Për Lulzim Bashën sulmin ndaj selisë se Partisë Demokratike e ka urdhëruar Sali Berisha. Kryetari i PD-së ka nxjerrë një video, ku sipas tij Berisha paralajmëroi, orkestroi dhe dirigjoi sulmin kundër PD.

'Sali Berisha e paralajmëroi, orkestroi dhe dirigjoi te gjithë sulmin e dhunshëm mbi selinë e PD në 8 janar. Ndonëse e dinte fare mirë që në seli ndodheshin deputetë dhe drejtues demokratë, ai nuk i kurseu urdhrat për mercenarët që të godisnin zyrat e partisë. Të gjithë e dinim që ai do të bëhej i dhunshëm. Dhuna ishte qëllimi i tij që nga fillimi.'- shkruan Basha.

 

Nuk dihet nëse policia dhe grupi i hetuesve i kanë marrë në shqyrtim pamjet ku Berisha shfaqet duke udhëzuar turmën, për t'i kërkuar më pas një sqarim. Mbështetësit e Berishës kishin shkuar dje në godinën e PD të përgatitur, ndërsa janë filmuar duke mbajtur në duar qese me pllaka guri.

Ndërkohë 34 persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura dje në Selinë e Partisë Demokratike. Policia njoftoi se personat e arrestuar akuzohen për "Organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Berisha në vendin e krimit, Alibeaj: Dështoi që bashkë me Ramën të nxjerrë arkivole nga PD

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj thotë se Sali Berisha dështoi që bashkë me Edi Ramën të nxjerrë arkivolë nga selia e PD-së. Alibeaj shkruan në një postim në rrjetet sociale se Sali Berisha u rikthye në vendin e krimit dhe siç ka bërë gjithë jetën e tij vazhdon të gënjejë dhe të nxisë dhunë.

“Sali Berisha u kthye në vendin e krimit. Ai sot siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij vazhdoi të gënjejë dhe të nxisë dhunën, tashmë kundër demokratëve. Halli i Sali Berishes sa vjen dhe rritet e bashkë me të rritet edhe gjuha e dhunës dhe e urrejtjes. Dje ai dështoi bashkë me Edi Ramën që të nxjerrë arkivole nga PD, ndërsa sot vjen vërdallë si kufomë politike për të mashtruar dhe zgjatur sado pak agoninë e tij” shkruan Alibeaj.

Kujtojmë se Garda e Republikës mori në mbrojtje dje deputetin Enkelejd Alibeajn, pas një deklaratë tronditëse të ish-deputetit Spartak Braho, i cili tha se në protestën e opozitës do të vritet një deputet me  iniciale E.A.