TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH- I. Vata/- Partia Demokratike është e gatshme të hedh hapin e saj bashkë me aleatët për të thyer bojkotin, por kërkon që parlamenti të heq dorë nga kriminalizimi i tij dhe të respektojë Kushtetutën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka organizuar sot një takim me partitë aleate ku në fokus ishte bojkoti i parlamentit.
Pas takimit, Basha ka dalë në një prononcim për media, ku u shpreh se "pas vizitës në Kongresin e Kristian Demokratëve gjermanë me ftesë të kancelares Merkel, shkalla e ndërgjegjësimit e institucioneve evropiane, të vendimarrësve kryesor të politikës evropiane është me e lartë se kurrë për sa i përket kauzës së drejtë të opozitës, që është rivendosja e kushtetutshmërisë në Kuvendin e Shqipërisë".
"Përparimi me një nga pesë kriteret kyçe për Shqipërinë në Evropë, lufta kundër krimit nuk mund të nisë pa treguar besueshmërinë në radhë të parë në parlament. Bashkë me parlamentin, qeveria duhet të tregojë që jo vetëm ka vullnet ta luftojë krimin, por në radhë të parë ta fillojë brenda saj", tha ai.
"Jemi ne që për më shumë se katër muaj e gjysëm kemi kërkuar me zë të lartë dhe të pareshtur dekriminalizimin e parlamentit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rikthimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe garancitë e faktorit ndërkombëtarë, konkretisht të institucioneve evropiane. Sot jemi më afër se kurrë arritjes së këtyre parimeve, standardeve që nuk janë për opozitën, por janë për Shqipërinë evropiane, që mund të jetë e tillë vetëm kur të ketë një parlament të dekriminalizuar dhe në respektim të ligjit. Partia Demokratike ia ka dalë të bëjë ndërgjegjësimin ndërkombëtarë dhe të qytetarëve shqiptarë për rrezikun që i kanoset demokracisë shqiptare për shkak se parlamenti është dhunuesi i Kushtetutës dhe fjalës së lirë", tha Basha.
Partia Demokratike, tha Basha, është e gatshme të hedh hapin e saj bashkë me aleatët por kërkojmë reflektim nga ana e maxhorancës./m.m/