TIRANE-Lideri demokrat Lulzim Basha vijon akuzat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për mënyrën e menaxhimit të situatës së krijuar nga koronavirusi. Kryetari i PD-së thotë se duhet një plan i mirëmenduar mbështetjeje për të gjithë familjet shqiptare sipas nevojës dhe kushteve të secilit.

"Me mijëra njerëz në të gjithë vendin tregojnë mungesën e ndihmës dhe braktisjen nga shteti. Të përjashtuar nga plani i qeverisë, çdo ditë që kalon, për ta është një ditë pa bukë. Duhet një plan i mirëmenduar mbështetjeje për të gjithë familjet shqiptare sipas nevojës dhe kushteve të secilit.

Pagesa e mbijetesës për këdo që ka humbur punën nuk mund të vonohet më asnjë ditë! Qeveria e ka për detyrë kushtetuese dhe ligjore të garantojë shëndetin dhe jetesën e çdo shqiptari. I bëj edhe një herë thirrje të shpërndajë pa asnjë vonesë fondet e ndihmës ekonomike dhe të rrisë buxhetin për emergjencën! Koha është tani" shkruan Basha.

Propozimet nga Lulzim Basha për qeverinë për të ndihmuar shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve kanë qenë pothuajse cdo ditë, ndërsa kryeministri Edi Rama solli shembullin e opozitës portugeze që në këtë periudhë la pas sulmet dhe u bashkua me ekzekutivin kundër koronavirusit, që gjë sipas tij PD-ja dhe aleatët e saj në Shqipëri nuk e kanë bërë.