Basha: S'do rezistoni të shtunën
Balla: Protesta për lekët e pallatit

Ashtu siç edhe pritej, seanca parlamentare e kësaj të enjte ka nisur me thirrjet e përfaqësuesve të opozitës për protestën e të shtunës. 

Kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se nuk ka qeveri i që i reziston bashkimit popullor, ndërsa ftoi qytetarët për protestë masive në datën 27 janar. 

Ndërsa Sali Berisha paralajmëroi ministrat socialistë se s’do kenë vend ku të futen të shtunën. Por përkundrejt paralajmërimeve të opozitës, socialistët u përgjigjën se qytetarët nuk do dalin në protestat e opozitës. Kreu i grupit socialist Taulant Balla u shpreh se protesta po bëhet për 13 milionë eurot e pallatit të vjehrrit të Bashës në Vlorë. 

Zhvillimet e Kuvendit orë pas ore:

Ora 13:10 Ahmetaj-Berishës: I ke duart me gjak, ja ku do jemi të shtunën
Arben Ahmetaj i është përgjigjur kërcënimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili u shpreh nga foltorja e Kuvendit se ministrat socialistë s'do kenë vend ku të futen të shtunën e protestës. Berisha tha në Kuvend se disa prej tyre janë lërguar që sot, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ahmetajt i cili i ka përmendur ish-kryeministrit 21 janarin. 

 “I keni pyetur pse nuk e bën në 21 janar po e shtyn në 27, ju vratë për të mbajtur pushtetin dhe kërcënoni tani se do sulmoni institucionet. Ne do jemi ku kemi qenë, do ju respektojmë protestën, do ju dëgjojmë, do ju kthejmë përgjigje kur është për tu kthyer etj. Ti je ikonë e krimit, i ke duart me gjak shqiptarësh, i ke sot duart me gjak shqiptarësh, më shumë se dy herë, edhe i ke spiunuar edhe i ke çuar në pritë, të rëndon Gërdecit”- iu drejtua Ahmetaj Berishës.

Ministri i Financave iu referua edhe situatës ekonomike, duke theksuar ekonomia shqiptare sot nuk është si në kohën e qeverisjes së demokratëve, por me terma shumë herë më optimistë. 

"Në vazhdën e të vërtetës ekonomike, ju i referoheni rritjes ekonomike në përrallat tuaja, ne nuk jemi vend rozë, kemi probleme në të gjithë sektorët, por nuk është as e 2009, është mirë që para 27 bëni një kronologji të ngjarjes që do mbështesin shqiptarët. Kë do mbështesin shqiptarët, historitë, që ‘për firma jepja Shkëlzenit’, të shohin dhe ta dinë shqiptarët se ke do mbështesin, je ai që the se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë dhe përfunduan 3 mijë të vdekur, këtë do mbështesin shqiptarët", tha ministri i Financave. 

Ora 12:50 Balla: Protesta për lekët e pallatit të Bashës
"Arsyeja e protestës së opozitës në 27 janar janë paratë e pallatit të Lulzim Bashës". Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist nga foltorja e Kuvendit, duke iu referuar paralajmërimeve të opozitës për protestë masive përpara Kryeministrisë të shtunën. 

"Pse po dilni në protestë? Çfarë përfituan protestuesit e opozitëë në 18 shkurt, vetëm Avokaten e Polluit. Tre muaj në çadër për avokaten e popullit, për të shpërblyer avokaten e pallatit. Ne votonim avokaten e popullit, por ajo nuk ishte këtu për të bërë betimin, pasi ishte në Strasburg. Shkonte në një gjyq Xhafer Isufi, kundër Shqipërisdë, Xhaferi kishte Avokaten e Popullit avokate kundër Shqipërisë. 

Në 27 janar ndoshta do kushtëzoni marrëdhëniet me Kuvendin që Xhaferi të marrë lekët nga Ministria e Financave. Arsyeja e protestës është se Lulzim Basha kërkon paratë e popullit", u shpreh Balla. 

Gjithashtu, Balla iu referua edhe kërcënimeve të Berishës nga salla e Kuvendit i cili u shpreh se socialistët s'do kenë vend ku të futen ditën e shtunë. Balla tha se Berisha u nervozua pas lajmeve të se i biri, Shkëlzen Berisha, është thërritur nga Prokuroria e Tiranës për të dëshmuar lidhur me rolin e tij në privatizimin e OSSH te çekët e CEZ-it. 

"Retorika e Saliut tregoi edhe tensionin e tij familjar, mediat njoftojnë se Shkëlzen Berisha dhe Nuel Kalaj janë të thërritur nga prokuroria, për shpërdorim detyrë nga ana e babnait, por edhe shndërrimit të të birit në një ryshfetxhi, 414 mln euro është fatura që populli shqiptar paguan për CEZ. Sot kur prokuroria kërkon marrjen në pyetje të Shkëlzenit, babai i tij bën thirrje ëpr të rrëzuar këtë qeveri. 

Do dilni në protestë edhe për drejtorët e LSI, dilni edhe ju demokratë të ndershëm për drejtorët e LSI. Bashkë me të akuzuarit e vrasjeve të 21 janarit", tha Balla. 

Ora 12:30 Berisha: 27 janari do hyjë në histori si dita e guximit
Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka bërë thirrje për një protestë masive të shtunën në mesditë. Berisha u ka bërë thirrje fëmijëve, gjimnazistëve, studentëve dhe të varfërve për të rrëzuar këtë qeveri e cila sipas tij ka për detyrë të vjedhë dhe të rrënojë Shqipërinë.

27 janari do të hyjë në histori si dita në të cilën shqiptarët guxuan të ngrihen fuqishëm kundër narko republikës që ndërtoi një klik unike në Europë dhe në botë pas asaj të Koresë së Veriu. 27 janari është një ftesë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që kanë tre vakte në ditë, të kujtojnë që bashkëmoshatarët kanë një vakt ushqimi në 24 orë.

Kjo qeveri vjedh dhe pasurohet edhe duke fjetur dhe rrënon gjendjen e shqiptarëve, ndaj bashkohuni me prindërit tuaj për të protestuar për bashkëmoshatarët e tuaj të cilët as fuqi fizike nuk kanë për të protestuar.

Gjimnazistët të ngrihen dhe të mos pranojnë tarifat stratosferike që kanë vendosur noriega i shqiptarëve, dhe 4 herë më të larta se çdo vend tjetër të Europës, të ngrihen gjimnazistët sepse ju nuk meritoni dyert e mbyllura por dyert e hapura për të ardhmen tuaj. Studentë, të cilët gjobiten nga noriega dhe ndrikulla Nikolla. Studentët kanë bërë histori jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende të botës të cilët nuk kanë pranuar kurrë tarifa të tilla. Duhet të ngrihemi fuqishëm për të rrëzuar këtë regjim.

Thirrja ime është për të varfrit të cilët largohen jashtë vendit për të siguruar jetesën, të ngrihet sepse Shqipëria është vendi me i pasur në botë, ndaj të mblidhemi në 27 janar dhe të largojmë këta noriegë të cilët kanë për detyrë vjedhjen", tha Berisha nga foltorja.

Ora 12:10 Spiropali: PD po iu vë në dispozicion autobusë qytetarëve për t'i sjellë në protestë
Ju e keni humbur shpresën. Ju keni çdo të drejtë të protestoni, por ju kuptoni se punët e shtetit për t’u vënë në vijë kërkojnë mundë, kohë. Nuk janë punët e magjisë. Ju bëjnë thirrje të dilni në protestë, madje po ju vënë në dispozicion autobusë në çdo bashki. Në thirrjet për protesta pa arsye, pa ide, dhe me në krye një lidership që kalë të betejës ka nxirjen e Shqipërisë. Opozita ka kaluar çdo kufi të së drejtës, aq sa e drejta ka kapërcyer e tëra në anën tjetër. Opozita po lundron në oqeanin e hiqit. Ta dini se mund të jetë dhe për shkak të gazit që shkakton opozita e 27 janarit. Ju thatë këtu se deputetët socialistë kanë ikur nga frika, jo se varfëri nuk ka, por a jo nuk mund të luftohet nga i njëjti mentalitet që e prodhoi. 

Ora 12:00 Basha: Asnjë qeveri s'i reziston bashkimit të popullit 
Kryetari i PD, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit ftoi qytetarët në protestën e të shtunës përpara Kryeministrisë. Basha tha se bashkimi i popullit do firmosë fundin e qeverisë së paligjshme.

"Asnjë qeveri nuk i ka rezistuar popullit të bashkuar, asnjë aleancë me krimin nuk do i rezistojë dot bashkimit të popullit. Nëse bëhemi mijëra në sheshet e Shqipërisë e keqja do largohet. Ejani pasnesër më 27 janar, bashkohuni me mijëra të tjerë, për çdo padrejtësi, të firmosim fundin e qeverisë së paligjshme, qeveri trafikante, për t'i haur rrugë një qeverie antimafie, ejani ta mundim, të shtunën në orën 12:00 përballë të keqes", u shpreh Basha. 

Ora 11:50 Berisha-deputetëve të PS: Ku do futeni më 27 janar?
Keni ngelur një thelë këtu, gjithë ministrat të turpëruar nga vetja e tyre, të tmerruar nga super protesta që po afron, largohen nga Parlamenti dhe lënë këtu ikonën e nxirë të mega aferave më të mëdha në historinë e vendit, binjakun e Gjiknurit, Arben Ahmetaj. Ikën deputetët, nuk janë këtu as një e pesta e deputetëve. E thotë Hygo diku “Nuk njihej më as shef, as flamurtar”. Kështu jeni bërë, por çdo të bëni ditën e protestës. Ku do të futeni? Ua thoni shqiptarëve

Ora 10:20 Tabaku:U morët frymën qytetarëve.Ahmetaj:Ulëm varfërinë
Menjëherë pas betimit të dy deputetëve kanë nisur debatet, ku temë ka qenë varfëria. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, deklaroi se kjo qeveri po iu merr frymën shqiptarëve, duke i varfëruar ata çdo ditë e më shumë. Në kundërpërgjigje ndaj tij, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se varfëria është ulur gjatë qeverisjes së PS. Tabaku: Kjo qeveri merr frymë me padrejtësi. Ne nuk jemi opozita më e përkryer, por kemi guxim. Jemi të aftë për të drejtuar gishtin. Ahmetaj: Unë kam sjellë të vërtetën e raportit për varfërinë, e cila në 2012 ka arritur kulmin në Shqipëri. E vërteta nga podiumi i opozitës është e përmbysur. E vërteta është se varfëria është ulur. 

Ora 10:10 Betohen dy deputetët e rinj, Dritan Bici dhe Silva Caka
Seanca plenare ka nisur me betimin e dy deputetëve të rinj, të cilët ulen sot për herë të parë në sallën e Kuvendit, pasi zëvendësojnë Aqif Rakipin e PDIU dhe Gledion Rehovicën e LSI, të cilëve iu hoq mandati në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Rendi i ditës sot në Kuvend



/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen