RROGOZHINË- Kreu i PD, Lulzim Basha, duke e cilësuar 30 Qershorin si një farsë antikushtetuese, ka deklaruar se datën e re të zgjedhjeve e vendos Presidenti. Edhe pse në mënyrë jo direkte duke se Basha është dakord që të ketë zgjedhje me 13 tetor, pasi kjo është data që Presidenti Meta ka dekretuar për zgjedhjet lokale. Ky qëndrim i Bashës vjen dy ditë pasi aleatët e tij të djathtë i dolën kundër duke pranuar 13 tetorin si datë të re për zgjedhjet lokale. Aleatët e PD kërkojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, për këtë arsye i kanë dërguar edhe një letër KQZ-së për nisjen e proceduarave. Dokumenti dy faqesh që Shqiptarja.com disponon mban firmën e kreut të PR, Fatmir Mediut, kreut të PAA-së Agron Duka dhe Sekretarit të Përgjithshëm të LSI Endri Braimllari, ku kërkohet respektimi i dekretit të presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit dhe caktimit të datës së re, të 13 tetorit. Pra edhe LSI që është partia e dytë më e madhe opozitare prej disa kohësh ka mbajtur qëndrim të kundërt me Bashën dhe ka deklaruar se do të hyjë në zgjedhje më 13 tetor. Po kështu me 13 tetorin kanë rënë dakord edhe kryebashkiakët e djathtë, ku i pari që ka dalë kundër Bashës është Xhelal Mziu në Kamëz, qytet ky që njihet si bastion i djathtë.

Megjithatë kreu i opozitës nuk ka komentuar qëndrimin e aleatëve të tij për të hyrë në zgjedhjet e 13 tetorit.

30 Qershori ishte një farsë antikushtetuese që u zhvillua në dhunim flagrant të dekretit të Presidentit, kur me Kushtetutë, i vetmi që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti. Po me Kushtetutë, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese e cila nuk ekziston, sepse e shkatërroi me zell dhe me mburrje Edi Rama për t’i marrë ai pushtetet e Gjykatës Kushtetuese.”- tha Basha në një takim në Rrogozhinë me strukturat e Partisë Demokratike.

Sipas Bashës edhe raportimet paraprake të OSBE-ODHIR-it kanë konfirmuar paligjshmërinë e 30 qershorit.

“30 qershori është i paligjshëm dhe kriminal që në themel, sepse modeli shqiptar i kontrollit të zgjedhjeve, balanca politike, u shkatërrua, opozitës iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe Komisione e qendra votimi. I paligjshëm dhe kriminal sepse në gjysmën e rasteve u kthyem në votimet e diktaturës me një kandidat. Aty ku nuk kishte një  kandidat, kandidati tjetër ishte i paligjshëm, siç ishte e paligjshme paterica që krijoi Edi Rama një ditë para ditës së zgjedhjeve, me mercenarë të shitur të Edi Ramës.”- u shpreh zoti Basha.

Basha theksoi se për të mbuluar braktisjen nga shqiptarët, Rama përsëriti skemën e dosjes 339 dhe 184, duke detyruar përdhunshëm vajtjen në votime të dhjetëra – mijëra votuesve, që lanë gjurmët e tyre dhe i bënë fletët e votimit të pavlefshme. “Pavlefshmëria e 30 qershorit ka marrë vulën që nuk e ka asnjë proces politik në 30 vite pluralizëm. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e 30 qershorit, refuzuan regjimin dhe u bënë pjesë e shumicës “Rama ik”. 30 qershori është nul. Uzurpimi i dhunshëm i pushtetit vendor është kriminal. Shumë shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Rrogozhina nga Kavaja, Durrësi, Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria.”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha.