Basha refuzon PPE: Me Ramën
kryeministër nuk ka zgjedhje 

Opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi për qeveri teknike. Pas diskutimeve të forta për mbi 3 orë grupi i Partisë Demokratike ka vendosur që të mos heqë dorë nga kërkesë për krijimin e një qeveri teknike pa Ramën kryeministër për zgjedhjet parlamentare.
 
Pas përfundimit të mbledhjes kryetari i PD, Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e grupit se nuk do të heqin dorë deri në realizimin e kërkesës së tyre.
 
"Ndaj qëndrimi është i qartë: Edi Ramës i kërkohet dorëheqja. Largimi i tij mjafton si garanci, Rama refuzon dhe po mban peng një Shqipëri të tërë.
 
Qeveria teknike, votimi elektronik, mjete për të realizuar kauzën e madhe, nëse ka propozime ti dëgjojmë, por nuk e tradhtojmë kauzën kombëtare"
tha ai.

E ndërsa refuzoi thirrjet nga PPE për t'u futur në zgjedhje, Bashës duket se ende nuk i ka dalë inati me ministrin e Jashtëm gjerman që pak javë më parë deklaroi se protesta bëhet nga frika për Vettingun.
 
"Opozita nuk është problemi, sikur ishte deklarata e ministrit gjerman Gabriel, ishte e papranueshme dhe e papërgjegjshme, ne nuk jemi problemi" tha ai duke iu përgjigjur edhe njëherë.


 
Basha: Takimi me Ramën, shkoj për qeveri teknike
Duket se fati i tryezës që ka iniciuar Nishani është përcaktuar ende pa nisur, pasi Basha ka deklaruar sonte se do të shkojë në takim me kushtin për qeveri teknike.
 
"Me këtë vendim shkojmë në negociatat e thirrura nga Presidenti Nishani, vendimi i grupit është që të mbështesë protestën për zgjedhje të lira.
 
Nesër, do të kontaktoj Presidentin pas ftesës së tij për dialog. Me këtë vendim nesër në një orë të përshtatshme për Ramën jam gati të marr përgjegjësitë
" deklaroi Lulzim Basha.

PPE kundër Lulzim Bashës: Do të mbash përgjegjësi
E Djathta Europiane ka ripërsëritur apelin për Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare që të futet në zgjedhjet e 18 qershorit, pasi bojkoti është i papranueshëm.
 
Apeli i ndërkombëtarëve është bërë përmes një video-konference gjatë mbledhjes së grupit të PD nga Presidenti i Partive Popullore Europiane, Jozef Daul, McAllister dhe Hahn.
 
Sipas burimeve mësohet se Daul, McAllister dhe Hahn i kërkojnë PD të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të futen në zgjedhje, ndërsa i kanë përsëritur edhe njëherë ofertën e 25 Prillit, që Basha refuzoi.
 
Apeli i sotëm duket se do të jetë i fundit nga ndërkombëtarët për Bashën, pasi komisioneri Johannes Hahn ia ka bërë mëse të qartë kreut të PD se edhe nëse nuk do të marrin pjesë në procesin e 18 qershorit, zgjedhjet do të njihen nga Brukseli.
 
Bregu dhe Topalli kundër: Bojkoti, gjenocid
Mbledhja e grupit të PD nuk ka qenë aspak e qetë, pasi ashtu sikur pritej, Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu kanë dalë hapur kundër vendimit për të bojkotuar zgjedhjet.
 
E ndërsa Topalli ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje për të mos bojkotuar zgjedhjet, Bregu theksoi se të ndalosh 600 mijë votues për të votuar është gjenocid.
 
"Shitblerja e votës është krim, por kërkon dy palë. Të lësh 600 mijë votues të PD pa votë është gjenocid".
 
Edhe deputeti i PD, Astrit Patozi në mbledhjen e grupit u shpreh se pranimi i paketës së ndërkombëtarëve nuk është tradhti.
 
"Të gjithë duhet të luftojmë fort për të arritur maksimumin e kauzës sonë dhe mund të them se nuk tradhtojmë askënd në rast se pranojmë edhe një paketë serioze të ofruar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve".

Kritikët, Basha: Grup fanatikësh që duan ta djegin PD
Gjatë fjalës së tij pas përfundimit të mbledhjes së grupit, Basha ka shigjetuar edhe kritikët brenda radhëve.
 
"Ka tre grupe njerëzish; shoh një grup njerëzish fanatikë që duan ta djegin PD, një grup që shkojnë në shtëpi pa lekë dhe të larguarit nga Shqipëria" u shpreh ai.
 
Bregu, Topalli, Patozi kanë dalë hapur kundër bojkotit të zgjedhjeve në mbledhjen e grupit, ndërsa Selami mori pjesë. 

Bojkoti, zhvillimet e fundit nga PD

22:55 PPE: Bojkoti i PD, nuk është në standardet e PPE dhe BE
Pas video-konferencës me Grupin e PD, Presidenti i PPE Joseph Daul deklaroi se Shqipëria duhet të gjejë një zgjidhje për zgjedhje demokratike.
 
Gjithashtu ai deklaroi se regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të të gjitha palëve është e domosdoshme.
 
"Regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të të gjitha palëve është e domosdoshme. Gjithashtu kam përsëritur se asnjë bojkot i zgjedhjeve apo i Parlamentit nuk janë aspak në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian apo të PPE-së", tha Daul.

22:40 Fjala e plotë, Basha: Të largohet Rama, qeveri teknike
Më lejoni ta nis me një keqardhje për FAKE NEWS në portale, një pjesë kanë prapavijë nga Rama. Jam këtu për të zbardhur mbledhjen e grupit dhe video konferencë me Presidentin e PPE dhe Hahn.
 
Grupi i PD u mblodh për një komunikim me Doul dhe Hahn, u përcoll shqetësimi për krizën politike dhe situatën e krimit dhe drogës.
 
BE është e angazhuar totalisht për luftën kundër drogës, ky është një lajm i mirë, pasi PD e ka ngritur këtë jo thjeshtë si cështje, por edhe demokracisë dhe ekonomisë.
 
E konsideroj një hap cilësor në sfodin e zbehtë të rezolutës së PE për drogën.
 
U kthye në diskutim vëmendja e së martës së kaluar, realizoj përgjegjësitë e mia personale për mos shpjegimin në detaje të asaj që ndodhi.
 
Pasi u njohën me problemet u larguan nëse do të kishte zhvillime, 30 minuta më vonë u ra dakord për dy takime të vecanta te Kongreset, mua mu paraqit një dokument me tre pika, ku paraqiteshin shtyrja e zgjedhjeve më 16 korrik, zëvendësimi i 4 ministrave teknikë dhe një paketë mikse për Presidentin me konsensus, kalimit të kryetarit të KQZ te PD.
 
Në pamë disa pika të dobishme, por oferta jonë ishte; 4 ministrat teknikë të caktuar nga Rama me miratimin tonë nuk pranua, pasi ka blerë deputetë të opozitës dhe LSI, pasi do të kthente 4 ministrat teknikë të bindur ndaj tij.
 
Propozimi unë ishte që qeveria duhet të ishte pa Ramën kryeministër. Përsa i përket datës, më i rëndësishëm është votimi elektronik.
 
OSBE kishte përsëritur këngën e vjetër, që kjo nuk funksionon, por funksionon në Brazil, por edhe në vendet baltike.
 
Në kontakte me 5 kompani europiane 4-6 muaj mund të mbulohet e gjithë Shqipëria me qendra biometrike.
 
Nëse kjo nuk garantohej të shikonin për mundësinë e identifikimit elektronik. Ndava me Presidentin e PPE dhe Hahn, që pika kryesore e këtij propozimi më ishin komunikuar ditë para mbërritjes së McAllister dhe Gabriel.
 
Ajo që u paraqit si zgjidhje, Rama ishte në dijeni para opozitës. Kjo është një betejë për qytetarët.
 
Ofrova gjithcka edhe si kryetar i PD me qëllim arritjen e një marrëveshje politike. Ky është qëndrimi ynë, ofrojmë gjithcka na pushteti ynë për votën e lirë.
 
U hoqën paralele me Maqedoninë, në një vend që përdoren përgjime veprohet me qeveri teknike, ndërsa këtu ku është droga sheshit duhet të shkohet drejt qeverisë teknike.
 
Opozita nuk është problemi, sikur ishte deklarata e ministrit gjerman Gabriel, ishte e papranueshme dhe e papërgjegjshme, ne nuk kemi problemi.
 
Asnjë propozim të vetëm nga Rama, cfarë do të bësh për kriminelët që ke në Kuvend dhe bashki, etj?
 
Si do e zgjidhësh për të ofruar garanci për zgjedhjet e lira? Ti që nuk pranon të heqësh dorë? Asnjë përgjigje.
 
Ndaj qëndrimi është i qartë: Edi Ramës i kërkohet dorëheqja, PD e gatshme të heqë dorë nga pjesa morale e kësaj beteje, kur këta bashkohen me ne në një qeveri teknike.
 
Largimi i tij mjafton si garanci, Rama refuzon mban peng një Shqipëri të tërë.
 
Qeveria teknike, votimi elektronik, mjete për të realizuar kauzën e madhe, nëse ka propozime ti dëgjojmë, por nuk e tradhtojmë kauzën kombëtare.
 
Marrim përgjegjësinë për ta nxjerrë Shqipërinë nga droga përmes dialogut.
 
Me këtë vendim shkojmë në negociatat e thirrura nga Presidenti Nishani, vendimi i grupit është që të mbështesë protestën për zgjedhje të lira.
 
Nesër, do të kontaktoj Presidentin pas ftesës së tij për dialog. Mashtrim lajmi që skadonte afati, këta janë me lista të paligjshme.
 
Me këtë vendim nesër në një orë të përshtatshme për Ramën jam gati të marr përgjegjësitë.

 
Keni idenë cfarë mundet të jetë një propozim tjetër?
Zgjidhje më të ndershme se ne nuk mund të ketë, nuk duam pushtet në tavolinë.
 
Në negociata për qeveri teknike?
Qeveri teknike pa Ramën kryeministër për krijimin e kushteve të zgjedhje të lira dhe votimin elektronik.


22:25 Topalli dhe Bregu dalin të parat nga mbledhja, por nuk prononcohen për mediat

22:15 Grupi i PD: Vazhdojmë negociatat për marrëveshje. Nuk tërhiqemi nga kërkesa për qeveri teknike.

22:15 Mbaron mbledhja e grupit të PD

21:55 Burime nga grupi i PD: Të vazhdojë protesta
Burime nga mbledhja e grupit të PD: Shumica e deputeteve, janë për vijën e fortë të ndjekur deri tani. Nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën.
 
Zgjedhjet në Dibër dhe droga dhe përpjekjet që po bëhen aktualisht nga qeveria për të kapur votën kudo ne cdo rreth tregon se Rama është i njëjti, asgjësues i votës
".

21:45 Bregu: Të lësh 600 mijë votues pa votë, gjenocid
Majlinda Bregu ka qenë edhe në mbledhjen e grupit e ashpër me Bashën, pasi ka deklaruar se të mos futesh në zgjedhje dhe të lëshë 600 mijë votues pa pa votë është gjenocid.
 
"Shitblerja e votës është krim, por kërkon dy palë. Të lësh 600 mijë votues të PD pa votë është gjenocid".

21:35 Patozi: Nuk është tradhti të pranojmë paketën e ndërkombëtarëve
Deputeti i PD, Astrit Patozi në mbledhjen e grupit u shpreh se "Të gjithë duhet të luftojmë fort për të arritur maksimumin e kauzës sonë dhe mund të them se nuk tradhtojmë askënd në rast se pranojmë edhe një paketë serioze të ofruar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve".

21:25 Dashamir Shehi: Duhen 3 muaj kohe nga qeveria teknike, që të sigurohen zgjedhjet

21:20 Basha: Duam garanci ose s'ka zgjedhje
Në mbledhjen e grupit, Lulzim Basha është shprehur se "Nuk jemi ne kete beteje per veten tone, per interesat tona. Ose dialog te vertete qe jep zgjidhje, ose pjese e lojes, fasades nuk behemi.
 
Te pranosh truket, hilete e qeverise, sdo me thene dialog, zgjidhje, apo kompromis, po menaxhim i opozites. Kete nuk mund ta pranoj. Rendesi ka vullneti, jo detajet.
 
Ose garanci per voten e lire, ose ska zgjedhje
" mësohet se ka deklaruar Basha. 

21:10 Topalli: Nuk dua te them asgjë më shumë. Jam e sigurt qe ju z. Basha do gjeni një zgjidhje dhe duhet gjetur një zgjidhje
 
21:05 Erjon Brace: Tigri i Bulevardit po rrihet e po kthehet ne Pule SHQUP-i!!

20:55 Aleati i Bashës, Agron Duka: Qeveri teknike edhe me Ramën Kryeministër
Kryetari i PAA, Agron Duka në një intervistë telefonike për Report Tv u shpreh se të dy palët, si Rama edhe Basha duhet të lëshojnë dicka nga kërkesat e tyre, ndërsa shtoi se qeveria teknike mund të jetë edhe me Ramën Kryeministër, por të ofrohen garanci për një proces zgjedhor sipas standardeve.

20:40 Pushim në mbledhjen e grupit të PD, pas pak pritet rinisja e diskutimeve për një vendim

20:40 Video-konferenca, me zyrtarët e KE dhe PEE bisedoi vetëm Basha dhe jo pjesa tjetër e deputetëve dhe aleatëve. 

20:35 Burime për Report Tv: PD kërkon 6 ministra teknikë dhe shtyrje të zgjedhjeve në 30 Korrik

20:30 Presidenti i Partive Popullore Europiane, Jozef Daul thirrje Bashës: Nëse nuk gjen zgjidhje, përgjegjësinë do e mbash ti dhe jo ne!

20:25 Mbaron video-konferenca me Jozef Daul, McAllister dhe Hahn, nis diskutimi në grupin e PD

20:20 Aleati i Bashës: PD të pranojë qeverinë teknike me Ramën Kryeministër
Kryetari i PAA, Agron Duka një nga aleatët e Bashës është shprehur se PD duhet të pranojë qeverinë teknike me Edi Ramën kryeministër, praktikisht ofertën e ndërkombëtarëve në 25 Prill.

"Unë do t’a pranoja, me pak ndryshime që të shkonim në zgjedhje me të njëjtin kryeministër dhe që qeveri teknike reale,  teknike jo me njerëz të përcaktuar nga Rama, siç është bërë oferta, edhe natyrisht të kishte një datë tjetër zgjedhjesh sepse në këtë datë janë të pamundura. Plus të paktën numërimin elektronik" u shpreh ai.



20:20 Mbledhja e grupit te PD vazhdon, në përfundim të saj pritet një fjalë nga Basha në çadër
 
20:15 Protestuesit në çadër: Nuk mund të flasim, nuk ka asnjë vendim nga grupi, po presim...

20:10 Burime nga mbledhja, Hahn dhe Daul të shqetësuar për drogën në Shqipëri

20:10 Burime nga mbledhja, Basha: Rama nuk tërhiqet nga asnjë gjë
 
20:05 Komisioneri Hahn: Zgjedhjet do të njihen pavarësisht vendimit tuaj për të marrë pjesë apo jo. KiE dhe OSBE do t'i monitorojnë.

20:00 Në mbledhjen e PD janë edhe aleatët

19:55 Burime nga mbledhja e PD: Mund të votojmë Vettingun para zgjedhjeve
 
19:45 Topalli: Ndërkombëtarët duan të na ndihmojnë për të gjetur një zgjidhje
 
19:30 Ndërkombëtarët i kërkojnë Bashës që të ndërpresë bojkotin dhe të futet në zgjedhje
 
19:20 McAllister i ka përsëritur ofertën e pak ditëve me pare Bashes "Garantojme oferten e 25 Prillit"

19:15 Basha u shpjegon situatën sipas PD Jozef Daul, McAllister dhe Hahn.
 
19:10 Nis video-konferenca me Presidentin e Partive Popullore Europiane, Jozef Daul, McAllister dhe Hahn.
 
19:05 Në mbledhje nuk është i pranishëm Eduard Selami. 

19:00 Nis mbledhja e grupit të PD

SMS deputetëve: Pjesëmarrja detyrim
Në mesazhin drejtuar deputetëve, theksohet se pjesëmarrja është e detyrueshme, çka nënkupton se kjo mbledhje do të jetë vendimtare për fatet politike të partisë më të madhe opozitare në betejën e saj mes zgjedhje të lira dhe braktisjes së zgjedhjeve. 

"Pershendetje te nderuar Deputete!

Sot (2 Maj) ora 18:30 kemi mbledhje grupi ne PD. Pjesemarrja eshte e detyrueshme",
thuhet në mesazhin e selisë blu drejtuar deputetëve demokratë. 

PD pritet të dalë sot me një vendim zyrtar nëse do të bëhet apo jo pjesë e procesit zgjedhor të 18 qershorit. 

Basha pranon video-konferencën e Jozef Daul me deputetët e PD
Lulzim Basha ka pranuar që presidenti i Partive Popullore Europiane, Jozef Daul, McAllister dhe Hahn, të bëjnë një video-konferencë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe aleatët e opozitës në orën 18:30.
 
Video-konferenca është kërkuar në Bruksel prej deputetëve kritikë me Bashën, të cilët ishin të shqetësuar që Basha nuk po konsultohej me deputetët për vendimin e bojkotit.

Përgatitjet për video-konferencën kanë nisur në mesditën e sotme, ndërsa të pranishëm nuk do të jenë vetëm deputetët e PD, por edhe aleatët e opozitës.
 
Brukseli dhe PEE kanë bërë thirrje disa herë që opozita duhet të futet në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa sinjali i parë për zgjidhjen e krizës ishte 'PO'-ja që Basha i tha sot Nishanit për takimin me Ramën. 

Basha takon Berishën para mbledhjes së grupit
Pak minuta para mbledhjes së grupit të PD-së në selinë blu, kryetari Basha është takuar me ish-kryeministrin Berisha në zyrën e këtij të fundit.
 
Ky takim ka ardhur dhe pas pranimit të ftesës së Nishanit për dialog. Pak minuta më parë Basha pranoi ftesën e Nishanit për dialog. 

Takimi i Bashës me Berishën vjen në një situatë jo të qetë brenda selisë blu, pasi dhe një ditë më parë shprehën qëndrime kritike Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Eduart Selami.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave