër dhe unë nuk e dhash urdhër por e di se kush e ka dhënë. Duhet të thirret edhe Berisha për këtë çështje duke qenë se hetimet kanë mbërritur deri këtu. Bëhet fjalë për përgjegjësinë e atij që urdhëroi të shkohet këtu. Sepse me historinë e plumbave është mbaruar’, tha ai.

Analisti Arben Meçe tha se për ‘21 janarin’ drejtësia e ka deformuar çështjen gjatë këtyre viteve, ndërsa provat u zhdukën.

‘Duke pranuar që Basha është thirrur për 21 janarin. U desh vendimi i Strasburgut që e detyronte, sepse familja e Aleks Nikës la sfiduar kohën dhe ka qenë ajo që ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së 21 janarit. Berisha dilte në media dhe deformonte ngjarjen për 21 janarin. Është dhënë një urdhër dhe dy persona kanë qëlluar dhe vrasja u bë e qëllimshme në vende të ndryshme që të ngrihej skenari që i vranë vet. Basha si ministër mbanë përgjegjësi. Nuk duhet parë tek vrasja por tek qëllimi dhe tentativa për të deformuar atë dhe për të  zhdukur provat’, tha ai.

Teksa u ndal tek tragjedia e Gerdecit, Meçe deklaroi se ajo ngjarje nxori zbuluar korrupsionin që ishin në qeverinë e Berishës në atë kohë.

Gërdeci ka 26 viktima dhe është një nga ngjarjet nga më të rëndat. Për mua problemi nuk ka qenë teknik. Është shfaqje e hapur e korrupsionit më të madh të bërë në qeverinë Berisha lidhur me trafikimin e armatimit të rëndë drejt vendeve të lindjes. Mediu është një nga instrumentet e përdorur në atë proces’, tha ai.

Eksperti për Sigurinë Faik Basha, tha se ish ministri i Drejtësisë Lulzim Basha ka informacione lidhur me 21 janarin pasi ka qenë numri dy në atë kohë pas Berishës.

‘Ne mund ta mendojmë se ishte për 21 janarin Basha në SPAK, sepse është e vetmja çështje që e përfshinë Bashën si drejtues i Ministrisë së Brendshme. Kush është detyra e tij, çfarë informacione ka pasur, a ka pasur një plan masash për këtë protestë sepse ka pasur informacione që do të ishte e dhunshme. Ministri e Brendshëm në situata të tilla duhet të marrë masa edhe me ministritë e tjera, pse u la garda e vetme nëse do isha unë këto pyetje do ti bëja. Pse ishin armët e zjarrit sepse në tubime nuk duhen. Basha ka informacion të mjaftueshme sepse ka qenë numri 2 pas kryeministrit sepse merret me organizimin e mbrojtjes’, tha ai.

Avokati Redi Rama, tha se 21 janari është lënë me qëllim pa hetime, pasi provat humbasin vlerën pas kaq shumë vitesh.

‘Me qëllim është lënë pa hetuar për të arritur në këtë pikë që flasim pas shumë vitesh. Është e vështirë për të rikuperuar provat që të përdoren në proces. Edhe predha që është gjetur në një nga viktimat thuhet se nga ato që kemi dëgjuar nga prokurorët nuk mund të bëhet më akt ekspertimi sepse është shbërë, është thermuar’, tha ai.