Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se opozita mbështet reformën në drejtësi si një domosdoshmëri për rrugëtimin tonë europian.
Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës në bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë për Reformën në Drejtësi, Basha theksoi se "ne mbështesim dhe kërkojmë zbatimin pa asnjë hezitim të një modeli europian për reformën në drejtësi".

"Modeli europian bazohet në parimin e konsolidimit të pavarësisë, efiçencës dhe llogaridhënies të sistemit të drejtësisë, një reformë që bazohet në dy shtylla kryesore, reformimin e sistemit për të luftuar korrupsionin, i cili duhet të bëhet nga vetë sistemi dhe jo nga qeveria. E thënë troç, qeveria duhet të mbajë duart larg nga gjyqësori. Kapja politike e gjyqësorit është burimi më i keq i deformimit dhe i korrupsionit në drejtësi", nënvizoi Basha.

Kreu i opozitës duke përshëndetur iniciativën e Presidentit Nishani, u shpreh se " kjo është forma e duhur, e gjithëpërfshirjes, e rrugës për një reformë konsensuale që garanton qëndrueshmërinë në kohë të një reforme, e cila duhet të mbetet brenda kornizës europiane".

"Për arsyet që dihen botërisht, opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me parlamentin, këto arsye lidhen drejtpërdrejt edhe me këtë temë. Drejtësia është një nga temat e mëdha të konfliktualitetit të sotëm politik në vend, që ka të bëjë me sundimin e ligjit në Shqipëri, që lidhet ngushtësisht me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Sundimi i ligjit dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave janë të lidhura fort me njëra - tjetrën", tha kreu i opozitës.

Kryetari i PD-së, Basha theksoi gjithashtu se temë tjetër e konfliktit shumicë -opozitë ka të bëjë me integritetin e ligjvënësve. "Prania si kurrë më parë në trupën e ligjvënësve të subjeketeve të sistemit të drejtësisë, të individëve që kanë qenë në bankën e të akuzuarve dhe më pas të dënuar për vepra penale te natyrës së krimit të organizuar, kompromenton rëndë motivet, kapacitetin dhe drejtpeshimin e tyre për të marrë përsipër për aq sa u takon, rolin e reformatorëve të drejtësisë", shtoi Basha.

Ne jemi në këtë tryezë për të treguar vullnetin tonë, tha Kreu i PD-së, duke shtuar se "opozita e sotme ndryshe nga e ajo e djeshmja, mbështet reformën në drejtësi si një domodshmëri për rrugëtimin tonë europian. Ne vijmë në këtë tyrezë me një vizion e platforme, të cilët ekspertët tanë do ta laborojnë në panelin pas këtij prezantimi", tha Basha.