MAT- Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar se është dakord për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme në të njëjtën ditë, (pa specifikuar një datë konkrete) por ndryshe nga propozimi Metës, nuk ka kërkuar që të zhvillohen edhe zgjedhjet për presidentin. Nga Mati, ku ishte në një takim me strukturat e PD-së, Basha tha se nuk ka hequr dorë nga kushti i tij, largimi i Ramës nga posti i kryeministrit, sipas së cilit është e vetmja mënyrë për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit politik dhe zhvillimit ekonomik, teksa nuk i ka kursyer akuzat se Rama është shkaktar kryesor për krizën politike që po kalon vendi.

“Do të vazhdojmë me denoncimet dhe  me protestat, si mjet për një nga qëllimet e pandryshuara të opozitës: zgjedhje të parakohshme parlamentare me qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër dhe zgjedhje lokale legjitime në një ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rrugën e zhvillimit po e pengon dhe e po e bllokon Edi Rama. Hajdutëria e tij, babëzia e tij, pakti me oligarkët, janë arsyet se pse vendi është varfëruar, pse buxheti i shtetit nuk shkon në shërbim të qytetarëve, por vidhet për t’i shërbyer Edi Ramës dhe klikës së tij, pse pasuritë e pafundme të Shqipërisë,  në vend që të shërbejnë për mirëqenien e njerëzve, pasurojnë një grusht oligarkësh dhe varfërojnë pjesën tjetër të vendit”- u shpreh kreu i opozitës në Mat.

Presidenti Ilir Meta nga ana e tij ka shpallur 13 tetorin si datë të zgjedhjeve vendore, me një dekret të vlerësuar nul nga ana e mazhorancës, njëjtë si ai që zhdekretoi 30 qershorin. Por ofertën për zgjidhjen e krizës politike, Meta e bëri duke propozuar tre zgjedhje më 13 tetor, të cilat janë pranuar nga partia që drejtohet nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe së fundi, edhe nga Lulzim Basha ndonëse nuk ka qenë dakord për zgjedhje për presidentin.