KUKËS - Kreu i Partisë demokratike në vijim të turit të fushatës elektorale ka zhvilluar mitingun përmbyllës në Kukës ku ka deklaruar se oligarkia nuk ka prioritet hallet, por të gllabëroj çfarë të mundet.

“Oligarkia nuk ka prioritet hallet, por të gllabëroj çfarë të mund nga pasuria publike. Për dy vite kanë vënë lakuën në fytin e të pamundurve, me rritje taksash e shtim të papunësisë. Erdhën në pushtet me premtimin e uljes së taksave, por i rritën ato bashkë me çmimet.”- tha Basha.
 
Duke akuzuar dyshen Rama­Meta se kanë rritur taksat dhe çmimet, Basha tha se situata ekonomike në vend është vështirësuar.

Më tej ai vërshoi edhe akuzat ndaj kreut aktual të Bashkisë së Kukësit duke i vendosur edhe epitetin Halil Meta.

“Flasin shumë por nuk thonë asgjë për papunësinë e rritur, për çmimet e larta, për premtimet e pambajtura. Halil Meta pasi shpërdoroi në skema korruptive besimin tuaja, ndryshoi xhaketën dhe u fut në strehën e maskarenj për të kërkuar mbështetje në favor të ndereve politike. Halil Meta nuk mund të jetë zgjidhje për problemet tuaja, por është problemi juaj”,-tha Basha.

Në këtë miting merrnin pjesë edhe kandidatët e djathtë për Hasin dhe Tropojën.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)