Migjen Basha ka deklaruar se serbët i kanë vrarë xhaxhanë në luftë në Kosovë dhe tani mezi pret që t’i ketë përballë në fushë. “Ajo që dua nga gara për kualifikimet e Euro 2016 është të jem i ftuar patjetër në dy ndeshje. Unë dua që të jem pse e Kombëtares shqiptare në dy përballjet ndaj Serbisë.

Politika duhet të jetë larg sportit, por ndeshjet ndaj Serbisë do të jenë përballje hidhërimi pasi unë kam humbur xhaxhin në luftën e Kosovës, i cili është vrarë nga forcat Serbe. Grupi është shumë i vështirë. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë dhe nuk do ta kemi aspak të lehtë. Megjithatë, ne do t’i hyjmë kësaj gare të motivuar dhe do ta japim maksimumin në çdo ndeshje”, ka theksuar Basha.

“Shqipëria luan si Holanda, Serbia e ka pisk”
Trajneri i Sllovenisë, Katanec e pranon se ekipi i tij fitoi në mënyrë të pamerituar vetëm në saje të fatit me kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi në eliminatoret e vlefshme për Botërorin e Brazilit.  “Nuk e kam thënë asnjëherë, por dua të them se në ndeshjen e parafundit me Shqipërinë kemi fituar, por jo me meritë.

Na ka dhënë një leksion futbolli. Ka luajtur si Holanda dhe vetëm fati i keq i ndali. Një kundërshtar i jashtëzakonshëm”, tha ai. Katanec foli edhe për sfidën Shqipëri-Serbi. Ai pranon se për ekipin serb, do të jetë shumë e vështirë të fitojë në transfertë sepse në Elbasan është e pamundur që të bëhet një gjë e tillë.

“Shqipëria, një kundërshtar i jashtëzakonshëm. Luan shumë mirë futboll, pastaj shtoni këtu edhe që luhet në Shqipëri dhe ju pret një situate elektrizuese dhe do të jetë e vështirë që të fitoni” u drejtohet Katanec serbëve. Shqipëria do të përballet me Serbinë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për eliminatoret e kampionatit evropian Francë 2016.



d.b/shqiptarja.com