Siç ndodhi me grushtin e shtetit të dështuar me 14 shtator 1998, edhe këtë herë nën akuzë përfunduan ushtarët e Sali Berishës dhe jo ai, komandanti i revoltës. Sulmi në selinë e Partisë Demokratike me 8 janar u organizua, kërcënua dhe më pas u urdhërua nga Sali Berisha dhe këtë gjë e bëri publikisht. Pamjet e transmetuara live nga të gjitha televizionet, përfshi edhe të tijin, tregojnë Sali Berishën ndërsa me krahë drejton protestuesit dhe i nxit për sulm. E me gjithë këtë, në listën e 34 të arrestuarve dhe të 18 të denoncuarve, shfaqen vetëm emrat e militantëve të tij. Berisha edhe këtë herë, 23 vite më pas, përfiton këtë imunitet të turpshëm, sikur ai të ishte përmbi ligjin dhe sikur këtij ekstremisti plak që është i gatshëm të cojë drejt vdekjes njerëzit e tij vetëm e vetë për të rimarrë pushtetin, duket se i lejohet cdo gjë.

Policia nuk ka kurajo ta denoncojë, prokuroria nuk ka kurajo as ta marrë në pyetje. Atëherë, nëse Sali Berisha kërkon të tregojë se është me të vërtetë një lider i guximshëm dhe burrë nderi, të vetëdenoncohet, të pranojë të njëjtin fati me të cilin janë të destinuar militantët e tij që ndoqën në emër të tij sulmin dhe që tani, për faj të tij, përfunduan përballë drejtësisë. Nëse Sali Berisha nuk bën as këtë xhest, nuk do të kujtohet vetëm si lideri që themeloi Partinë Demokratike që më pas vendosi ta shkatërrojë, por do të mbetet në histori edhe si një njeri pa burrni.