Kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë në Lushnje, Peqin dhe Gramsh. Ndërsa Olldashi prezantoi platformën në Lezhë dhe në Mamurras.
Të dy mbështetën fushatën në ristrukturimin e partisë dhe në akuzat kundër kryeministrit të zgjedhur nga votat e 23 qershorit Edi Rama. Ata thonë se Rama mashtroi me premtimet të cilat nuk do ti mbajë.
“Kam dëgjuar dje kryetarin e PS dhe eldorazhin e tij të thotë se nuk mund ta bëjë shëndetësinë falas siç e premtoi dhe nuk mund ta bëjë taksën progressive sic e premtoi. Pa e marrë akoma zyrën e kryeministrit ky njeri filloi të gënjenjë. Paralajmëruam qytetarët në fushatë se janë mashtrime. Nuk ka akt më të papërgjegjshëm, nuk ka ndodhur në historinë e politikës botërore që premtimet elektorale të bien pa marrë mandatin. E bëri Edi Rama dhe ne duhet të përgatimei me gjithë forcën të rrëzojmë një nga një të gjithë platformën e tij. “- tha Olldashi në takim me bazën demokrate në Mamurras.
Nga ana e tij Basha tha se opozita dhe çdo qytetar shqiptarë, i cili që sot ndjehet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance, duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet.
“I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë provojë e njohim, kësaj i thonë parti–shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t’ju përgjigjur kësaj kulture anti-shtet me instrumentat e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike”- deklaroi z. Basha.
RISTRUKTURIMI I PD-SE SIPAS BASHES E OLLDASHIT
Në Lezhë Olldashi tha se projekti i tij është i fokusuar tek paketa e ristrukturimit të institucioneve të PD-së dhe tek strategjia opozitare për të rikthyer të djathtën në shumicë politike në zgjedhjet lokale të 2015”.
Ndër prioritetet e demokratëve, sipas Olldashit, duhet të jetë çmontimi i maxhorancës së koalicionit të ish partisë së vjetër të punës, siç e cilësoi ai.
Nga ana e tij Basha premtoi se nën drejtimin e tij PD do të ketë një sistem të vlerësimit të meritës dhe karrierës së çdo antari të PD nga më i vjetri deri tek më i riu. Nuk do të ndodh që kontributi i anëtarëve dhe militantëve të harrohet sa herë PD fiton zgjedhjet.
“Partia Demokratike do të ndërtojë një sistem transparent dhe të drejtë të kreditimit, të meritës dhe karrierës. Ne e dimë fare mirë se më të përkushtuarit mes nesh, më gjigandët në kontribute janë gjithmonë të fundit në pretendime, të fundit në kërkesa, të fundit në përfitime.
“Ne jemi partia që shëmbi komunizmin, ne jemi partia që pas gjeneratash harrese, riktheu para shqiptarëve idealet e shoqërisë së lirë. Pas 20 vitesh që u antarësuam në Këshillin e Evropës ishim prapë ne që nënshkruam MSA, ishim ne që morëm ftesën për në NATO, ishim ne që e anëtarësuam vendin në NATO, ishim ne që i hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin shqiptarëve, jemi ne që iu dhamë shqiptarëve infrastrukturën më moderne rrugore dhe energjitike që vendi ka njohur ndonjëherë dhe për këtë çdo demokrat dhe demokrate sot duhet të jetë shumë krenarë. Ky është një gurë i rëndë themeli që nuk e lëviz dot askush e aq më pak mazhoranca e votës së deformuar, të blerë dhe të korruptuar të 23 qershorit.” –theksoi z. Basha.”– u shpreh z. Basha.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)