Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra në Njësinë 3, në Tiranë, ku ishte e pranishme dhe Drejtuesja Politike, njëkohësisht edhe kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Tiranën, Jorida Tabaku.
Kreu i opozitës tha se qeveria e ardhshme ka hartuar një plan për rimbursimin e të gjithë familjeve që janë detyruar të hyjnë në borxh për t’u kuruar nga korona.
“Prandaj një nga gjërat që ne do të bëjmë, qeveria jonë do të bëjë dhe ka filluar puna që sot, do të hartojmë një paketë ndihme ekonomike për të gjithë ato familje që kanë shpenzuar qimet e kokës dhe janë futur edhe në borxh për t’u kuruar nga korona. Këta kanë premtuar një rimbursimin modest katër muaj pasi ne paraqitëm një plan të të gjithë shpenzimeve të atyre që janë me korona. Këta me letra kaluan gjoja një farë rimbursimin, që s’është asgjë dhe që e kanë marrë shumë pak njerëz. Ndërkohë që numri i familjeve që kanë shpenzuar miliona për t’u kuruar është shumë i madh. Është një peshë e jashtëzakonshme e shpenzimeve familjare, shumica e familjeve janë zhytur në borxh. Prandaj po ju them që një nga hapat e parë që do të bëjmë është hartimi i një pakete financiare për të dëmshpërblyer financiarisht mijëra familje shqiptare që janë detyruar të futen në borxh për të kuruar të afërmit e tyre të sëmurë nga korona.” – tha Basha.
Ndërsa sa i përket administratës, Basha tha se 25 prilli është dita për t’u ndarë sipas tij nga vargojntë e administratës së korruptuar dhe hapjes rrugë një administrate që t’u shërbejë qytetarëve.
“Administrata është degraduar dhe degjeneruar në një pikë të paimagjinueshme. Unë e di që ka shumë në administratë të cilët duan të shërbejnë, por që e gjejnë të pamundur të shërbejnë me këtë kryeministër dhe me këtë qeveri. Atyre ju drejtohem dhe ju them që 25 prilli është dita për t’u ndarë nga vargoj që ju detyrojnë të ulni kokën, që ju detyrojnë të shkelni mbi etikën dhe moralin tuaj, për të mbajtur një vend pune për të mbajtur bukën e fëmijëve. Administrata publike do të jetë krenaria e shoqërisë. Ndaj, të gjithë ata që duan të shërbejnë me dinjitet, që kanë aftësitë, kanë përgatitjen dhe kanë përkushtimin për të zbatuar ligjin dhe për ti shërbyer qytetarëve më 25 prill do të çlirohen duke votuar për Partinë Demokratike. Sikundër dua t’ju them ju personalisht dhe të rejave dhe të rinjve të tjerë që ju më thatë që keni tre diploma. Kam takuar një vajzë që kishte dy diploma dhe rrinte te dera e një dyqani bosh në qendër të Lezhës që Shqipëria nuk e ka luksin t’ju lërë pa punë. Ndaj dhe prioritet i rekrutimit në administratë do të jetë që të sjellim pikërisht bijtë e bijat e shqiptarëve që duan dhe do ti shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve të tyre duke zbatuar ligjin.
Në këtë mënyrë ne do të arrijmë edhe një kriter për tu afruar me Europën. Se ju e dini garancia e vetme që të përmirësohet jeta në Shqipëri është të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian dhe një nga kriteret kryesore është të kemi një administratë publike profesionale. Rimbursimin sipas diagnozës është hapi parë që do të hedhim në raport me pacientin shqiptarë. Dhe kjo do të mundësoj që mbi 95% e medikamenteve që marrin të gjithë pacientët duke përfshirë persona me statusin e invaliditetit të mos nxjerrin para nga xhepi por të rimbursohen nga fondet e sigurimeve shëndetësore dhe nga fondet e shtetit shqiptar. Ndërkohë në bashkëpunim me organizatat e personave me aftësi të kufizuara ku përfshihen edhe shoqatat e invalidëve, invalidëve të punës dhe invalidëve të tjerë, kemi hartuar një memorandum bashkëpunimi që do të mundësoj dyfishimin dhe trefishimin madje të fondeve në ndihmë të personave me aftësi të kufizuarave dhe të invalidëve”, u shpreh Basha.
Tabaku tha se gratë në këtë zonë kanë problematika shumë të mëdha sepse varfëria është e madhe.
“Unë sot kam takuar shumë zonja pensioniste të cilat kanë probleme reale, problematika reale dhe kemi diskutuar dhe zgjidhjet tona. Unë besoj që në këtë zonë, në mënyrë të veçantë në këtë pjesë të Tiranës, gratë kryefamiljare, nëna, zonjat, mbajnë një peshë shumë të madhe sepse këtu varfëria është shumë e madhe”, u shpreh Tabaku.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon me fushatën elektorale, ndërsa ishte i pranishëm pasditen e sotme në njësinë nr.10 në Tiranë, ku zhvilloi takime me qytetarë dhe biznese.
Ndërkohë, një qytetar i bëri kërkesë që të mos bënte koalicion me LSI-në, pasi, sipas tij, ata e kanë sharë kur ishin në koalicion me PS-në.
Basha iu përgjigj duke i thënë që ta mbante mendjen te familja e tij dhe që të votonte PD-në më 25 prill.
Biseda:
Qytetari: Mos bëni koalicion me LSI se ju ka sharë shumë keq kur ishte me PS
Basha: Mbaje mendjen te familja jote dhe te prindërit e tu dhe voto numrin 9 më 25 prill
Qytetari: Atë e di unë, e jap me gjithë zemër